“Antena Jashtë Familjes” ju freskon kujtesën...

“Antena Jashtë Familjes” ju freskon kujtesën...
Satirë

Antena Jashtë Familjes, në vigjilje të 200 botimeve, po risjellë në kujtesë, pjesë nga bashkëllafosjet e mëparshme. Në një të tillë me analistin e tij të varur, zbuloi se, Shqipëria nuk ka oligarkë. I tillë ka qenë vetëm Pashko Vasa që, shqiptarët, për çudi, e mbajnë për patriot.

Ja një copë nga bashkëllafosja, ku analisti e thotë copë, idenë e tij.

......

Analisti: A do më për Roman Abramoviçin? Kam plot fakte, sa të bëj një roman! Abramoviçi ishte guvernator i një rajoni afër Gjirit të Beringut, gji që ndan Rusinë nga Alaska. Ti e di...

Antena: Po, po, e kam dëgjuar shumë herë këtë fakt.

Analisti: E pra, asnjë i pasur shqiptar nuk ka qenë guvernator i atij rajoni. E shumta që një shqiptar ka qenë guvernator, ka qenë Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ka qenë për disa kohë dhe Pashko Vasa, Gubernator i Libanit. Mendoj se, Pashkoja ka qenë oligark, meqë ka qenë edhe ai guvernator, si Abramoviçi. Madje, vargjet "O moj, Shqipni, e mjera Shqipni!", i ka shkruar pasi pa që, në Shqipëri nuk kishte oligarkë të tjerë si ai.

Ne kemi pasur në një nga botimet tona, edhe një bashkëllafosje me shokun Erion Veliaj.

Ai na zbuloi:

........

Erion Veliaj: Më tha mami që, ato pemët e vizatuara te llamarina afër sheshit Skënderbej, duhet t'i llogaris si pemë që kam mbjellë në qytet.

Antena: Kështu ju tha? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! Po ju, ç'i thatë?

Erion Veliaj: Po nuk i fus dot si pemë të mbjella, moj mami - i thashë. - Se po ta bëj këtë gjë, humbas besimin te qytetarët, e nuk më besojnë për të më zgjedhë Kryeministër, pasi të blejë nga Rama, partinë.

Antena: Mirë i thatë, besimi është gjë e madhe! Më mirë të humbasin disa milionë euro, sesa i shkreti besim!

Erion Veliaj: Po ç'besim do humbasësh, o djalë! - më tha mami. - Ty të besuan kur the që, dasmën në kala të Gjirokastrës, ta bëra unë, e jo mos të besojnë për disa pemë mbi llamarinë...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: