“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Mirela Kumbaro: Kujdes nga Kryeministri, se kaq e ka llapën...!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Mirela Kumbaro: Kujdes nga Kryeministri, se kaq e ka llapën...!
Satirë

Ngjarja e sotme ka të bëjë me vizitën e shokut Edi Rama në Leskovik. Disa orë përpara kësaj vizite, në këtë qytezë shkoi edhe shoqja Mirela Kumbaro, e cila ndoqi punimet ne sheshin e qytezës. Ajo bisedoi me një punëtor. Rubrika jonë mundi të përgjonte disa fjali.

Ja bashkëllafosja e bërë midis tyre.

Mirela Kumbaro: Si shkon puna? Ecën?

Punëtori: Ecën ca, shoqja Ministre. Do ecte edhe më shumë, nëse do kishim pllakaxhinjë.

Mirela Kumbaro: Nuk keni pllakaxhinjë?! E çuditshme! Leskoviku është mbajtur për mjeshtër guri ndër shekuj. Mirë thotë Kryeministri, nuk ka profesionistë!

Punëtori: Kanë shkuar të nxjerrin salep në Greqi, shoqja Ministre. Ca të tjerë kanë shkuar për të vjelë qershi.

Mirela Kumbaro: Aman, bëjeni mirë se, kush dëgjon Kryeministrin pastaj! Ai nuk mbaron kur ia nis me kritika.

Punëtori: Do përpiqemi ta mbarojmë pa erdhur Ai, shoqja Mirela!

Mirela Kumbaro: Dhe mos lini asnjë vrimë midis pllakave, përndryshe gjeni vrimë dhe futuni! Puthitini fort pllakat me njëra-tjetrën.

Punëtori: Pa merak, shoqja Ministre! Ashtu do bëjmë!

Mirela Kumbaro: Përndryshe më piu e zeza, pastaj! Kaq e ka llapën Kryeministri! (Tregon me dorën e saj të djathtë të hapur, gjatësinë e llapës së shokut Edi Rama).

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: