“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Tom Doshi: Edi Rama m'u lut me rrëzu Vllazninë, për me marrë Bashkinë...!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Tom Doshi: Edi Rama m'u lut me rrëzu Vllazninë, për me marrë Bashkinë...!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë nga sporti. Ekipi i Vllaznisë në futboll, është pranë rënies nga kategoria. Themi lajm i mirë, pasi pas çdo rënieje, ka ngritje më të fuqishme se më parë.

E meqë ra llafi te fu    qia. Ne biseduam me biznesmenin dhe filantropin e fuqishëm, shokun Tom Doshi. Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Tom! Ju shoh të gëzuar.

Tom Doshi: Si mos me ken i gëzum. Po bie Vllaznia e Voltanës prej kategorie.

Antena: Së pari një sqarim; pavarësisht të folurit tuaj dhe timit dialektor, në gazetë do e shkruaj në gjuhë letrare. Së dyti; e keni llafin për Vllazninë e Shkodrës? Mesa di unë, ju keni dhënë lekë që lojtarët të motivoheshin e të luanin më me ego, që të...

Tom Doshi: Kam dhënë, po. Madje dolën edhe disa ish-futbollistë edhe hapën llafin që Vllazninë do e marrë Toma. Deri atëherë, lojtarët luanin me shpirt. Pastaj ndryshuan gjerat.

Antena: Më falni shoku Tom, por si aguridhe që jam në këto çështjet ekonomiko-sportive, nuk po ju kuptoj, se ç'doni të thoni. A mund që të...?

Tom Doshi: Erdhi Rama...

Antena: Po dhe të vijë, nuk ka problem, që po vjen. Ne mund ta vazhdojmë bashkëllafosjen tonë.

Tom Doshi: Nuk e kisha llafin që po vjen Rama dhe e kam frikë. E kisha fjalën, erdhi Rama më takoi para disa ditësh dhe m'u lut.

Antena: Çfarë ju tha gjatë lutjes?

Tom Doshi: Aman o Tom, më ndihmo të fitojë vitin tjetër zgjedhjet vendore, Partia Socialiste në Bashkinë e Shkodrës! - më tha. Po derdhte lotë dhe ishte gati për të qarë edhe me ngashërim.

Antena: Ishte gati për të qarë me ngashërim, Kryeministri?! D.m.th po qante, por jo shumë. Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua.

Tom Doshi: E ka fiksim që të fitojë zgjedhjet në Shkodër. O e bëj festën e fitores në Kalanë e Rozafës, o në djall paratë e rrogës, -më tha.

Antena: Që e ka fiksim të fitojë në Shkodër, e kuptoj. Siç e ka fiksim edhe PD-ja, që të fitojë në Vlorë dhe Fier. Po ju ç'hyni në këtë mes, shoku Tom?! Apo meqë juve, ju votojnë shkodranët dhe shoku Edi do të përfitojë nga ky fakt?

Tom Doshi: Duhet që të rrëzojmë Vllazninë nga kategoria, që pastaj qytetarët të fajësojnë Voltanën për paaftësi, më tha Edi. Vetëm te ti Tom kam besim, më tha.

Antena: Tani po filloj të kuptoj diçka.

Tom Doshi: M'u dhimb Edi, teksa po qante. E kështu, disa ditë para ndeshjes me Partizanin, unë thashë që nuk kam nder mend të privatizoj Vllazninë.

Antena: Po, po! Po më kujtohet edhe mua kjo gjë.

Tom Doshi: Kjo deklaratë e imja ndikoi që futbollistët mos të motivoheshin e të mos luanin fort në fushë.

Antena: E pashë edhe unë, në fakt. Shumica e futbollistëve gjuanin për laraska dhe mezi lëviznin në fushë. Kur s'e merr klubin Toma, e të na paguajë ai, përse të lodhemi kot, kanë menduar.

Tom Doshi: Kështu do kenë menduar, sigurisht. Ika tani, se do dal një xhiro në Australi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: