“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Pandeli Majko: Arben Ahmetaj të mos fryhet si gjel deti!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Pandeli Majko: Arben Ahmetaj të mos fryhet si gjel deti!
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Sot po sjellim bisedën e bërë me shokun Pandeli Majko, i cili është ministër me Portofol të Pafryrë, që mbulon Diasporën. Themi lajm i mirë, pasi siç e kemi thënë, çdo takim me këtë figurë të lashtë socialiste, është i tillë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Pandeli! Pa humbur kohë dhe rreshta: A jeni njohur me një sondazh që ju rendit të fundit për punën e bërë...?

Pandeli Majko: Jo, nuk e di për cilin sondazh e keni llafin, pasi kam qënë jashtë vendit. A mund të më iluminoni për këtë, ju lutem?

Antena: Posi jo! Sondazhi i bërë nga një media jo e kazanit, raporton që ju nuk keni punuar mirë. Ndërkohë që shoku Arben, aty del që ka punuar më shumë se çdo ministër tjetër.

Pandeli Majko: Ky Arbeni, mos është ai drejtuesi jetëgjatë i ekonomisë sonë socialiste, që i thonë "Tigri"?

Antena: Pikërisht, ai është!

Pandeli Majko: D.m.th., "Tigri" është në vend të parë?! Shumë gabim! Në vend të parë duhet të ishte vetë Kryeministri!

Antena: Në fakt, puna e shokut Edi, nuk vihej në diskutim në sondazh. Duam të të sqarojmë që, në garë ishin vetëm ministrat, shoku Pandeli.

Pandeli Majko: Epo, mirë kanë bërë që vendosin "Tigrin", në vendin e nderit.

Antena: Pra, edhe juve jeni dakord që...?

Pandeli Majko: Sigurisht! Në një xhungël si kjo e jona, është plotësisht e drejtë që Tigri, pra shoku Arben, të jetë ne vend të parrë, përderisa mungon Luani-Kryeministri. Dhe Shqipëria si xhungël që është, nuk duhet të bëjë përjashtim nga kjo ligjësi natyrore.

Antena: Ky udhëtimi i fundit jashtë, ju paska bërë më trim se zakonisht. Ku ishit?

Pandeli Majko: Ku nuk isha! Po bredh i vetëm nëpër botë, që t'ju mbush mendjen shqiptarëve të dërgojnë pará në mëmëdhe.

Antena: Meqë më kujtuat dërgesat. Ministria e Ekonomisë me shokun Arben në krye, kishte renditur si arritje të tij edhe faktin që, dërgesat e parave të emigrantëve nga jashtë, apo siç i themi ne në gazetari, remitancat, gjatë vitit të kaluar, ishin rritur 4.2%, në krahasim me vitin 2016. Ju ç'mendim keni për...?

Pandeli Majko: Është i madh Arben-Tigri! Gjigant është. Faktin që emigrantët dërgojnë më shumë pará, e quan arritje të tij, d.m.th! Unë ç'nuk kam bërë që emigrantët të sjellin pará këtu. Le ta dish ti dhe gjigant Arbeni që, falë punës time, janë rritur remitancat!

Antena: Si aguridhe që jam në këto çështjet ekopolitike, nuk ...

Pandeli Majko: Remitancat janë rritur prej meje. Thuaja edhe lexuesit këtë e le ta dine të gjithë. Ti e kujton besoj që, për festën e vitit të ri, shoku Arben ju dha pensionistëve vetëm menderen e gjelit të detit.

Antena: Si ju dha menderen e...?

Pandeli Majko: Po me 2 mijë lekë që ju dha shpërblim pensionistëve, vetëm pjesa e menderes së gjelit, mund të blihej. Pjesën tjetër të lekëve, pensionistëve, ja u dhashë unë.

Antena: U keni dhënë ju shpërblim pensionistëve?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! Si jua dhatë këtë shpërblim?

Pandeli Majko: Takoja emigrantët tanë jashtë vendit dhe u tregoja gjendjen e vërtetë të ekonomisë sonë socialiste. "Media e Kazanit" që shikonin ata, ju thoshte që pensionet për të moshuarit ishin rritur.

Antena: Nuk e dinin gjendjen e prindërve të tyre, ata?!

Pandeli Majko: E nga ta dinin? Të gjorët prindër, asnjëherë nuk ju thonë fëmijëve të tyre që po vuajnë. Këtë ja u them unë fëmijëve të tyre, në takimet që bëj jashtë vendit. Shoku Arben të mos fryhet si gjel deti! Kështu që Tigër-Arbeni dhe vetë shoku Kryeministër, duhet të ma dinë mua si arritje që remitancat janë rritur!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: