“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Fidel Ylli: nuk kam dashur që të bija në peshë, por...

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Fidel Ylli: nuk kam dashur që të bija në peshë, por...
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Për disa orë, humbi në Pyllin e Llogorasë një turiste e huaj. Themi lajm i mirë pasi, kjo ngjarje na tregon, ose siç i themi letrarisht, na shpërfaq rrezikshmërinë që mbartin pyjet e vendit tonë. Prerja e pemëve dhe shkrumbimi i atyre të mbetura, pas këtij lajmi, merr një rëndësi mjaft të veçantë.

Tani që po afrohet hapja e sezonit turistik, me shtimin e turistëve në vendin tonë, mund të kemi shumë turistë që do humbasin rrugën, nëse lejojmë të kemi akoma disa pyje.

Kjo do përkthehet në harxhime të mëdha, pasi kërkimi i turistëve në pyje, kërkon angazhimin e mjaft burimeve financiare. Shumë qeveritarë dhe banorë i dinë këto gjëra, ndaj kontribuojnë në pakësimin e pyjeve, në të mirë të turistëve.

E meqë ra llafi te financat. Kolegu ynë i sportit Araniti, shkruajti dje se klubet e futbollit të Vllaznisë së Shkodrës dhe Tiranës, janë "përsekutuar" nga demokracia.

Edhe redaksia e rubrikës sonë mendon kështu. Pavarësisht se në gazetën tonë, siç e keni vënë re, botohen pa problem mendimet e kundërta ballafaquese, po themi këtë herë një mendim të njëjtë me të kolegut tonë.

Vllaznisë së Shkodrës dhe Sportklub Tiranës, ka 27 vjet që bashkitë e qyteteve, nga taksat e qytetarëve, ju kanë dhënë qindra milionë lekë, për çdo vit. Por e theksojmë, këto para nuk janë aspak të mjaftueshme që t'i largojnë këto klube nga dështimet e viteve të fundit. Shpresojmë dhe urojmë që, shuma e dhënë për këto klube, të rritet përtej milionit të eurove.

I bëjmë thirrje edhe bashkisë së Mançesterit, t'i vërë gishtin e majtë kokës dhe të japë burime financiare nga paratë publike, për klubin e City-it! Ndryshe na lind e drejta të mendojmë që, edhe demokracia britanike, po e persekuton këtë klub të qytetit të tij.

E meqë ra llafi te sporti. Ne biseduam me ish-sportistin, mundësin e shquar, shokun Fidel Ylli.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Fidel! Jeni dobësuar mjaft. Si mundët të humbisni peshë?

Fidel Ylli: Kam rënë 30 kile, në fakt. Më kanë dobësuar. Se mos kam dashur unë që të...

Antena: Nuk keni dashur të humbisnit peshë?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për ne! Kush ju ka dobësuar?

Fidel Ylli: 10 kile kam rënë, duke shkuar në ministrinë e Arsimit. Hip e zbrit shkallët me dhjetëra herë.

Antena: Përse keni shkuar në atë institucion?

Fidel Ylli: Shkoja për të njohur planimetrinë e godinës. Ku gjendeshin zyrat e punonjësve e, për më tepër, për të ditur ku të vendosja zyrën time

Antena: Zyrën tuaj?! E di që jam aguridhe në këto çështjet politi...

Fidel Ylli: Më thanë disa miq të mi, që shoku Edi Rama do krijonte ministrinë e Sportit. Shoqen Lindita do ta mbante vetëm te Arsimi, mua do më vendoste te Sporti.

Antena: Ju kuptova. Pra ,10 kile i ke i humbur duke ecur lart e poshtë në ministri. Po kilet e tjera, si i keni humbur, shoku Fidel?

Fidel Ylli: Dhjetë kile të tjera, i kam humbur nga stresi.

Antena: Nga stresi? Ju ka ndodhur ndonjë ngjarje stresuese?

Fidel Ylli: Ngaqë miku im Kryeministër, nuk po më bën Ministër te Sportit. Kam 5 vjet që pres, me këtë shpresë. Ka mbetur sporti jetim. Disa herë më shumë pará i jep sportit Kosova, sesa ne. Pale Maqedonia! Miku im Edi, mendon se mund të bëjë sport pa lekë. Mirë pa lekë, por do që ta bëjnë sportin edhe pa ministër të sportit. Mirë pa ministër të Sportit, po do që ta bëjë edhe pa më bërë mua ministër. E ja, kështu nga stresi, që miku im Edi nuk po më bën ministër të Sporteve, humba 10 kile.

Antena: Njëzet kile i mësuam si i humbët, shoku Fidel. Po 10 kilet e tjera, si arritët t'i hiqnit...?

Fidel Ylli: Dhjetë kilet e tjera i kam humbur po nga inati. S'po më dëgjon askush që të vihet në zbatim ligji i sportit. As ma fërshëllen fare Arben Ahmetaj, kur them që, kompanitë e basteve duhet të japin përqindjen e tyre për sportin, sipas ligjit.

Eh, ç'bëhet në këtë vend! Më katandisën 30 kile më pak...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: