“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Blendi Klosi: Furrat e gëlqeres do t’i shkatërrojë mami natyrë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Blendi Klosi: Furrat e gëlqeres do t’i shkatërrojë mami natyrë
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Tre furra të prodhimit të qeramikës, që datonin shumë shekuj më parë, u shkatërruan nga shirat e rëna në qytetin e Durrësit.

Lajmin na e tha vetë ministri i Mjedisit, socialisti i vjetër, shoku Bledi Klosi.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Blendi! Deshëm të dinim diçka për...

Blendi Klosi: Ja, sa të shkoj në shtëpi të laj duart dhe erdha.

Antena: Të lani duart në shtëpi?! E përse nuk i lani këtu në ministri?

Blendi Klosi: Me ç'ujë t'i laj këtu, apo me atë të Bovillës, që më shumë i ndot, sesa i lan! Në shtëpi kam vënë filtër për ujin.

Antena: Përse nuk vini filtër uji edhe këtu në punë?

Blendi Klosi: E kush të vinte?! Ata të LSI-së që kishin përpara meje ministrinë, nuk e kishin mendjen për punë. Ata s'i vunë filtra korrupsionit, jo më ujit.

Antena: Keni mbi 8 muaj në pushtet shoku Blendi, e mund të vendosnit vetë një...

Blendi Klosi: Këto muaj s'kam ndenjur fare në zyrë. Mbeta me doreza në dorë, duke pastruar plazhet. Vetëm unë mund të kem mbledhur e pakta, dy ton leshterikë. Punë leshi kam!

Antena: Në fakt, unë nuk kam ardhur për leshterikët, por për furrat e gëlqeres. Kemi marrë vesh që, shumë prej tyre, ju keni hequr licencat...

Blendi Klosi: Kot i heq, se vazhdojnë të punojnë përsëri. Po tani të më shohin mua, ata!

Antena: Ç'masa do merrni për t'i mbyllur, shoku Klosi?

Blendi Klosi: Do i lë t'i prishë shiu. Ja, këtë do t’ju bëj!

Antena: Do i lini të prishen nga shiu?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua!

Blendi Klosi: E more vesh besoj që, në Durrës, dy furra ishin prishur vetë nga shiu. Kështu do t’i lë të shkatërrohen edhe këto furrat e sotme. Atë që bën mami natyrë, nuk e bën dot as qeveria e as mami parti...!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: