“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arben Ahmetaj: Ju tregoj "të dashurat"  e mia në Maqedoni...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arben Ahmetaj: Ju tregoj "të dashurat"  e mia në Maqedoni...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë për Belgjikën. Ky vend, sipas parashikimit, do të jetë fitues i Botërorit të Futbollit. Fituesin e ka përzgjedhur një dhi, e cila ndodhet në kopshtin zoologjik të një qyteti rus të quajtur Samara.

Themi lajm i mirë, pasi këtë parashikim mund ta bënte edhe ndonjë dhi shqiptare, nga ato që ndodhen me shumicë në kopshtin zoologjik në Tiranë, (nëse nuk do ishte therur dhe shitur për mish, në ndonjë nga dyqanet e kryeqytetit).

Ky lajm mund të ishte vërtet i keq. Imagjinoni p.sh., sikur parashikuesi, mos të ishte një dhi, por një luan, apo tigër. Në Kopshtin Zoologjik këtu në Tiranë, ne nuk kemi për momentin ndonjë kafshë të tillë.

Edhe po të kishim, do ishin kthyer në barngrënës. (jemi të bindur se shoku Erion Veliaj, do e mbajë llafin që dha para dy vitesh, që ta bëjë Kopshtin Zoologjik, evropianisht të denjë...)

E meqë ra llafi te tigri. Ne biseduam me “Tigrin”, apo ndryshe Ministrin e Sipërmarrjes, shokun Arben Ahmetaj. Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Arben! Nuk duam të zgjatemi dhe po futemi direkt e në temë. Në fjalën e tij të mbajtur para dy ditësh, shoku Edi tha që ekonomia jonë ka...

Arben Ahmetaj: E dëgjova! Tha që njerëzit duan të prekin rezultat. Mirë tha. Edhe unë vetë, si qytetar, po nuk pashë ndryshime të parave në xhepin tim, nuk ka se ç'më duhen shifrat e ekonomisë që nxjerr INSTAT.

Antena: Një pyetje, e drejtpërdrejtë. Sa janë rritur rrogat, më krahasim me 2013-ën?

Arben Ahmetaj: Kësaj pyetjeje do t'i përgjigjem në një moment tjetër. Tani jam i zënë. Do nisem për udhë?

Antena: Do niseni në Gjirokastër, besoj?

Arben Ahmetaj: Ç' Gjirokastër leshi, o gjigand! Gjirokastra ka marrë fund. Ku lë ajo Kryetarja e Bashkisë, që të zhvillohet ai qytet. Do nisem për në Maqedoni.

Antena: Nuk besoj se do niseni për të luajtur në kazino, siç thotë opozita, që ka nxjerrë zëra duke thënë se ju shkoni çdo dy javë atje, për këtë gjë. Apo po?

Arben Ahmetaj: Do shkoj të shikoj hapjen e një fabrike, për pjesë automjetesh.

Antena: Meqë ra llafi te to. Kam marrë vesh se shumë kompani të fuqishme, kanë hapur ndërmarrje, ku prodhojnë pjesë mekanike dhe elektrike automjetesh. Gjatë këtyre 10 viteve të fundit, janë punësuar mbi 20 mijë punëtorë, në këtë fushë.

Arben Ahmetaj: E di, madje edhe më është bërë qejfi edhe mua, por më shumë Kryeministrit,  kur ja kam thënë. Jemi gëzuar, sepse në këto ndërmarrje janë punësuar edhe shqiptarë të atij vendi. Është një ndjenjë patriotizmi, që të kap të tërin.

Antena: Përse këto kompani nuk kanë ardhur, e të hapin ndërmarrjet e tyre në Shqipëri?!

Arben Ahmetaj: E pra, edhe unë vrisja mendjen se përse nuk vijnë. Me qindra herë kam shkuar në Maqedoni këto vite, që të kuptoja arsyen e mosardhjes së tyre. Rrija me orë të tëra dhe shikoja, siç shikon një adoleshent, të dashurën e tij platonike. Shikoja me endje, se si bëheshin pjesët e makinave, në këto ndërmarrje. Ato fabrika prodhimi në Maqedoni, u bënë të dashurat e mia, le ta them letrarisht. Mirëpo, jam lodhur kot....

Antena: Jeni lodhur kot! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Përse mendoni se...?

Arben Ahmetaj: Kot pra, sepse arsyen e vërtetë na e zbuloi Kryeministri. Fajin që s'po vijnë bizneset e huaja dhe se rritjen ekonomike, nuk po e ndjen qytetari, e kanë kryebashkiakët dhe kryetarët e partisë sonë në bazë. Vetëm në i kapsha kur të kthehem, se ja u tregoj unë...!

Antena: Kur të ktheheni? Përse, ku do shkoni tani?

Arben Ahmetaj: Kam lënë takim me një ish-mekanik. Ka bërë ca milionë euro ai, e donte të më jepte një drekë. Nuk mund t'ja prish, aq më tepër një ish-njeriu të thjeshtë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: