“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti ynë i varur: Qeveria të kontrollojë kufijtë! "Media e Kazanit" të jetë vigjilente!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti ynë i varur: Qeveria të kontrollojë kufijtë! "Media e Kazanit" të jetë vigjilente!
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen me një lajm të mirë, nga fusha e punësimit të të diplomuarave. Sipas të dhënave të fundit, është rritur numri i lejeve për qendra tregtare. Themi lajm i mirë, pasi tashmë do shtohet numri i shitëseve me shkollë që, sigurisht, do rrinë me sytë nga dera, se mos futet ndonjë blerës, në dyqanin ku ato shërbejnë.

Ju bëjmë thirrje shitëseve që, të mos shqetësohen, nëse dyqani nuk ka punë! Të zotët e tyre e kanë marrë parasysh mungesën e shitjeve dhe nuk ja u ndjen fare, nëse shesin apo jo. E rëndësishme për ta është që, paratë që kanë, t'i pastrojnë, si dhe dyqani të jetë i pastër, kur pronarët të sjellin shokët dhe shoqet e tyre aty.

E meqë ra llafi te hapja e vendeve të punës. Ne sot po sjellim bisedën me analistin e rubrikës sonë, bisedë që u fokusua kryesisht, aty ku dhëmb dhembi, pra te punësimi.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Shoku analist. Një demokratikas tha në sallën e Pallatit të Kongreseve se...

Analisti: Po, e dëgjova edhe unë dhe mirë e ka. Edhe unë midis shokëve Bode dhe Ristani, zgjedh të parin. Ky i dyti mbeti te rakia, ndërsa i pari ka më klas. Pi verë të shtrenjtë dhe kafe nga firma e tij. Një të djathti, nuk i ka hije rakia, por tangërllëku dhe pronësia!

Antena: Në Panairin e Punës pamë se, shoku Edi nuk denjoi të dëgjonte deri në fund shokun Erion, teksa ky i dyti, po i spiunonte të parit që, në Tiranë, janë hapur plot 120 vende pune. Shoku Edi u largua. Si e shpjegoni ju këtë veprim të Kryeministrit?

Analisti: Kjo tregon që, edhe shokut Edi, i është bërë bajat, dalja në tv e shokut Erion, çdo 10 herë në ditë. Vjen një ditë që plas guri, jo më burri!

Antena: A mendoni se...?

Antena: Në sjelljen e shokut Edi, ka ndikuar edhe temperatura e lartë që ka Sheshi Skënderbej.

Antena: Pra, ju indirekt e këshilloni shokun Erion që, çdo takim me Kryeministrin, ta kryejë me kohë të vrenjtur. Apo po?

Analisti: Në asnjë mënyrë! Koha e vrenjtur shkakton probleme të qafës, te Kryeministri. Unë them që, shoku Erion duhet të shmangë takimet me shefin e tij!

Antena: T'i shmangë? E përse duhet t'i shmangë?!

Analisti: Kryeministrit po i vjen mendja vërdallë nga kërkesa e gjermanëve, për të çuar para drejtësisë shokun Saimir, e nuk ka kohë të dëgjojë arritjet, për 120 të punësuar.

Antena: Nuk di ç'të them.

Analisti: Një vërejtje kisha unë. Jo për ty, jo, por për median. Ajo duhet të jetë më e kujdesshme në dhënien e lajmit!

Antena: Për ç'rast e keni llafin? Në gazetën tonë mund ta thoni pa problem, shqetësimin tuaj!

Analisti: Po ja p.sh.! Vetë shoku Kryeministër pyeti një pronar hoteli, te Panairi i Punës. - Si të shkon biznesi? - i tha.

Antena: Po, po, më kujtohet edhe mua ky çast.

Analisti: Po si nuk i vjen turp medias! Mirë thotë Kryeministri, kur e cilëson "Media e Kazanit". A janë në vete këta kryeredaktorët e lajmeve?

Antena: Qetësohuni, ju lutem dhe...!

Analisti: Po si mund të transmetohet një bashkëllafosje e tillë në lajme?! E dëgjove përgjigjen e sinqertë të atij pronarit të hotelit?

Antena: Nuk e mbaj mend, a e dëgjova apo po.

Analisti: Ja, ta them unë. Ky pronari u përgjigj se, shumë vetë kishin aplikuar për punë te hoteli i tij. Mirë këtë, por pa të keq shtoi se, kemi problem me rrugën.

Antena: Po mirë ka thënë! I duhet rruga, se ka investuar. Si t'i nxjerrë paratë ai?!

Analisti: Nuk më intereson mua, se si do i nxjerrë paratë ai. Unë di të them që me atë përgjigje, ai ka fyer rëndë Kryeministrin. Si more paskan aplikuar njerëzit për të punuar te hoteli i këtij?! Kanë aplikuar të huaj, se shqiptarët siç ka thënë Kryeministri, janë dembelë dhe nuk duan të punojnë. Unë kam një thirrje publike për qeverinë!

Antena: Bëjeni sa me parë, se po më grijnë zorrët për të ngrënë!

Analisti: Qeveria duhet të shtojë kontrollet në pikat kufitare! Mos të lejojë të huaj që vijnë dhe punojnë gjatë sezonit turistik.

Antena: Po për çështjen e rrugëve që duhet t'ju bëjë qeveria, a keni ndonjë thirrje?

Analisti: Hiç mos t'i bëjë! Një popull dembel si yni, nuk i meriton rrugët e shtruara...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: