“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti i varur: Ulja e popullsisë së Shqipërisë, një lajm i mirë!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti i varur: Ulja e popullsisë së Shqipërisë, një lajm i mirë!
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen me një lajm të mirë. Konkurrimin e Eurovizionit, para disa ditësh, e fitoi Izraeli, shtet i cili, këtë vit, feston 70-vjetorin e krijimit. Kjo ngjarje, për këtë vend europian, përbën atë që në gazetari dhe kulinari, quhet, me të drejtë, "qershia mbi tortë".

Themi lajm i mirë, pasi këngëtarja që këndoi për këtë vend, ishte pak si e shëndoshë. Që këtej e tutje, kanë shans që në skenë të ngjiten dhe të dalin fituese edhe bullafiqet, jo vetëm femrat që mbajnë dietë, ose bëjnë operacione pa fund, me lekët e të dashurit të radhës.

E meqë ra llafi te qershia. Antena jonë bisedoi me analistin e tij, i cili, këto ditë, ka filluar një kurë dobësimi, me përmbajtje kryesisht qershinë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Ku keni qenë këto ditë?

Analisti: Jam kënaqur! Kam qenë në një pulari.

Antena: Në pulari? Ç'kërkonit aty? Dëgjoja kakarisjen e pulave. Kokoo-roko. Ishin magjike! Aty kuptova se përse në Eurovizion, çmimin e parë ia dhanë asaj vajzës që bënte si pulë.

Antena: Besoj se jeni në dijeni të ngjarjeve më të fundit. E keni marrë vesh besoj, që ka dalë një video, për vëllain e shokut Fatmir Xhafaj.

Analisti: Sigurisht që e kam marrë. Aty duket qartë që i afti dhe i zoti, nuk mbeten kurrë pa punë. Jo më kot, shoku Kryeministër ka thënë në krye të herës që, zanati nuk të lë kurrë pa punë dhe populli duhet t'i kthejë sytë nga zanatet, sidomos i skafistit.

Antena: Meqë ra llafi te populli. OKB-ja ka parashikuar që, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100, të jetë aty te 1.75 milionë banorë, nëse kemi fat, ose 850 mijë banorë, nëse jemi pa fat. Ju...?

Analisti: Unë shpresoj që të jemi pa fat.

Antena: Pra, shpresoni që Shqipëria të ketë vetëm 850 mijë banorë? Dhe ju këtë gjë, e quani fat për vendin?!

Analisti: Sigurisht që e quaj fat, madje të madh. Meqë s'kemi fat tjetër. E ku ka më mirë se në vend, të ketë pak vetë. Imagjino, në Shqipëri do jetojnë, përgjithësisht, vetëm ata me lekë.

Antena: Na i shpjegoni, ju lutem, këtë ide!

Analisti: Nëse popullsia do të bjerë, kjo tregon që fëmijë do të lindin vetëm ata që kanë mundësi ekonomike, ose ata të varfër që do lindin nga pakujdesia. Pra, rrjedhimisht, nuk do ketë shumë fëmijë që do vuajnë. As fëmijë që do të lypin rrugëve, nuk do të ketë shumë. S'do ketë as kryebashkiak që bën teatër me fëmijët që rrinë rrugëve. Pra, s'do ketë shumë hipokrizi politike, si tani. Më kupton?

Antena: Ju kuptoj pak. Po tjetër, cilat janë të mirat e ...?

Analisti: Do ketë më pak vende pune në administratë. Kjo do të thotë që, ata që do jetojnë në vitin 2100, nuk do ia kenë shumë nevojën partisë, që t'i fusë në punë në administratën shtetërore. Pra, për ta thënë ndryshe, nuk do ketë shumë shqiptarë që do t’i servilosen partive, për një vend pune. Besoj!

Antena: Pra, ju mendoni që ulja e populls...?

Analisti: Imagjino një vend me 850 mijë njerëz! Shqiptarët, atëherë, do kenë fatin të thithin më shumë ajër. Sigurisht, me të pastër se ç'është tani. Në rrugë do ketë më pak makina. Do ketë më shumë parqe. Besoj!

Antena: Këtë nuk e besoj. Si do ketë më shumë parqe?!

Analisti: As unë nuk e besoj, por le të themi që, do ketë më shumë. Nuk na kushton gjë, që ta themi. Se mos do na lexojë njeri në vitin 2100! Të shpresojmë që, koha të ketë shkatërruar shumë pallate e në vend të tyre të jenë mbjellë pemë.

Antena: Shqiptarët të mbjellin pemë në vend të pallateve?! Po çfarë thoni kështu! Unë njoh të pasur që edhe vilën që bëjnë, e bëjnë pa oborr. Nuk e besoj që pas 80 vjetësh kjo gjë, do të ndryshojë.

Analisti: As unë nuk e besoj, po le të themi që kështu do jetë. Se mos do na lexojë njeri neve, pas 80 vjetësh. Atëherë, të shpresojmë që të ketë erë dhe pemët të mbillen vetë.

Antena: Si të mbillen vetë? Nuk ju kuptoj.

Analisti: Vetë, pra. Fara të shkëputet nga ndonjë pemë që ka mbetur pa u prerë dhe me anë të erës, ajo të bjerë në tokë.

Antena: Atëherë, le të lutemi që të ketë erë!

Analisti: Shpresoj që të ketë, por jo shumë erë. Se ndryshe do rrëzohen shumica e pallateve të ndërtuara gjatë pluralizmit. Ato mezi qëndrojnë në këmbë tani, jo më pas 80 vjetësh...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: