“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti i pavarur: E vërteta me palestrat e shokut Erion Veliaj

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti i pavarur: E vërteta me palestrat e shokut Erion Veliaj
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen me një lajm të mirë. Gazeta “RD” kishte botuar para dy ditësh në faqen e saj një foto të një stadiumi më Turqi, për të treguar që ky alamet stadiumi, kushtonte më lirë se ai që po ndërtohet në Tiranë. Themi lajm i mirë, pasi tashmë që kjo gazetë ka filluar të botojë gjëra sportive, jemi të bindur që së shpejti do botojë edhe aferën me fushat e klubit Partizani, të bërë kur PD ishte në pushtet. E meqë ra llafi te sporti:

Ne biseduam me analistin tonë të varur, i cili më shumë na foli për një ngjarje sportive.

Ja bashkëllafosja e bërë më të:

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Më dëgjoni!

Analisti: Po, po, megjithëse ka zhurmë. Kam hapur autoparlantin e telefonit, ndaj po të dëgjoj.

Antena: Ku jeni tani? A mundet të na analizoni disa ngjarje të ditëve të fundit?

Analisti: Cilat ngjarje, p.sh? Apo i do të gjitha? Gati jam!

Antena: Po ja, këtë dëgjesën që bën Kryeministri me njerëzit. Si ka mundësi që këto takime zhvillohen në orën 5 pasdite?! Në këtë orë, punonjësit e fasonerive p.sh., janë akoma në punë, se punojnë mbi 9 orë në ditë. Edhe punonjësit e ndërtimit e lënë punën në orën 4, pasdite. Si arrijnë të shkojnë në orën 5 në takime?! Mua më duket ...

Analisti: Siç duket shkojnë shpejt. Do ketë bërë tramin, Luli e nuk e kemi marrë vesh! Ose do jenë bërë të njerëzishëm pronarët dhe i lejojnë punonjësit e tyre që të ikin shpjet nga puna. Nuk kam tjetër argument shterues. Nuk besoj se në këto takime shkojnë punonjësit e administratës, apo të papunët.

Antena: Përse mendoni se në këto takime nuk shkojnë të papunët?

Analisti: Nuk shkojnë ata, jo! Ju vjen rëndë që të tregojnë fytyrën para kamerave, që janë dembelë. Ndërkohë që punë ka plot, ata rrinë nëpër kafene dhe takime politiko-ekonomike.

Antena: Edhe këtë herë po dëgjoj zhurmë. Ku jeni tani, shoku analist?

Analisti: Jam në palestër! Nuk jam brenda, por 100 metra jashtë saj.

Antena: Ju lumtë që merreni me sport! Këto 100 metrat që ju kanë mbetur, derisa të hyni në palestër, bëjini duke na analizuar ngjarjet, ju lutem! A mundeni?

Analisti: Ç'e ke këtë pyetje mor burrë! Unë kam bërë analizë të ndryshme në tre televizione në të njëjtën kohë, jo mos të  bëj një analizë për një vit.

Antena: Nuk thashë për një vit. E kisha llafin gjatë kohës që do hyni në palestër.

Analisti: Pas një viti hyj në palestër unë, ndaj thashë "për një vit".

Antena: Si hyni pas një viti?! Mos jeni gjë sëmurë nga këmbët dhe ju duhet një vit që të bëni largësinë prej 100 metrash, nga aty ku jeni, deri në palestër?

Analisti: Nga shëndeti jam top. Kështu ma nxori edhe check-up (i) që kreva para disa ditësh. Ka shumë njerëz përpara meje, e besoj se pas një viti më vjen radha.

Antena: Po më vjen mirë që ka shumë njerëz! Kjo tregon që njerëzit i kushtojnë vëmendje shëndetit të tyre.

Analisti: Po ça thua, o derman! Unë rri këtu në pisk të vapës, ty të vjen mirë. Nga vajta dhe dëgjova shokun Erion Veliaj, unë! Atij vetëm shoku Arbër Mazniku ia kalon për llafe.

Antena: Ç'punë ka shoku Erion në këtë mes?!

Analisti: Po kush ka?! A tha ai që prindërit të sjellin fëmijët në palestrat e shkollave, pasi janë bërë 62 të tillë? Edhe unë solla djalin që kam në shkollë. Si puna ime kanë sjellë edhe prindërit e tjerë. Vitin tjetër më vjen radha mua, që të futem. Antena: Tani ju kuptova disi, shoku analist!

Analisti: A të të bëj një llogari të thjeshtë unë? Janë mbi 240 mijë nxënës në Tiranë. Janë vetëm 62 palestra. Pra, një palestër për 4 mijë nxënës... Nejse, se po i them djalit të ulet dhe të presë radhën, se s'mundet të rrijë dot në këmbë.

Antena: Uroj që t'ju vijë radha sa me shpejt, shoku analist!

Analisti: Në mos vitin tjetër kur janë zgjedhjet lokale, në zgjedhjet e përgjithshme do më vijë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: