"Antena Jashtë Familjes" feston 200- herorin e botimit, me shoqet Lindita, Elisa dhe sh. Zhani

Publicitet
"Antena Jashtë Familjes" feston 200- herorin e botimit, me shoqet Lindita, Elisa dhe sh. Zhani
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Gazeta britanike FT, ka bërë të njohur vendet dyshuese ndaj anëtarësimit të vendit tonë në BE. Këto vende janë Holanda, Franca dhe Gjermania.

Themi lajm i mirë pasi, tani që ne morëm vesh se, kush na shikon me dyshim, e dimë nga do e kemi të keqen dhe kemi mundësi të marrim masat tona dhe të kundërveprojmë fuqishëm ndaj tyre. Një nga masat është p.sh., që Holandës mos t'i marrim fare, farë kanabisi, si më parë. Problem do të mbetet gjetja e gjuhës së përbashkët me dy vendet e tjera, por mendojmë se, deri në qershorin e këtij viti, ka plot kohë që t'i bindim për gabimin e tyre.

E në mos nuk arrijmë t'jua mbushim mendjen këtë qershor, kemi plot qershore përpara.

E meqë ra llafi te koha. Siç është zakon në media, gjatë një dite të shënuar, bëhet përmbledhja e materialeve që janë publikuar më parë.

Duke qenë se rubrika jonë, sot mbush numrin 200 të botimeve të saj, kemi mbledhur disa gjëra të shkurtra:

Analisti ynë i varur p.sh., në një nga botimet tona, na shpjegoi lotët e shoqes Lindita Nikolla, teksa ajo fliste përpara disa mësuesve të dalluar, që po dilnin në pension.

Ai, në bashkëllafosjen e bërë me ne, na tha një tezë të çuditshme: Shoqja Lindita u përlot, sepse iu kujtua koha kur vetë ishte mësuese dhe lyhej me shkumës.

Më tej, ai shtoi: Atëherë i është dashur që të lyhej me shkumës, më shumë se me krem fytyre. Kjo ndjenjë krahasuese i ka turbulluar sytë dhe kaq është dashur që prej tyre t’i dilnin lotët.

E meqë pak në fillim ra llafi tek europianët. Para disa javësh, vendin tonë e vizitoi Presidenti i Komisionit Europian, dora vetë, Zhan Klod Junker. Ne zbuluam arsyen e vërtetë të vizitës së tij. Para se ta themi, ju bëjmë me dije dy detaje të rëndësishme të çështjes:

A) Disa ditë para kësaj vizite, Kryeministri ynë kishte folur kundër deputetit Dash Shehi. Kishte thënë që, Dashi e ka mendjen te rakia.

B) Zhan Klodi është i njohur për dashurinë e tij me pijen. Ja një pjesë nga bashkëllafosja e bërë me Zhanin, ku ai na shpjegoi arsyen e vërtetë të vizitës së tij

Junker: Deri në Bruksel, më erdhi llafi që, Edi ishte tallur me Dashin, për shkak se ai pi nja tri gota. Ndaj edhe erdha në Tiranë.

Antena jonë i tha e çuditur: Siii, ndaj erdhët? Ne kujtuam se erdhët për të na hapur bisedimet me BE-në...!

Zhani, pasi na pa ëmbëlsisht dhe ktheu gotën me verë, tha: Je në vete ti?! Ju doni e pakta 15 vjet, për t'u futur në BE! Unë erdha që të bëja qepaze Edin dhe të takoja Dashin, t'i jepja kurajë dhe ndonjë gotë!

Më pas, Zhani shtoi: "Ia di hallin Dashit të gjorë! Kushedi si është ndjerë kur i ka thënë Edi, pijanec ose pijedashës. Shpirt im e di si ndihet, kur ta thonë këtë gjë!"

Urojmë që, Zhanit t'i ketë pëlqyer vera, e cila sigurisht, ka qënë e importuar!

Antena jonë ka botuar edhe përgjigjen plot argumente, të shoqes Elisa Spiropali, lidhur me taksën e Rrugës së Kombit. Ajo, ndër të tjera, na tha:

"Tani që do vendoset trau në doganë, do krijohen radhë për pagimin e taksës, se shqiptarët nuk rrojnë dot pa krijuar radhë. Banorët pastaj, mund t'ju afrohen t'ju mbushin mendjen shoferëve, që të blejnë patatet e tyre. Lëre, se e ka menduar mirë Skënderbeu ynë! Mbaje mend po nuk u rritën shitjet e patates!"

Antena i tha: Kështu si po ma shpjegoni ju mua, hallall e pastë taksa e vendosur, shoqja Elisa!

Shoqja Elisa Spiropali na u përgjigj: Pale sa vende pune do hapen për mushkat e zonës! Kushedi sa do shitet një mushkë me samar, tani! Lëre, se e ka menduar mirë Skënderbeu ynë!"

Antena e pyeti e çuditur: Si do hapen punë për mushkat e banorëve të zonës?!

Shoqja Elisa na shpjegoi: Ata që nuk do duan të paguajnë taksën e tunelit, do duan të hipin majë mushkave, që do t’i nxjerrin në krahun tjetër të tunelit..."

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: