“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Erioni: Kalanë time, vështirë ta marrë ai "Qorri"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Erioni: Kalanë time, vështirë ta marrë ai "Qorri"
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Kryeministri Rama, para disa ditësh, ishte për një vizitë në pjesën e mbetur të qytetit të Gjirokastrës. Themi kështu pasi, sipas të dhënave që na ka spiunuar INSTAT-i, këtij qyteti i firojnë 5% e popullsisë, çdo vit.

Shpërngulja e njerëzve po e merr në qafë këtë qytet dhe, me këto ritme, pas 15 vjetësh në këtë qytet do mbetet vetëm busti i Çerçizit në Qafë të Pazarit. Banorët e saj, o shkojmë vjelin limonë në Greqi, o vijnë dhe vjelin pará në administratë në Tiranë.

E meqë ra llafi te Tirana, ne mundëm të dëgjonim bisedën e bërë midis dy heronjve të gjallë të kryeqytetit. Kryetarit dhe nënkryetarit të bashkisë.

Ja bashkëllafosja e bërë me ta.

Arbër Mazniku: Erjono, e dëgjove Ramën në Gjirokastër?

Erion Veliaj: Jo, më shau? Apo tha që nuk do më vendosë kandidat të Rilindjes për bashkinë? Edhe kjo më duhet...

Arbër Mazniku: Jo mor plak, jo!

Erion Veliaj: Nuk i dihet Arbër. Siç ka thënë edhe ai vetë: "Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!" Kushedi ç'marrëveshje bën me Saimirin, nuk ia kam shumë besën! Megjithëse kalanë time, vështirë ta marrë ai "Qorri".

Arbër Mazniku: Meqë ra llafi te kalaja, Kryeministri shkoi në Gjirokastër dhe tha që, për ta nxjerrë këtë qytet nga kriza, ka urdhëruar që të gjithë ne 99-shat, ta bëjmë dasmën në Kalanë e Gjirokastrës.

Erion Veliaj: Sa 99-sha kemi mbetur ne?

Arbër Mazniku: Cilësisht, kemi mbetur shumë.

Erion Veliaj: Nuk të pyeta për cilësinë, por për sasinë. Po unë e bëra njëherë dasmën. Prapë do ta bëj?

Arbër Mazniku: Nuk e di për ty, por...

Erion Veliaj: Mos e ka për juve të tjerët, që nuk e keni bërë dasmën në atë kala?

Arbër Mazniku: Nuk di ç'të them! Të presim e të shohim se ç'vendim do të marrë kur të vijë. Unë do t'i them që dasmën time e kam bërë në Gjirokastër.

Erion Veliaj: Ç'a thua mor plak! Kur e bërë dasmën në Gjirokastër ti, që s'e ditkam unë! Ja ta zëmë që Rama do të të besojë, po nuk do të të besojë bota.

Arbër Mazniku: Kush pyet për botën, Erjono! Të besuan ty që the se dasmën ta bëri mami, e mos të më besojnë mua, që do them se e kam bërë me lekët e mia...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: