ALARMI I TRAFIKUT DHE PASTRIMIT TË PARAVE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

ALARMI I TRAFIKUT DHE PASTRIMIT TË PARAVE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Trafiku i narkotikëve nga grupet shqiptare, zë vendin kryesor në mediat europiane sërish, pikërisht në kohën që duhet t’u mbushim mendjen vendeve anëtare, të shprehen pozitivisht për hapjen e negociatave me BE-në. Fillimisht në Spanjë, kapet një sasi prej një ton kokaine, ardhur nga Kolumbia, ku janë arrestuar dy shqiptarë, si pjesë e një bande të strukturuar të trafikut të drogës me origjinë nga Amerika Latine, drejt Europës. Së bashku me sasinë e drogës, janë sekuestruar edhe 1.5 milionë euro që ishte pagesa për transportin që kryhej me avionë çarter. Në të njëjtën kohë në Itali, kapet një tjetër sasi e madhe kanabis. Dy tonë marjuanë që vinte nga Shqipëria dhe të arrestuar sërish shtetas shqiptarë që, sipas policisë, kanë patur edhe më parë rekorde me trafikun e lëndëve narkotike. Si të mos mjaftonin këto raste, Departamenti Amerikan i Shtetit, e fut Shqipërinë për të dytin vit radhazi, në listën e vendeve ku pastrohen paratë e narkotrafikut. Pastrimi i këyre parave vjen pasi vetë institucionet shtetërorë janë të dobëta për ta luftuar si fenomen, nga lejimi i institucioneve financiare për të kaluar shuma të mëdha e jo të qarta për origjinën e tyre, dhe se këto para pastrohen lehtësisht sidomos në sektorin e ndërtimit. Kryesisht në ndërtimet në sektorin e turizmit në bregdet si dhe në lojërat e fatit.

Në fakt, kjo problematikë që lidhet si me trafikun e lëndëve narkotike, ashtu dhe përdorimin e parave të pista në ekonomi, lidhjet e krimit me politikën e më gjerë, kanë qenë të cekura gjerësisht këto vite. Debati kryesor që ka marrë vëmendjen më të madhe kohët e fundit, si në botën mediatike, ashtu dhe në debatet politike në Kuvend e më gjerë, ka qenë ai mbi krimin në vend. Jo thjesht si një çështje e rendit publik dhe mbarëvajtje e jetës normale qytetare që respekton ligjin. Por për krimin i cili tashmë është i lidhur ngushtë me politikën që përdoret prej tij dhe që vetë politika ia lehtëson aktivitetin kriminal si kompensim mbështetjeje në fushatat elektorale. Gjithë kjo krijon një situatë të rritjes së pasigurisë së qytetarit, në rrugë e mjedise publike, por dhe dështimin e strukturave shtetërore për të parandaluar krimin dhe trafikun e lëndëve narkotike. Mjafton të kujtojmë videon e shfaqur në Elbasan, ku të fortët e qytetit i bënin sfidë uniformave blu, duke ua përplasur makinën, ndërsa policia nuk kishte kurajë të reagonte ndaj tyre.

Kjo situatë që do të reflektojë dhe në shtimin e krimit ordiner nëpër rrugë, ka krijuar shqetësim qytetar dhe duhet thënë se reagimi nga kjo gjendje, ka ardhur kryesisht nga opinioni publik dhe media.  Dhe hera-herës në këtë reagim, është bashkuar edhe opozita, ndërsa ka akuzuar nga foltorja e Parlamentit. Natyrisht që mirë bën dhe ku ka shfaqje të shkeljes, abuzimit dhe rrënim të autoritetit të shtetit, duhet të reagojnë të gjithë. Por e gjithë kjo, duket si reagim frikacakësh.

Krimi dhe bota rreth tij, nuk u shpik apo u shfaq sot. Ajo ka qenë aty dhe në aktivitetin e saj, nuk njeh ngjyra partiake, por realizim fitimi të shpejtë. Ndaj dhe ndërsa komentet e ambasadorit amerikan apo të ndonjë institucioni tjetër ndërkombëtar, flasin për rritje të rrezikshmërisë së krimit ne vend, se ka katër klane mafioze dhe 20 familje në botën e krimit. Kjo dëshmon se, ky realitet është përftuar pas një periudhe relativisht të gjatë, ku të gjitha palët politike, ose kanë mbyllur sytë, ose i kanë përdorur herë pas here në luftën e tyre ndaj kundërshtarëve politikë. Lidhja me krimin dhe përdorja e tij pra, nuk ka një krah të përcaktuar. Me krimin është bërë pis e gjithë klasa politike që, për shërbimet e marra, ka mbyllur sytë ndaj aktiviteteve kriminale që kanë sjellë pasurimin dhe fuqizimin e këtyre klaneve apo familjeve.

Forca e krimit nuk varet nga sjelljet në rrugë ndaj policit, por nga fuqia ekonomike që arrin të grumbullojë. Kapot nuk bëjnë skena rrugësh, por bëjnë marrëveshje për të investuar sërish paratë në tryeza të shtrenjta, ku jo rrallë gjenden politikanë nga të dy krahët. Krimi dhe korrupsioni është shndërruar në një binom bashkekzistencë e nëse duhet goditur njëri, atëherë i ke në shënjestër të dyja këto dukuri, për të cilat, të gjitha institucionet europiane, na rekomandojnë t’i luftojmë me forcë: Kriminalitetin dhe korrupsionin. Ndaj dhe qasja që i bën vetë opozita problemit të rritjes së kriminalitetit, duket apatike dhe jo e sinqertë. Duke u marrë me krimin e rrugës, por jo me thelbin e problemit, të duket sikur do të hapë dhe vetë një shteg për të përdorur dhe ajo botën e krimit nëse shihet se balancat e pushtetit mund të ofrohen drejt opozitës së sotme. Në këtë rast, vetë krimi vetëafrohet për bashkëpunim.

Vite më parë, shkrirja e strukturës së Task Forcës në Prokurorinë e Tiranës, u kritikua rëndë nga ambasada amerikane dhe BE-së. Jo thjesht se për prokurorët e gjykatësit në fjalë, ishin harxhuar fonde për specializim, fonde të cilat rezultuan se vajtën dëm, por dhe për faktin se si strukturë e specializuar, po operonte kryesisht në krimin ekonomik. Dhe ku është krimi ekonomik, ndodhet vetë krimi i rrugës, i trafiqeve, i korrupsionit dhe më gjerë. E gjithë klasa politike, heshti në atë rast. Dhe të djathtët, sot në opozitë, e cilësuan si diçka të tepërt e të pavlefshme. Ndërsa sot, na duhen dëshpërimisht masa ekstreme për të shpëtuar nga molepsja e gjerë. Vetingu është veç një pjesë për të filluar dhe SPAK, një vijimësi. Pasi nuk duhet të harrojmë që, krimi u ngjit në parlament, porse ende e kemi të instaluar fort në ekonomi, në ndërtim e në çdo sektor. Ka shumë për të bërë, por gjithsesi ai nuk mund të luftohet pa një vullnet politik të përgjithshëm, ku krimi nuk është pjesë e vetëm njërës palë. Ajo ka qenë e të gjithëve bashkë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: