Akuza e Igli Tares: Ndeshjet në Shqipëri vendosen në tavolinë

Akuza e Igli Tares: Ndeshjet në Shqipëri vendosen në tavolinë
Igli Tare, drejtori sportiv i Lazio, lëshon akuza mbi ecurinë e kampionatit tonë

Ka pasur akuza dhe kundër akuza në Shqipëri, në çdo fund sezoni  për rezultate të fiksuara apo për përcaktim në tavolinë të ndeshjeve të kampionatit.

Drejtori sportiv i Lazio, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, thotë se fatet e kampionatit shqiptar vendosen në tavolinë.

“Ndeshjet e kampionatit shqiptar në dy muajt e fundit janë të vendosura në tavolina për interesa të ndryshme, qoftë edhe politike. Kjo është ajo fatkeqësia e madhe”, u shpreh Tare, i cili thotë se e ndjek atë në distancë, por që nga ecuria i duket ndonjëherë një fatkeqësi për mënyrën e ecurisë dhe përfundimin e kampionatit tonë.

Po ashtu Igli Tare foli edhe mbi mentalitetin e dobët që karakterizon futbollin tonë.

Megjithatë ai vë në dukje se ka lojtarë të talentuar.

Njëri prej tyre është Kristal Abazaj, i cili me ndihmën e Igli Tares u transferua te Anderlekt në Belgjikë.

Tare konfirmon se Abazaj në një të ardhme mund të bëhet edhe pjesë e kampionatit italian apo anglez.

Lidhur me ndonjë bashkëpunim mes ekipeve italiane dhe atyre shqiptare, Igli Tare thotë se kjo është gjë e pamundur, pasi “kemi të bëjmë me dy botë të ndryshme”.

Tare e mbylli karrierën te Lacio dhe vazhdon të jetë drejtor sportiv i këtij klubi, që këtë sezon ndodhet në zonën Champions.

Gjatë karrierës së tij Igli Tare ka ftuar disa lojtarë të Kombëtares sonë në Itali, të tillë si Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, por asnjëri prej tyre nuk ka luajtur në kampionatin shqiptar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: