Aktiviteti fizik, sa i rëndësishëm është në jetën tonë

Aktiviteti fizik, sa i rëndësishëm është në jetën tonë
Ekspertët tregojnë se sa minuta në ditë duhet të kryejnë ushtrime dhe lëvizje, si fëmijët ashtu edhe të rriturit. Ecja ose lëvizja e shpeshtë ndikojnë në shëndet, duke filluar nga sëmundjet kronike, ashtu edhe tek ato akute

Sonila Isaku

“Bëhu aktiv – mbro shëndetin tënd!”, kjo është motoja e këtij viti, e ditës botërore të Aktivitetit Fizik. Qëllimi i kësaj dite, është rritja e vëmendjes dhe e njohurive të publikut, në lidhje me dobinë që sjell aktiviteti fizik në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme. Dita e Botërore e Promovimit të Aktivitetit Fizik, i referohet aktivitetit fizik të moderuar deri në intensiv, të çfarëdo lloji, që çdo njeri mund ta realizojë kudo, me qëllim përmirësimin e shëndetit.

Aktiviteti fizik

Sipas OBSH-së, aktivitet fizik quhet çdo lëvizje trupore e prodhuar nga muskujt, që kërkon shpenzime të energjisë, përfshirë këtu aktivitetet e ndërmarra gjatë punës, lojës, kryerjes së punëve shtëpiake, udhëtimit dhe angazhimit në aktivitete krijuese. Termi aktivitet fizik nuk duhet të ngatërrohet me stërvitjen, e cila është një nënkategori e aktivitetit fizik. Por, sa aktivitet fizik duhet të kryhet sipas moshave, duke filluar nga më të vegjlit, deri te të rriturit.

Adoleshentët

Fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5 – 17 vjeç, duhet të kryejnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik të moderuar në intensiv, në ditë. Duhet të përfshihen në aktivitete që forcojnë muskujt dhe kockat, të paktën 3 herë në javë.

Të rriturit 18 – 64 vjeç

Të rriturit e moshës aktive që i përkasin asaj nga 18 deri në 65 vjeç, duhet të bëjnë, të paktën, 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar gjatë gjithë javës, ose të paktën 75 minuta aktivitet fizik intensiv gjatë gjithë javës, ose një kombinim të të dyjave. Aktivitetet për forcimin e muskujve duhet të bëhen, duke përfshirë grupe të mëdha të muskujve, në dy ose më shumë ditë në javë.

Mbi 65 vjeç

Personat mbi 65 vjeç, duhet të kryejnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar, gjatë gjithë javës, ose të paktën 75 minuta aktivitet fizik intensiv gjatë gjithë javës, ose një kombinim të të dyjave. Për të patur më shumë përfitime në shëndet, të moshuarit duhet të rrisin aktivitetin fizik me intensitet të moderuar në 300 minuta në javë. Të moshuarit me lëvizshmëri të ulët, duhet të kryejnë aktivitet fizik 3 ose më shumë ditë të javës për të rritur ekuilibrin dhe për të parandaluar rrëzimet. Aktivitetet për forcimin e muskujve, duhet të bëhen dy ose më shumë ditë të javës, duke përfshirë grupe të mëdha të muskujve.

Intensiteti i formave të ndryshme të aktivitetit fizik, ndryshon në varësi të njerëzve. Për të qenë i dobishëm për shëndetin, të gjitha aktivitetet duhet të kryhen në periudha kohore të paktën prej 10 minutash.

Përfitimet e aktivitetit fizik

Aktiviteti fizik i rregullt me intensitet të moderuar si ecje, çiklizëm ose disa lloje sportesh, ka përfitime të rëndësishme për shëndetin. Për të gjitha moshat, përfitimet nga të qenët fizikisht aktiv, janë më të mëdha se dëmet e mundshme. Pak aktivitet fizik, është më mirë sesa aspak. Duke u bërë më aktiv gjatë gjithë ditës, në mënyra relativisht të thjeshta, njerëzit mund të arrijnë mjaft lehtë nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik.

Aktiviteti fizik i rregullt përmirëson gjendjen e muskujve dhe frymëmarrjen, si dhe përmirëson e forcon eshtrat. Po kështu, kryerja e aktivitetit fizik zvogëlon rrezikun e hipertensionit, të sëmundjeve koronare të zemrës, diabetin, disa lloje kanceri (duke përfshirë kancerin e gjirit dhe kancerin e zorrës së trashë), si dhe depresionin. Duke ditur se, rrëzimet te të moshuarit janë një nga shkaktarët kryesorë të humbjes së jetës, ekspertët këshillojnë kryerjen e aktivitetit fizik, pasi zvogëlon rrezikun e rrëzimeve.

Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm, është një ndër faktorët kryesorë të rrezikut për vdekshmërinë globale.

Rëndësia

Aktiviteti fizik ka mjaft efekte përfituese në drejtim të shëndetit, pavarësisht nga mosha. Njerëzit të cilët bëjnë jetë të shëndetshme dhe përfshihen rregullisht në ushtrime, kanë më pak mundësi të zhvillojnë sëmundje kronike, duke përmendur këtu diabetin joinsulin vartës, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet tumorale ose sëmundjet mendore. Gjithashtu, personat me aktivitet fizik ditor permanent, mund të ruajnë peshë trupore në normat e lejuara, po të krahasohen me personat më pak aktivë. Mënyra aktuale e jetesës kërkon aktivitet më të pakët fizik, si pasojë e rritjes së përdorimit të makinave, televizorit dhe aktivitetit të pakët fizik në shtëpi, për shkak të modernizimit të aparaturave elektrike. Kësaj i shtohen edhe zakone të tjera të mënyrës së jetesës (si pirja e duhanit), shtimi i peshës, të cilat kontribuojnë në rritjen e rrezikut ndaj sëmundjeve kronike. Është tepër e rëndësishme që, dieta e shëndetshme të kombinohet me aktivitet fizik ditor të nevojshëm, për të minimizuar jetën sedentare, që është një faktor risku i zakonshëm për shumë sëmundje kronike. Rekomandohen ushtrimet e përditshme, ecja, vrapimi, kërcimi, noti etj. Njerëzit të cilët kanë futur në rutinën e tyre skemën e ushtrimeve, kanë përmirësime të mirëqenies fiziologjike dhe psikologjike.

 

Fakte kryesore

  • Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është ndër faktorët kryesorë të rrezikut për vdekshmërinë në mbarë botën.
  • Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm shton rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet jo të transmetueshme, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe diabeti.
  • Aktiviteti fizik kontribuon në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme.
  • Globalisht, 1 në 4 të rritur nuk është aktiv sa duhet.
  • Më shumë se 80% e adoleshentëve në botë, nuk janë fizikisht aktivë sa duhet.

 

Përfitimet shëndetësore nga aktiviteti fizik

- ndihmon në mbajtjen e një peshe normale;

- përmirëson mirëqenien psikologjike;

- përmirëson shëndetin muskulo-skeletor, si dhe parandalon osteoporozën;

- zvogëlon rrezikun nga kolesteroli i lartë;

- presioni i lartë i gjakut;

- diabeti i tipit 2;

- sëmundjet e zemrës dhe goditjet e trurit;

- disa lloje kanceri, si kanceri i gjirit dhe ai i zorrëve;

- depresioni.

 

Këshilla për gjithë familjen

Shiheni aktivitetin fizik si një mundësi dhe jo si pengesë.

Bëhuni aktiv çdo ditë, në mënyra të ndryshme, aq sa mundeni.

Shfrytëzoni çdo mundësi të vogël për të qenë aktivë, p.sh., përdorni shkallët në vend të ashensorit, ose kryeni punë ku të përfshiheni fizikisht.

Mos përdorni makinën, por ecni, përdorni biçikletën, transportin publik dhe shkallët.

Zvogëloni kohën e qëndrimit ulur për një kohë të gjatë, si në shtëpi edhe në punë. Përdorni kohën e pushimit për të lëvizur.

Regjistrohuni në palestër ose vraponi në park.

Inkurajoni fëmijët të merren me sport, në mënyrë që të zvogëlojnë kohën ulur.

Bëhuni modeli pozitiv në familje, duke u angazhuar në aktivitete sportive dhe limitoni kohën para ekranit.

Fikni televizorin ose kompjuterin dhe përfshihuni në lojëra me fëmijët.

Bëhuni krijues në kohën e lirë dhe pjesëmarrës në aktivitete fizike, si familje.

Ecni dhe dilni me biçikletë me fëmijët, bëni zgjedhjen e shëndetshme.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: