Aishe Stari, aktorja që e shpërthente spektatorin në të qeshura ende pa folur

Publicitet
Publicitet
Aishe Stari, aktorja që e shpërthente spektatorin në të qeshura ende pa folur
PORTRET/ Aktorja njohur e estradës së Durrësit, “Artistja e Merituar”, me 40 vjet në skenë dhe plot 200 role humori. Mjaft pikante në zhanrin komik. Për tetë vjet me radhë, edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë

Vetëm nga plastika e fytyrës dhe mënyra e të ecurit të saj, spektatori shpërthente në të qeshura ende pa folur. Kjo ka qenë Aishe Stari, por mund të themi se është edhe sot, sepse bën pjesë në ato aktore, të cilat ende nuk rreshtin së dëshiruari  që të jenë përsëri në skenë. Jo shumë larg, por vetëm dy vite më parë, pra në moshën 76-vjeçare, ajo u ngjit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit me shfaqjen “Princesha mbi bizele”, ku interpretoi rolin që i shkon më shumë për shtat karrierës së saj, atë të mbretëreshës. Ajo që e ka bërë gjithmonë të dallohet?Impakti i menjëhershëm me publikun. Me mbi 200 role humori dhe 40 vjet në skenë, Aishe Stari e ka përjetuar aktrimin në çdo lloj gjinie, si ajrin e detit, që e ndihmoi të ecë përpara duke mos bërë dallim. Skena, humori dhe vazhdimësia e të bërit art ka bërë që Aishja të mbetet ende e re dhe plot dinamizëm në interpretime, por edhe në jetë...

Nga Albert Zholi

Aishe Stari, një nga aktoret më simpatike të trupës së estradës së Durrësit, por dhe në mbarë vendin. E lindur në qytetin bregdetar, më 21 maj 1940, ajo kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës, në periudhën e  viteve 1960-1964. Pas përfundimit të tyre filloi punë në Estradën profesioniste të Durrësit, teksa në veprimtarinë e saj artistike është dalluar për rolet pikante të zhanrit komik. Kujtojmë se vitet 1960-1990 ishin ato kur Estrada e Durrësit ishte një nga më të mirat në vend dhe turnetë e saj në Shqipëri priteshin  me shumë interes. Përmes saj, Aishja luajti mjaft role në zhanre e lloje të ndryshme të teatrit të estradës, si në komedi, skeçe, monologe, dialogje, pantomime, kuplete dhe parodi. Në vitet 1965-1985 luajti dhe disa role karakteri në kinematografi, të cilat edhe pse role jo kryesore kanë mbetur të veçanta në memorien e spektatorit shqiptar. Ndërsa pas viteve ’90, ajo spikati në interpretimin e përrallave në disa radio dhe televizione private. E vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar”, ajo ruan ende energji dhe një kujtesë të fortë.

Arsimimi dhe fillesat e profesionit

Kur ishte fëmijë kishte shumë dëshirë të shikonte filma dhe të dëgjonte në radio, përrallat apo radio-dramatizimet. Në shtëpi, kur ishte vetëm, interpretonte role të ndryshme, që i shihte në filma, apo i dëgjonte në radio. E dashuronte me tërë qenien e saj aktrimin dhe sa herë gjente kohe improvizonte interpretime rolesh. Dhe dëshira e saj u realizua kur fitoi të drejtën e studimit  në Institutin e Arteve në vitin 1962. Konkurroi me iniciativë, bëri përgatitje individuale vetëm duke këmbëngulur tek familja, se rruga e jetës së saj ishte aktrimi. Atë kohë ishte shumë e vështirë, të konkurroje për aktrim. Duheshin thyer tabutë e kohës. Femra nuk kishte kaq liri sa sot, nuk kishte kaq hapësira, aq më tepër në profesione të tilla, ajo ishte e paragjykuar. Ishin të pakta femrat në atë kohë që merreshin me art. Madje, edhe shumë familje i ndalonin vajzat për të konkurruar për aktrim. Por Aishja ishte me fat, pasi prindërit i besuan fjalës, aftësisë dhe sigurisë së saj. Rast i veçantë për kohën. Familjet kishin prirje patriarkale në ato kohë dhe femra shihej vetëm brenda katër mureve të shtëpisë. Por koha bëri të vetën dhe dalëngadalë femra filloi të emancipohej dhe të zërë një vend të caktuar në shoqëri. Kështu ndodhi dhe me Aishen, me dëshirën dhe kërkesat që ajo kishte për jetën. Me këtë vizion, ajo doli mbi fanatizmin e kohës, duke u bërë ndër femrat e pakta që konkurruan për aktrim. Pikërisht, në Institutin e Lartë të Arteve, pedagogët duke parë aftësitë dhe cilësitë e saj, e kanë aktivizuar në shumë raste. Vitet e Institutit ishin vitet që sollën njohjen dhe përshtatjen e saj me skenën. Më vonë, pas përfundimit të studimeve, u vendos në Estradën e Durrësit, prej së cilës nuk u largua kurrë si aktore profesioniste.

Në Estradën e Durrësit dhe filmografi

Në këtë institucion të artit durrsak, Aishja punoi mbi 30 vjet. Një punë titanike, ku të gjithë aktorët kanë punuar në mënyrë shumë korrekte edhe profesionale. Durrësi ka pasur dhe ka aktorë shumë të mirë. Në atë institucion të humorit, ndër më të mirët në Shqipëri ata ishin si një familje, ku të gjithë e kanë ndihmuar njëri-tjetrin pa xhelozi, por me dashuri e sinqeritet. Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Roland Koça ishin, janë dhe do të mbeten ndër aktorët më të mirë shqiptar për të gjitha kohërat. Ata ishin të gjithë aktorë të humorit që spektatori shqiptar i ka pritur me dashuri dhe nuk ua ka kursyer kurrë duartrokitjet, pasi me atë lloj arti, ata hiqnin një pjesë të stresit e halleve prej varfërisë që kishte sistemi. Estrada e Durrësit kishte në atë kohë një veprimtari të ngjeshur dhe produktive. Gjithë suksesi i punës së këtyre personaliteteve të artit shqiptar në Durrës ishte mbi të gjitha se ata ishin dhe janë miq të mirë, në punë, në jetë në miqësi dhe marrëdhëniet familjare. Por atëherë, duhet thënë se bëhej art. Gabimi ishte i pafalshëm, zhargonet as nuk mund t’i imagjinoje, veprimet jo aktoreske as mund t’i paramendoje. Vërtet ishte e vështirë të bëheshe aktor në atë periudhë. Dhe kjo, pasi gabimi nuk mund të korrigjohej. Por ky profesion ka dhe shumë kufizime jetësore. Duhet të qeshësh edhe kur ke probleme familjare, apo dhimbje. Arti i përjashton këto momente. Në skenë duhet të jesh i freskët, i qeshur, i motivuar. Është një profesion i vështirë e i lodhshëm, pasi duhet të harrosh gjithçka kur je në skenë e të përqendrohesh tek personazhi artistik që interpreton. Për vetë faktin se banonte në Durrës dhe ishte pranë estradës së qytetit, Aishja kishte angazhime të shumta në këtë estradë. Koha ishte e ngjeshur me veprimtari, që nuk mund të shkëputej gjatë për filma. Dhe megjithëse ka realizuar disa filma dhe drama, jeta e saj ishte e lidhur me estradën. Atëherë ishte detyrë që në estradë të jepeshin 5 premiera në vit, pra mbi 150 premiera. Por gjithsesi, edhe filmi ka qenë në preferencat e saj. Por, për arsyet e mësipërme u angazhua më shumë me trupën profesioniste të estradës, e cila kishte një aktivitet të gjerë kulturor dhe i jepte mundësinë të shprehte talentin e saj. Gjithsesi, secila gjini ka rëndësinë e vet, por për të aktrimi në çdo lloj gjinie është si ajri i detit që e ndihmoi të ecë përpara duke mos bërë dallime. Nuk refuzoi role dhe në filma, të cilët dhe pse të paktë në numër, kanë lënë gjurmë jo të pakta.

Të veçantat si aktore

Në portretin e saj tek “Aktorët shqiptarë” gjejmë këtë portretizim rreth figurës së saj si aktore: “Hijeshia skenike, lirshmëria, plasticiteti i lëvizjes, forca imituese, nuri dhe bukuria, dhuntitë për te shëmbëllyer tipa e karaktere të larmishme nga shtresat e gjera popullore ishin disa nga cilësitë e shprehura autoriale të saj. Në larushinë e figurave komike që krijoi në mbi 40 vjet karriere të suksesshme përfshiheshin rëndom tipa grash llafazane, fshatare disi të vrazhda e të trasha që ndjekin interesin e tyre të ngushtë, sikundër edhe figura të moshuarash e plakash të mençura, ngacmuese e shpotitëse, vajza të llastuara, zyrtare të rrepta, militante partiake etj. Aishe Stari ka mbajtur për një kohe të gjatë edhe emisionin radiofonik të përrallave për fëmijë, si interpretuese kryesore, ku spikati talenti i saj i veçantë për të krijuar nëpërmjet imitimit një galeri personazhesh nga bota e animuar e kafshëve apo tip atë llojllojshëm në profesione, në mosha, në sekse, në të folmet e ndryshme krahinore”. Por siç u tha edhe më lart, nga preferencat e viteve të fundit kanë qenë emisionet për fëmijë në disa televizione lokale. Kjo risi erdhi, pasi fëmijët i ka dashur në mënyrë të vërtetë dhe vërtet shumë. Të gjithë jemi rritur me përrallat e gjysheve dhe nënave tona dhe në kushtet e mediave të fuqishme vizive, argëtimi i tyre duhej të rritet në cilësi, por dhe në kohë. Këtë u mundua të bënte dhe Aishja.

 

Për Aishen, koha nuk i lejon pengjet

Në rrugëtimin e tij, çdo artist ka pengje, por për Aishen koha sikur nuk i lejon pengjet. Artisti mbetet artist. Dhe si shpirt artisti, Aishe Stari ka qenë gjithmonë në riprodhim të ideve dhe personazheve,  e me këmbënguljen, punën e talentin e saj, ka realizuar gjithçka që ka dashur. Ajo beson gjithsesi, se ndonjë peng do ta realizojë deri sa të vazhdojë të punojë. Beson shumë te demokracia, por ende problemet e shoqërisë, sipas saj, janë të shumta. Çdo shoqëri në fakt ka problemet e saj. Ajo që bie në sy sipas Aishes është fakti i shtimit të dhunës në familje, por dhe jashtë saj. Përpos kësaj, varfëria dhe papunësia sot janë dy probleme të tjera që vërtet të bëjnë të ndihesh keq dhe të prishin humorin. Mund të radhisim dhe të tjera, por për të, këto janë më të spikaturat. Sot sipas saj: “Femra shqiptare duhet të punojë vetë për veten. S’duhet të presë ta kapin për dore për të fituar të drejtat. Dihet që shoqëria shqiptare është shoqëri maskiliste dhe politika pak hapësira lë për femrat, ndaj ajo duhet të respektojë veten dhe të kërkojë çka i takon”. Puna në estradë dhe lidhja me njerëzit i ka dhënë asaj rini. S’ka kohë të mendojë për negativitete  dhe ta mbarsë veten me vogëlsira. Humori do gjendje të mirë shpirtërore, ndryshe nuk e bën dot. Kur hedh sytë mbrapa shikon se vërtet janë shumë vite, por kur i bie hollë lapsit, i duket sikur sapo është ngjitur në skenë. Skena e ka këtë magji, të lidh me veten dhe nuk të lë të mendosh detaje. Ajo të do në pozicione të njëjta çdo ditë dhe jo me hope. Ndaj Aishja e “fsheh” moshën dhe tregon e re në përditshmërinë e saj, edhe kur i jepet rasti të dalë në skenë.

POHIMI

“Nuk i kam numëruar asnjëherë rolet e mia”

E thotë me dhimbje që nuk i ka numëruar rolet e saj dhe që nuk ka një arkiv të saktë tw tyre në shtëpi. “Nuk i kam numëruar dhe ndoshta kam bërë gabim”, thotë Aishja. Teksa çdo vit kujton se bënin 5 premiera, ku çdo aktor luante 4 ose 5 role. Atëherë, sipas llogarive, i bie qw për mëse tri dekada Aishja të ketë realizuar rreth 200 role. Si detyrë shikonte profesionalizmin, respektimin e rolit dhe të spektatorit dhe jo numërimin. Kujtojmë se ajo kishte role kryesore në shfaqjet e njohura të estradës, të tilla si: “Kutia magjike” (1965), e përgatitur për fëmijë; “Fletërrufe” (1966); “Kalitja” (1967); “Vetjaket” dhe “Zjarr mbi thashethemet”, (1970); “Kush e ka radhën?” (1971); “Rrugë të mbarë, shoku Xhemil” (1975); “Kërkohet një dhëndër dhe “Komedi muzikore” (1978); “Kujtime të paharruara”; “Shikoje veten në pasqyrë” dhe “Në studion e televizionit” (1979); “Shih e shkruaj” (1984); “Mirëmëngjesi”! (1986), komedia “Mashtruesi”. Pas viteve ‘90 pati një tërheqje dhe u aktivizua më pak. Sidoqoftë, rivjen në skenë me “Alo Estrada” (1996)’ “DVD- 06”, (2006) dhe “Tango të Slavomir Mrozhekut” (2008), ku portretizon me mjete sarkastike personazhin e Eugjenias. Ndërkaq, përveç skenës së estradës, të teatrit dhe emisioneve të radios e televizionit, ajo ka luajtur edhe në kinematografi, me disa role të vogla, si në filmat “Udhëtim në pranverë”, “Fijet që priten”, “Fundi i marrëzive” dhe “Dashuri me krismat”.

 

DIKTATURA

Roli që iu censurua Aishes në komunizëm

Censura mbetej problemi kryesor në sistemin komunist. Edhe Aishes i ka ndodhur madje që t’i censurohej një rol. Ka qenë pikërisht një material për një shofer që shkonte në skajet e Shqipërisë dhe shoqet e ndërmarrjes i jepnin porosi të ndryshme për t’u sjellë mollë apo arra që nuk i gjenin dot në qytet. Kur i jepnin porosi, uleshin në lokalin e ndërmarrjes dhe këndonin ndonjë këngë popullore në pushim. Ky skeç u hoq, pasi s’duhej të dilte në pah që socializmi s’kishte furnizime dhe se femra shqiptare nuk ishte aq e civilizuar. Pra, ende kishte fanatizëm. Ende kishte liri të kufizuar. Dhe pse varfëri, ajo nuk duhej të dilte në pah. Nuk kishte aq mendime të hapura në një sistem, ku ideologjia ishte sunduese përpara lirisë së fjalës.

 

POLITIKA

Deputetja e dy legjislaturave, që takoi Enverin e Mehmetin

Aishja nuk e mohon faktin se ka qenë e përfshirë në politikë gjatë viteve të komunizmit. Përkundrazi, e pohon me plot gojën: “Kam qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1973-1981”. Vite të vështira për të, pasi përveç artit duhej të merrte pjesë edhe në hallet e komunitetit që përfaqësonte. Por atëherë deputeti nuk kishte privilegje si sot, përkundrazi kishte më shumë detyrime sesa të drejta. Nuk njihej fjala korrupsion apo mitmarrje. Në këto tetë vjet, madje siç ka rrëfyer ajo, ka pasur rastin të takojë edhe të gjithë udhëheqësit e lartë të asaj kohe, që nga Mehmet Shehu, deri tek Enver Hoxha. Takime këto që nuk kanë qenë “kokë më kokë” në fakt, por në prani edhe të deputetëve të tjerë. Si deputete, të gjithë thonë se Aishja ishte munduar që të ishte e përgjegjshme dhe të çonte zërin e masës në institucionet përkatëse. S’ka ndonjë nostalgji për atë sistem, por sipas saj puna kolektive e artistit ka qenë më e vlerësuar. Të gjithë ishin të aktivizuar dhe të përhapur në punë, pasi kishte shumë aktivitete. Sot, për të, për artistin dyert e punës janë të kufizuara. Estradat thuajse janë inekzistente. Besonte shumë se në demokraci për artin do hapeshin shumë dyer, por ende nuk po i shikon, thotë ajo. Mendon se demokracia do të gjente rrugë të reja për artistin, sepse është hequr censura. Por vetëm kaq. Teksa sot, censura më e madhe është mbyllja e estradave dhe teatrove nëpër qytetet e Shqipërisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: