A DO BËJË RAMA NDRYSHIME TË QEVERISË NË SHTATOR? – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

A DO BËJË RAMA NDRYSHIME TË QEVERISË NË SHTATOR? – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Janë dy ngjarje të rëndësishme, që Shqipëria pret në muajin qershor. E para është vendimi i vendeve të BE-së, për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim dhe e dyta që, drejtësia të thotë zyrtarisht, nëse është e vërtetë ose jo videoja e përgjimit për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.  Sado dhe sido që të jenë këto dy vendime, kryeministri Rama është përpara një dileme të madhe; nëse, pas pushimeve verore, duhet të bëjë ose jo ndryshime në qeveri. Ai e premtoi këtë me zë dhe figurë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së më 28 prill, teksa deklaroi:

Çfarë ndryshimesh - nëse do të jetë e nevojshme - duhet të bëjmë në qeveri në shtator? Cilët ministra, ministri apo sektorë, nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje - që jo thjesht të tregojë shifra dhe statistika, po të kenë vendin e tyre, në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin. Në fund të kësaj fushate, do të shohim, cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë të rinjtë që duhet të vijnë?”

A është e nevojshme që, Rama të bëjë ndryshime në qeveri në emër të impulseve të reja, që sa herë janë artikuluar, kurrë nuk janë justifikuar? A i intereson atij që, të shkundë qeverinë dhe partinë, pasi ia kanë shkundur mirë kundërshtarët politikë? Ka shumë gjasa që, pas rrethanave të reja të krijuara, Rama të mos e mbajë këtë premtim. Pas problemeve të deklaruara me disa vende të BE-së, por edhe përplasjeve me opozitën, lidhur me videopërgjimin e vëllait të Xhafajt, Rama duhet të ketë kafshuar buzën, për atë që nxori nga goja më 28 prill. Janë disa arsye, jo pak të forta, për këtë. Një riformatim i qeverisë në shtator, do të thotë që, Rama të krijojë artificialisht dhe pa ia kërkuar kush, një situatë të re aspak komode për të në politikë.

Afërmendsh, opozita do ta shfrytëzojë dhe të gjithë ministrat që Rama do largojë, për opozitën do të trumbetohen si fitore e saj. Nuk është çudi që, opozita të kërkojë ndjekje penale, hetime deri burgosje për ministrat e shkarkuar, me argumentin që edhe vetë Rama i pranoi akuzat e hedhura prej saj. Ndërkohë, sipas traditës, ministrat e rinj do të akuzohen po nga opozita, për “lidhje me krimin dhe abuzime me detyrën”. Në këtë situatë, nuk është çudi që, ndryshimet në qeveri t’i quajë kriza e re e madhe e qeverisë Rama.

Gjasat janë që, as Fatmir Xhafaj të mos jetë pjesë e ndryshimeve, për një mijë e një arsye. Sido që të jetë konkluzioni i videopërgjimit, ajo do të vazhdojë të quhet një kauzë e drejtë për opozitën dhe po për opozitën, Xhafaj duhet të ishte një nga të larguarit e Ramës. Por akoma më e rëndë, do të ishte situata, sikur vendet e BE-së të mos merrnin vendimin për hapjen e negociatave. Në këtë situatë, Rama do bënte autogol, nëse do bënte ndryshime në qeveri.

Nisur nga situata që mund të krijohet, kjo do të ndizte sërish një debat dhe përplasje të re politike dhe, në këto kushte, Ramës nuk do t’i interesonte. Për të ka rëndësi që, bashkë me fituesin e preferuar të kampionatit botëror, të shkojë me pushime më i qetë dhe beteja në shtator, nuk do të ishte nisja më e mirë e mundshme e vitit të dytë të mandatit të dytë qeverisës të tij. Për më tepër, shtatori është edhe nisja e përgatitjeve zyrtare për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Një vit që për PS-në, do të jetë shumë i rëndësishëm. Po aq i rëndësishëm sa, në shtator, të mos e nisë me ndryshime në qeveri. Kjo do të ishte më e mira e Edi Ramës, pavarësisht se edhe kjo do të arkivohet si premtim i pambajtur.

Dhe mes një krize të mundshme politike dhe një premtimi të pambajtur, Rama duhet të preferojë të dytën. Se mos është hera e parë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: