2010-’14, Spanja dhe Gjermania në majat e botës

2010-’14, Spanja dhe Gjermania në majat e botës
Dy ekipe europiane shpallen kampione në dy kontinente të ndryshme. Gjermania ia del të fitojë trofeun më 2014 brenda në shtëpinë e Brazilit, madje duke e turpëruar 7-1 në gjysmëfinale 

Aranit Muraçi

Spanja fitoi trofeun e Botërorit për herë të parë, në finalen e vitit 2010; Gjermania kurorëzohet me trofeun e katërt në Brazil 2014, por i pari për një vend europian që shënoi këtë triumf në kontinentin rival të Amerikës së Jugut.

2010

Botërori 2010-ës - i 19-ti në historinë e Kupës së Botës - u zhvillua në Afrikën e Jugut nga 11 qershori - 11 korrik 2010, hera e parë në një vend afrikan. Më 2004, FIFA zgjodhi Afrikën e Jugut para Egjiptit dhe Marokut. Ndeshjet u zhvilluan në 10 qytete të Afrikës së Jugut dhe finalja u mbajt në “Soccer City” të Johannesburgut. Në finale, Spanja kampione e Europës, fitoi ndaj Holandës pas kohës shtesë, me golin e Andres Iniestas, i cili realizoi në ‘116. Goli i tij i dha Spanjës titullin e parë kampion dhe hera e parë që një komb europian fitonte këtë trofe në një kontinent tjetër. Vendi organizator, Afrika e Jugut, Italia, kampione e botës më 2010, dhe Franca nënkampione, u eliminuan në fazën e grupeve. Zelanda e re me tre barazime, ishte skuadra e vetme që u largua pa asnjë humbje në fazën e grupeve. Edhe ky botëror nuk i shpëtoi akuzave. Nga media prestigjioze u pretendua se, disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s kishin marrë ryshfet për të zgjedhur Afrikën e Jugut si vend organizator.

2014

Në mars 2003, FIFA lajmëroi se turneu do të zhvillohet në Amerikën e Jugut për herë të parë pas vitit 1978, si strategji për ta shpërndarë në mënyrë të drejtë sipas kontinenteve. Brazili dhe Kolumbia shpallën kandidaturat zyrtare; më 2007, Brazili u zgjodh vendi organizator i këtij turneu. Botërori i kaluar u zhvillua në Brazil nga 12 qershori - 13 korrik 2014. Ishte hera e dytë pas 1950, që Brazili priste këtë aktivitet të madh. 64 ndeshjet u zhvilluan në 12 qytete të ndryshme braziliane. Për herë të parë në botëror, u përdor teknologjia. Në çdo qytet, FIFA organizoi edhe festa të tifozëve, që u quajtën “Fan Feste”, duke grumbulluar 5 milionë tifozë, ndërsa Brazili priti 1 milion vizitorë nga e gjithë bota. Të gjitha ekipet fituese të botërorëve të kaluar, Uruguai, Argjentina, Brazili, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Spanja ishin kualifikuar për në finalet e Kupës së Botës. Por Spanja, Anglia dhe Italia u eliminuan që në fazën e grupeve dhe në një ose dy faza më vonë u eliminuan edhe Uruguai dhe Franca. Brazili pësoi humbje të tmerrshme dhe historike në gjysmëfinale, 7-1 me Gjermaninë, duke dalë i katërti. Në finale, Gjermania fitoi 1-0 kundër Argjentinës pas golit të Gëtze dhe fitoi titullin e katërt kampion bote në histori. Leo Messi me shokë ishte pranë suksesit, pas ’90. Ishte titulli i parë i Gjermanisë pas ’90 dhe ribashkimit të saj. Gjermania u bë edhe vendi i parë europian që fiton një kupë bote në Amerikën e Jugut.

 

Botërori 2010

Vendi organizator: Afrika e Jugut

Ekipet pjesëmarrëse: 32

Finalja: Spanjë-Holandë 1-0 (shtesë)

Vendi i tretë: Gjermania

Vendi i katërt: Uruguai

Ndeshje të luajtura: 64

Gola të shënuar: 145 (2.27 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Diego Forlán i Uruguait, Thomas Müller i Gjermanisë, Uesli Shnajder i Holandës dhe David Vila i Spanjës (5 gola)

Lojtari më i mirë: Diego Forlan i Uruguait

Futbollisti më i mirë i ri: Thomas Muler i Gjermanisë

 

Botërori 2014

Vendi organizator: Brazili

Ekipet pjesëmarrëse: 32

Finalja: Gjermani-Argjentinë 1-0 (shtesë)

Vendi i tretë:  Holanda

Vendi i katërt: Brazili

Ndeshje të luajtura: 64

Gola të shënuar: 171 (2.67 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: James Rodríguez i Kolumbisë (6 gola)

Lojtari më i mirë: Lionel Messi i Argjentinës

Futbollisti i ri më i mirë: Paul Pogba i Francë

 

Ashtu si Gjermania në ’54, Spanja unifikon kombin me Kupën e Botës 2010

Fuqia e futbollit, Spanja rigjen unitetin kombëtar me një trofe

Do të mbetet përgjithmonë imazh në vetëdijen kombëtare të Spanjës: Sytë e kapitenit Iker Casillas në lot, pasi “La Roja” pas dekadash fituan Kupën e Botës për herë të parë në histori, falë fitores ndaj Holandës. Ishte korrik 2010, një kohë kur ekonomia spanjolle ishte në krizë, vendi me normat më të larta të papunësisë në Europë, kështu që vendi kishte nevojë për një lajm të mirë. Flamujt spanjollë fluturuan nga ballkonet anembanë vendit, miliona njerëz dolën në rrugë duke krijuar skena të gëzueshme dhe festive, por edhe anarkike. Në Afrikën e Jugut, lojtarë të tillë si Carles Puyol dhe Andres Iniesta puthnin simbolet e tyre për të nderuar arritjet e mëdha dhe historike. Futbolli bëri që të harrohen menjëherë problemet që kishte shoqëria spanjolle dhe bashkoi kombin në festë, si me magji. Para dhe pas përfundimit, patriotizmi përshkroi tërë ekipin.

“Ne ia dedikojmë këtë fitore Spanjës,” tha Xavi, fantazisti i Barcelonës, pas fitores në gjysmëfinale kundër Gjermanisë.

Të nesërmen El Pais deklaroi: “Jo! Që prej luftës civile spanjolle, nuk ka pasur kaq shumë flamuj në rrugë!” I tillë ka qenë mbizotërimi i flamurit të Spanjës që është quajtur “Efekti i Kuq”, falë triumfit të ekipit kombëtar. Në Spanjë - një vend ku identitetet rajonale nga katalanasit te baskët, e deri te galicianët, i përkisnin së shkuarës – pasi deri atë vit shpërthimet e krenarisë kombëtare kishin qenë kontradiktore dhe paradoksale, madje ndarëse. Deri në atë kohë, dështimi i Spanjës në futboll shpjegohej mes tensioneve dhe besnikërisë rajonale dhe kombëtare, duke sugjeruar që jo të gjithë lojtarët luanin për të njëjtën qëllim.  Ekziston edhe një ekip kombëtar katalanas i futbollit, i krijuar nga holandezi dhe ish-ylli i Barcelonës, Johan Cruyff.

“Kur Iniesta shënoi golin e fitores, reagimi në të gjitha qytetet ishte si të kishte rënë tërmet”, - tha Carolina Abellan, gazetar për kanalin televiziv spanjoll Cuatro, i cili ishte në Madrid për finalen. “Gëzimet ishin të pabesueshme, pashë shumë njerëz që qanin.” Fuqia transformuese e futbollit, qoftë edhe duke promovuar unitetin kombëtar ose duke ndezur një krenari të përgjumur, shpesh ekzagjerohet. Por sporti, sidomos finalet e Kupës së Botës, kanë qenë dhe mbeten të njohura edhe për rëndësinë e madhe politike, pasi unifikojnë kombin. Shembulli më i mirë është finalja e Kupës së Botës 1954 - e ashtuquajtura "Mrekullia e Bernës" - ku Gjermania Perëndimore, një ekip futbollistësh amatorë, mundi Hungarinë, atëherë ekipi më i mirë në botë. Prej atij viti, Gjermania fitoi krenarinë e rrëzuar nga lufta dhe vazhdoi me këtë krenari, duke fituar për herë të katërt botërorin e fundit, në Brazil.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: