2002-2006, Kupa e Botës rikthehet në Brazil dhe Itali

2002-2006, Kupa e Botës rikthehet në Brazil dhe Itali
Brazil-Gjermani dhe Itali-Francë, superfuqitë e futbollit botëror, sërish në finalet e botërorit

Aranit Muraçi

Finalet e Botërorit 2002 dhe 2006, shkuan për Brazilin dhe Italinë që bëhen ekipet më të suksesshme të këtij turneu në historinë e futbollit botëror. Botërori 2002 riktheu Gjermaninë pas 12 vjet mungesë, në një finale të madhe.

2002

Finalet e 17-ta të Kupës së Botës, u mbajtën nga 31 maji - 30 qershor në Korenë e Jugut dhe Japoni. Ishte hera e parë që, Kupa e Botës zhvillohej në kontinentin aziatik dhe organizohej nga dy vende njëkohësisht. Ky ishte edhe aktiviteti i fundit ku u përdor rregulli i golit të artë. Brazili fitoi turneun për herë të pestë, duke fituar finalen me Gjermaninë 2-0. Për vendin e tretë, Turqia fitoi 3-2 ndaj Koresë së Jugut. Kina, Ekuadori, Senegali dhe Sllovenia debutuan në këto finale. Turneu dhuroi edhe rezultate surprizë. Kampionët në fuqi të Francës u eliminuan qysh në fazën e grupeve me një pikë të vetme, ndërsa u eliminua edhe Argjentina para kohe. Turqia në pjesëmarrjen e saj të dytë në këto finale, doli e treta, ndërsa gjatë rrugës u eliminua Spanja, Italia dhe Portugalia. Brazili u bë kombi i vetëm që e ngriti pesë herë këtë trofe, rekord që mbetet edhe sot i pathyer. Autoritetet koreane zbuluan se, FIFA kishte ndërmend të përfshinte edhe Korenë e Veriut në organizimin e këtij aktiviteti, me qëllim unifikimin e dy Koreve, por propozimi u hodh poshtë nga Koreja e Veriut. Turneu solli edhe probleme në Europë, për shkak të ndryshimit të orës. Duke qenë se me orën europiane disa ndeshje luheshin paradite, u shtynë datat për shkollat, bizneset dhe, në disa vende, administrata publike ndryshoi orarin e punës për të lejuar punonjësit të shijonin ndeshjet.

2006

Finalet e botërorit 2006, u zhvilluan në Gjermani, nga 9 qershori - 9 korrik. 32 ekipet pjesëmarrëse prezantonin 198 kombe të ndryshme, nga 6 prej kontinenteve më të populluara në botë - 31 prej të cilave shkuan përmes kualifikimeve në botëror dhe Gjermania u kualifikua direkt si vend organizator. Pas ’74 ishte hera e dytë që Gjermania priste këtë aktivitet. Italia fitoi turneun, duke u shpallur për herë të katërt kampione e botës. Italia fitoi 5-3 në finale me penallti ndaj Francës, pasi ndeshja dhe koha e rregullt u mbyllën në barazim 1-1. Gjermania mundi 3-1 Portugalinë dhe siguroi vendin e tretë. Angola, Gana, Bregu i Fildishtë, Trinidad e Tobago, dhe Togo ishin vendet debutuese në këto finale. Jugosllavia u prezantua me emrin Serbia dhe Mali i Zi në Gjermani 2006. Edhe botërori 2006 mbetet një nga aktivitetet më të ndjekura në historinë e ekranit me 26.29 miliardë shikues, që ndoqën ndeshjet e këtij turneu gjatë një muaji, në të gjithë botën. Ky botëror nuk i shpëtoi akuzave për korrupsion, pasi u pretendua se Gjermania e fitoi të drejtën e organizimit me anë të marifeteve të ndryshme, duke korruptuar anëtarët e Komitetit Ekzekutiv në FIFA, jo në mënyrë direkte. Kompanitë e mëdha gjermane dhe me ndikim në botë, Adidas dhe Volsvagen, u pretendua se bindën vende të ndryshme ku operonin, që të jepnin votën për Gjermaninë, çka provon se biznesi, politika dhe futbolli operojnë gjithnjë e më shumë krah njëri-tjetrit.

 

Botërori 2002

Vendet pritëse: Koreja e Jugut dhe Japonia

Finalja: Brazil-Gjermani 2-0

Ekipet pjesëmarrëse: 32

Vendi i tretë: Turqia

Vendi i katërt: Koreja e Jugut

Ndeshje të luajtura: 64

Gola të shënuar: 61 (2.52 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Ronaldo i Brazilit (8 gola)

Lojtari më i mirë: Oliver Kahn i Gjermanisë

Lojtari më i mirë i ri: Landon Donovan i SHBA-së

 

Botërori 2006

Vend i pritës: Gjermania

Finalja: Itali-Francë

Ekipet pjesëmarrëse: 32

Vendi i tretë: Gjermania

Vendi i katërt: Portugalia

Ndeshje të luajtura: 64

Gola të shënuar: 147 (2.3 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Miroslav Klose i Gjermanisë (5 gola)

Lojtari më i mirë: Zinedine Zidane i Francës

Lojtari i ri më i mirë: Lukas Podolski i Gjermanisë

 

Goditja e paharrueshme me kokë dhe lamtumira e Zidane

Versioni i Materazzit... A e provokoi Zidane?!

Në finalen e Kupës së Botës 2006, mbajtur në Berlin më 9 korrik, Franca dhe Italia e mbyllën në barazim ndeshjen, ndërsa i madhi Zinedine Zidane luajti takimin e fundit ku edhe mbylli karrierën, pasi u largua nga loja me karton të kuq. Ai goditi me kokë mbrojtësin italian, Marco Materazzin, në “Olympiastadion”, para mijëra tifozëve dhe miliona shikuesve. Mënyra sesi u largua një nga futbollistët më të mëdhenj të Francës dhe historisë së futbollit botëror, pas një episodi të pahijshëm, ngjalli debate dhe reagime të shumta. Është shkruar shumë dhe janë dhënë versione nga më të ndryshmet mbi të vërtetën e atij episodi. U pretendua se Zidane u provokua, madje mbrojtësi italian e ofendoi rëndë gjatë ndeshjes. Italia pas kohës shtesë, fitoi 5-3 me penallti dhe siguroi Kupën e Botës. Materazzi i tha “L'Equipe” më vonë: “Ajo që më shqetëson më shumë, është se disa mbështetës dhe gazetarë thanë se, unë e shava nga nëna. Nuk do t’ia lejoja kurrë vetes, ta ofendoja nga nëna, sepse e kam humbur nënën time shumë kohë më parë!” Italiani tha se pati provokime të lehta gjatë ndeshjes, madje pretendoi se Zidane e provokoi i pari, duke i thënë: “Nëse e dëshiron fanellën time, do ta jap në fund të ndeshjes.” Materazzi i kërkoi ta përsëriste edhe njëherë, ndërsa Zidane i inatosur e goditi me kokë kur ndeshja ishte 1-1, duke u larguar më pas me karton të kuq.

“Ai ishte një kampion i madh dhe unë nuk isha në nivelin e tij. Kjo ishte arsyeja pse nuk e durova dot talljen e tij.” Zidane nuk ka dhënë kurrë ndonjë shpjegim për ngjarjen. Pas këtij episodi, ai u largua në moshën 34-vjeçare nga futbolli, duke mbetur megjithatë, një nga njerëzit më popullorë sot në Francë. Zinedine Zidane drejton aktualisht Real Madridin, ndërsa Materazzi drejton ekipin indian të Super Leagues, Chennaiyin.

 

Fenomeni Ronaldo: Ne kemi mentalitetin fitues, gjermanët organizimin

Finalja e 2002, ndryshimi mes Gjermanisë dhe Brazilit

30 qershor 2002, ishte finalja e Kupës së Botës, ku përplaseshin finalistët e 1998-ës me Gjermaninë që rikthehej pas 12 vjetësh në finalen e madhe. Për një lojtar si fenomeni Ronaldo, i cili luajti i dëmtuar në finalen e humbur 3-0 ndaj Francës katër vjet më parë, dhe për një ekip si Brazili që nuk mund ta kapërdinte lehtë dështimin në dy finale radhazi, ishte dita e së vërtetës. Ronaldo para finales kishte shënuar 6 gola në 6 ndeshje dhe kishte përballë portierin Oliver Kahn, që kishte pësuar vetëm një gol gjatë turneut. Fituesi sipas analistëve do të varej në këtë kontekst. Në ’67, Ronaldo goditi dhe Khan nuk e priti si duhej topin, ndërsa fenomeni vrapoi dhe e dërgoi topin në rrjetë. 12 minuta më vonë, Rivaldoja mposhti për herë të dytë Kahnin. Ishte trofeu i dytë në tre finale radhazi për Brazilin dhe i pesti në historinë e Kupës së Botës. Gjermania për trofeun e katërt do të priste 2014-ën, ku do të hakmerrej fillimisht ndaj Brazilit, madje do ta turpëronte në shtëpi, dhe në finale fitoi 1-0 ndaj Argjentinës. Gjithsesi, fenomeni Ronaldo më vonë bëri dallimin mes dy ekipeve, që kanë dominuar futbollin botëror dhe tha se i pëlqen gjithnjë ta shohë Gjermaninë. “Ne kemi mentalitetin për të luajtur gjithnjë futboll argëtues. Gjermania i ka treguar botës se për të fituar i duhet të luajë mirë, kompakte dhe e organizuar.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: