ZGJERIMI, SHQIPËRIA HAPA PËRPARA

ZGJERIMI, SHQIPËRIA HAPA PËRPARA
Nga Andrju Retman

Shqipëria dhe Maqedonia do të hapin bisedimet për integrimin në BE, por abuzimet me të drejtat e njeriut në Turqi nuk do t’i japin mundësinë këtij vendi që t’i hapë këto bisedime. Kjo është ajo që pritet të thuhet në raportin e Komisionit Evropian në lidhje me përparimin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë t’i bashkohen Unionit.

“Duke marrë parasysh përparimet e bëra, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë”, pritet të thuhet nga komisioni në raportin e tij vjetor që pritet të dalë të martën më 17 prill, sipas draftit që ka parë EUobserver.

Drafti ka përdorur të njëjtën formulë edhe për Maqedoninë.

Ky rekomandim është i pari që jepet për Shqipërinë. Ky hap vjen 15 vjet pasi vendi firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian dhe 10 vjet pasi vendi u pranua si anëtar me të drejta të plotë i NATO-s.

Ndërkohë, komisioni shprehet se Maqedonia ka qenë gati për të filluar bisedimet që në vitin 2009, por vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk ranë dakord për shkak se Greqia vendosi veton e saj, me arsyetimin se emri i Maqedonisë përfaqësonte një pretendim territorial ndaj një rajoni grek që mban të njëjtin emër.

Por, rekomandimi i të martës pritet të jepet ndërkohë që shpresat se Shkupi dhe Athina do të arrijnë që të gjejnë një zgjidhje, janë të mëdha, duke i lejuar kështu Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i hapë dritën jeshile bisedimeve me Maqedoninë.

Por, ky vendim vjen po ashtu pas një strategjie të re të hartuar nga komisioni për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.

Sipas strategjisë e cila u bë publike në shkurt, Serbia dhe Mali i Zi, vende të cilat kanë pasur një ritëm mjaft të kënaqshëm me reformat e tyre, kanë premisa mjaft të mira për t’iu bashkangjitur BE-së në vitin 2025, ndërkohë që po bëhen përgatitje për një samit të veçantë të Ballkanit Perëndimor i cili do të zhvillohet në Sofje në Maj.

Sakaq, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet që të diskutojnë edhe për Ballkanin Perëndimor në takimin e tyre në Luksemburg këtë të hënë.

Sipas një diplomati evropian, ata pritet që të theksojnë sërish angazhimin e tyre “për të lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës” për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të diskutuar çështje të sigurisë në rajon.

Ata mund të diskutojnë edhe për mënyrën se si duhet t’i referohen Kosovës në deklaratën e samitit të Sofjes, duke qenë se vendi nuk njihet nga pesë shtete të BE-së, thotë një diplomat i BE i cituar nga EUobserver.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: