Xhavit Xhepa, emblema e aktorit këngëtar

Xhavit Xhepa, emblema e aktorit këngëtar
PORTRET/ Një jetë e ndarë mes muzikës dhe aktrimit.. Xhaviti, bashkëshorti i yllit të skenës, Margarita Xhepa dhe babai i një tjetër aktori të madh, Ndriçim Xhepa; i pëlqyer dhe i admiruar për interpretimet e tij të ngrohta. Por edhe si një shëmbëlltyrë e lartë qytetarie

Një poet virtuoz i këngës... Një emblemë e ndërthurjes së aktorit dhe këngëtarit ... Kështu cilësohet Xhavit Xhepa, në monografinë dedikuar atij, prej studiuesit dhe muzikologut të njohur nga Gjakova, Behar Arllati. “Se këngët e Xhavit Xhepës në Gjakovë i këndonte i madh e i vogël; nëpër shtëpi,  në rrugë, në sheshe e skena publike”, shkruan ai pikërisht për bashkëshortin e së aktores së madhe, Margarita Xhepa, me të cilën ka sjellë në jetë një tjetër aktor të talentuar, Ndriçimin. Shoqëruar edhe me detaje të tjera interesante të një jete që kaloi e ndarë mes rrugës së bukur të aktrimit dhe asaj të muzikës....  Edhe si këngëtar, edhe si aktor, ai do të pëlqehej e admirohej, për interpretimet e tij të ngrohta, për elegancë dhe si një shëmbëlltyrë e lartë qytetare

Nga Miho Gjini

Në ditët e sotme, kur në “piacën publike” kanë vërshuar një mori njerëzish të ngeshëm që shkruajnë pareshtur libra për t’u vetëquajtur shkrimtarë e poetë, marrin vlerë të veçantë disa monografi shkrimtarësh, artistësh, shkencëtarësh e politikanësh botërorë, të cilat tërheqin vëmendjen, sidomos, për ata personalitete që lënë gjurmë dhe bëjnë histori. Një prej tyre mund të cilësohet edhe ajo e studiuesit dhe muzikologut nga Gjakova, Behar Arllati, dedikuar pikërisht këngëtarit dhe aktorit Xhavit Xhepa (1925-1987). Evidentim i plotë i vlerave të një artisti që bëri emër në mesin e shekullit të kaluar, jo vetëm si këngëtar, por edhe si aktor. E mbi të gjitha, si një njeri me tipare fisnike, i bukur nga shtati dhe nga shpirti. Kështu përcillet imazhi i njërës nga figurat komplekse dhe shumëdimensionale të artit tonë, i lënë në harresë deri më sot. Por që është e mbetet personalitet i gamës kombëtare e ku sensibiliteti, rrezatimi i gjithanshëm e vlerat gjurmëlënëse të tij, i kalojnë kufijtë e shtetit amë...

Gjakova

Me këngët e Xhavit Xhepës në vesh, u rritën gjithë gjakovarët, si të ishin ninullat e para të djepit, si emocione që ngjitin në shpirtin e njeriut e trashëgohen brez pas brezi. Se këngët e Xhavit Xhepës në Gjakovë i këndonte i madh e i vogël; në shtëpitë e tyre, në rrugë, nëpër sheshe e skena publike. E dashuronin këtë poet e virtuoz të këngës që të gjithë, duke e kthyer kështu në një pasuri vlerash edhe për të tjerët.

Arti

Xhavit Xhepa, i njohur si një nga interpretuesit më të talentuar të këngës popullore tradicionale, ishte njëherësh edhe nga këngëtarët më të ëmbël të muzikës së lehtë shqiptare. Në të njëjtën kohë, emrin e tij e gjejmë ndër posterat e para të shfaqjeve të Teatrit Popullor, pas kryerjes së kursit të parë të aktrimit, të drejtuar nga regjisori i sapokthyer nga Franca, Sokrat Mio. Me krijimin e Estradës së Shtetit, atë do ta emëronin aty, me prioritet interpretimi këngën, pa e shkëputur prej aktrimit. Edhe si këngëtar, edhe si aktor, ai do të pëlqehej e admirohej, për interpretimet e tij të ngrohta, për elegancë dhe si një shëmbëlltyrë e lartë qytetarie. Ndërsa në Teatrin Qendror të Kukullave, do të mbyllte karrierën e suksesshme, me të njëjtin devocion e talent artistik, nga më të mirët për kohën e vet, derisa të “trokiste” vdekja e parakohshme...

Paradoksi

Ai qe djali i parë i Xani Qeleshexhiut, sikundër e thërrisnin në Pazarin e Vjetër të Tiranës (Ramazan Xhepën) dhe u rrit nën meloditë e këngëve të gjyshes, duke i belbëzuar tingujt, aq sa në moshën 5-vjeçare qe në gjendje t’i përsëriste këngët e dëgjuara me etje të pazakontë. Dhe, kur arriti moshën rinore, zëri i tij sikur mori ngjyra, me një butësi e bukuri prej mëndafshi, tepër i ëmbël. Jetonin në bashkësi prej dhjetëra vitesh e djaloshin e ri të Xhepajve do ta dëgjonin me ëndje. Derisa të vinin ditët e vitet e luftës me plotë trazira e “erëra të forta”. Shtëpia e tyre e madhe do të kthehej befas në një bazë për Çetën e Pezës dhe Xani do t’i priste djemtë pezakë si çunat e vet. Kështu që edhe Xhaviti do të bashkohej me Debatikasit, ndërsa djali tjetër i tij, Beqiri do të dilte malit partizan. As qe e merrnin dot me mend këta idealistë të pastër, njerëz bujarë e patriotë, sesi do shembeshin gjërat pastaj, sesi qeleshexhiun do ta rrasnin ca kohë në burg për fjalët që thoshte çiltas e Beqirin, që mezi kishte shpëtuar nga thonjtë e nazistëve, do ta persekutonin egërsisht po ata që u strehuan në këtë çerdhe të vjetër tiranase. Ky paradoks i dhimbshëm do të hapte plagë e strese në zemrën e artistit të ri dhe nëpër këngët e tij do të ndihej edhe intonacioni i thelluar i dhimbjeve...

Karriera

Karriera artistike e Xhepës do të fillonte me “Këngën e Kufitarit” në vitin 1951, gjatë kohës së shërbimit ushtarak, me të cilën ra në sy si një talent i rrallë dhe do të vazhdonte me një dalje të dendur në publik , duke tërhequr gjithmonë e më tepër vëmendjen e kompozitorëve të asaj kohe. Nga të parët që do t’i afrohej ishte Mustafa Budini e me radhë, Muharrem Xhediku, Rudolf Stambolla, Pjetër Gjergji, Agim Prodani, Mark Kaftalli, Pjetër Gjini etj. Ndërkohë, përvoja e aktrimit, në ato 12 spektakle të para të Teatrit Popullor, ku Xhaviti do të ishte i pranishëm, herë si figurant e herë në role episodike, do të ndikonte që paraqitja e tij skenike si këngëtar të ishte shumë e pëlqyeshme, për nga interpretimi i natyrshëm skenik. Po edhe interpretimi i tij në 41 shfaqje te Teatrit të Fëmijëve e të Kukullave, do të pasuronin gamën interpretuese, si garanci për suksesin e një këngëtari që patjetër duhet të dijë edhe të aktrojë. Në repertorin e tij muzikor do numëroheshin 22 këngë popullore qytetare dhe 15 këngë të lehta, argëtuese. Pra, talenti i Xhavit Xhepës kishte një shtrirje të gjerë, me interesa shpirtërore e intelektuale, me diapazon artistik dhe me vlera maksimale në timbrin e zërit. Ai ishte melodioz në të kënduar, me një emocion të brendshëm që zgjonte dridhmat e shpirtit, me butësi të pashoqe e thjeshtësi interpretuese. Qe një ikonë e artit të të kënduarit. Behar Arllati dëshmon se i gjithë repertori i këngëve të Xhavit Xhepës u bë “pronë” e këngëtarëve të Kosovës e veçanërisht në Gjakovën e tij, ku zotëronte një adhurim më i madh për këngëtarin në fjalë. Xhavit Xhepa shkëlqeu ne skenën e Estradës së Shtetit, jo vetëm si solist, po edhe ne disa duete të paharrueshme që këndoi me Anita Taken e Paulina Nikaj, po edhe me këngëtarin popullor Xan Zyberi. Por jo pak herë, e shihnim edhe nëpër skeçe edhe si aktor, kupletist e parodist. Në Teatrin e Kukullave e të Fëmijëve ishte gjithashtu aktori-këngëtar më i preferuar, që u jepte “Shpirt” marionetave e kukullave, me figura njerëzish e kafshësh të ndryshme. Zëri i tij vibronte nën parvazin e skenës së vogël e pas kuintave anësore dhe njihej tashmë nga spektatorët e vegjël, që e quanin “Daja Xhepa”! Po kishte shfaqje që dilte edhe në sheshin skenik në role personifikuese, sikundër qe “Pinoku”, të cilin kam rastisur ta shoh edhe unë, ku aktori Xhepa qe në një partneritet të mrekullueshëm ( në rolin e Baba Karlos) me Pinokun e Eva Pëllumbit, në të cilën perceptimi fëminor që në shkallën më të lartë të paraqitjes artistike.

 

FAMILJA

Lidhja e shenjtëruar me Margarita Xhepën

Jeta e këtij artisti do të merrte mbështetje e kuptim më të gjerë me martesën që bëri me “Yllin e Skenës Shqiptare”, Margarita Xhepën. Një bashkëjetesë e lumtur, me punë e jetë artistike të përbashkët, me mirëkuptime e mbresa shpirtërore të njëjta. Do të krijohej kështu një teatër, brenda teatrit. Fatmirësisht, kjo lidhje e shenjtëruar do sillte në jetë dy djem të mrekullueshëm, aktorin e talentuar të teatrit e kinematografisë tonë Ndriçim Xhepa, një artist me nivel europian dhe mjekun po kaq te talentuar në specialitetin e vet, Sokol Xhepën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: