“TEPELENA” DO TË NDODHË PRAPË – OPINION NGA FRROK ÇUPI

“TEPELENA” DO TË NDODHË PRAPË – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Më duket se të gjithë pyesin, kush e zgjoi tragjedinë e “Tepelenës”, që po flinte prej vitit 1950?

Ishte thjesht “rastësi”... Biri i një oficeri të lartë të Sigurimit të Shtetit, martuar me një mbesë të diktatorit Hoxha, shoqërues i diktatorëve në çdo takim ku mund të mblidhte të dhëna, “nxori sytë” për shkak të guximit të tepruar. Historiani militant komunist, Pëllumb Xhufi, gjatë një programi televiziv deklaroi se, “kampi i internimeve në Tepelenë ishte i mirë... aq më tepër që aty vuajtën familjet e armiqve” - tha... Pas kësaj u hap “Kutia e Ferrit”, e një krimi makabër masiv komunist...

... Kjo na bën të mendojmë se, “Tepelena” do të ndodhë përsëri. Ashtu sikurse dëshmojnë disa studime të Instituteve hebreje se, “shumica e Amerikanëve besojnë se Holokausti do të ndodhë përsëri!”, - sipas raportimeve të sotme të medias botërore...

Tepelena “do të ndodhë përsëri”, sepse ishte harruar...

Historiografia komuniste, jo pa qëllim, e kishte fshehur ngjarjen makabre. Vetëm bijtë e viktimave të kampit kishin mësuar aq pak sa u kishin thënë mbi kampin, ndërsa të tjerë, as nipër e mbesa, nuk dinin gjë. Sot e kësaj dite, ndanë rrugës Tepelenë- Gjirokastër ndodhen gërmadhat e atij kampi të rëndë, që askush nuk dinte... Diktatorët komunistë duket se ishin më inteligjentë se pinjollët e tyre..., pinjollët sapo e panë veten të “fuqishëm”, dolën dhe shpallën krimin e kryer në Tepelenë. Këtë bëri historiani Xhufi. Pas zgjedhjeve të vitit 2017 (veçanërisht), këta po mendojnë se u kthye prapë regjimi i diktaturës. Këtë e masin me “hijen” e të kthyerve në postet e pushtetit të të gjithë bijve të anëtarëve të nomenklaturës komuniste, me kthimin e simboleve, me poshtërimin e klasës kundërshtare që tani quhen opozitarë antikomunistë. (Sot një ministër bir Byroje, guxoi të qëllojë opozitën “antikomuniste” me shishe uji nga podiumi i Parlamentit)...

Tani, ja ku jemi: Për faj të persekutorëve dhe bijve, kampi i përqendrimit i Tepelenës ndodhet i shtruar “mbi tavolinë”. Ata që e admirojnë, do ta mbrojnë me çdo mjet, ata që e kanë vuajtur deri në gjak, do ta zbulojnë... Ky është kthimi i parë... Sipas studimit amerikan se, “68 për qind e qytetarëve besojnë se Holokausti do të ndodhë përsëri”, kjo do të ndodhë për shkak të “injorancës” dhe “zbulimit”.

“Tepelena” do të ndodhë pa e kuptuar...

Shumica tani nuk kuptojnë çfarë ka ndodhur në kampin e Tepelenës. Domethënë, shumica nuk dinë çfarë ka ndodhur në diktaturë. Në njëfarë mënyre, edhe ata që e kanë përjetuar atë ferr, tani ndjehen të turpëruar para bijve dhe nuk mund të tregojnë si u poshtëruan. Përballë njëra-tjetrës ndodhen dy kategori njerëzore: Fatmirësisht, disa të mbijetuar në kamp - që pas guximit të historianit komunist, po sjellin tregime me të vërteta të dhimbshme..., dhe kategoria tjetër: Brezi që ka hyrë në shtigjet e internetit të një epoke tjetër.

Nga të mbijetuarit, një nënë 94 vjeç në Mirditë, ka treguar se si i vdiq e bija foshnjë, “tu kërkue ujë”. Një fqinje i kishte dhënë një filxhan ujë, por ai nuk mjaftoi... Një nënë nga Lekbibaj ka treguar se ka fjetur tre muaj me kufomën e zhvarrosur të fëmijës së saj..., gjithë qëllimi i jetës pas vdekjes së fëmijës ishte që të mos i humbte varri i fëmijës.

Ndërsa historiani komunist është një tjetër kategori, ai thotë se ishte “kampi më i mirë”. Por kategoria e dytë që mund të konsiderojmë, janë pjesëtarët e brezit të kibernetikës dhe të “injorancës” historike. Në Shtetet e Bashkuara, 85 për qind e të pyeturve mbi Holokaustin, janë “familjarë” me Anna Frank dhe ditarin e saj, por vetëm 40 për qind dinë cili ishte Hitleri dhe Gebelsi. Nëse do të krijohet ndonjë këngë “Rape” për Tepelenën, atëherë kuptimi i kampit këtu do të marrë konotacionin “Anna Frank” ose një lloj tjetër...

Por kjo veçse e zgjon “Tepelenën”... Gaboi historiani komunist që “guxoi” të lëndojë plagë të egra!

Pse janë kaq pak inteligjentë bijtë e diktatorëve?

Në vendin tonë thuajse kanë rimarrë të “drejtë qytetarie”, diktatura dhe diktatori komunist. Dje, në ditën e vdekjes së Enver Hoxhës (11 prill), kam dëgjuar shumë lëvdata “për atë burrë”. Sigurisht, shumica vijnë nga “blloku” komunist. Për 30 vjet nuk guxoi asnjëri, tani në vitin 33 guxojnë të gjithë pasardhësit. Në gjithë historinë e regjimeve politike, pinjollët janë më të egër dhe më pak inteligjentë, se vetë diktatorët. Prandaj nuk u lejuan, as ata të Kmerrët e Kuq, as Nazistët..., që të trashëgojnë pushtet me bijtë. Që në lashtësi ka ndodhur kjo “ndalesë”. Herostrati, zjarrvënës në Athinën e Lashtë, dogji tempullin Artemis në Effes, por nuk u ekzekutua. U ndalua që t”i përmendej emri dhe që të kishte trashëgimtarë në pushtet...Ky ishte dënimi.

...Por këta zgjuan tempullin “Nazist” të Tepelenës. Vetë diktatori Hoxha, e kishte kamufluar. Madje edhe shifrën simbol të viktimave në Tepelenë, e kishte kamufluar. Diktatori urdhëroi që, në kampin e “Tepelenës dua 6000 të internuar”, d.m.th., një për qind të shifrës 6 milionë hebrenj të ekzekutuar në Holokaust... Diktatori kamufloi edhe numrin e dëshmorëve të Atdheut..., kamufloi edhe bombën në Ambasadën e Rusisë më 19 shkurt 1951 - ditën e Ushtrisë së Kuqe... Të gjitha i bëri si pako dhurate, por të kamufluara. Ndërsa këta, edhe të pamençur, kanë ardhur për të zgjuar “Tepelenën” që është Holokausti shqiptar!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: