Tenderat, kjo mundësi “e artë” për abuzimet me fondet publike

Publicitet
Tenderat, kjo mundësi “e artë” për abuzimet me fondet publike
Pas shkeljeve të mëdha financiare që bëhen me pronat shtetërore, KLSH-ja i rendit ato prej tenderave si të dytat në listë

Tenderat, mund të konsiderohen ende një portë “e artë” për abuzimet me fondet publike.

Megjithë ndryshimet që u realizuan së fundmi nga qeveria në ligjin e tyre, ato sërish vazhdojnë që të mbeten problematike.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, edhe gjatë vitit të kaluar, ato i kanë shkaktuar një dëm të madh financiar buxhetit të shtetit.

“Grupi i dytë i shkeljeve më të mëdha pas menaxhimit të pronës, konstatohet pikërisht në fushën e prokurimeve publike”, citojnë ekspertët e KLSH-së. Për të detajuar më tej në raportin e tyre sesi edhe gjatë vitit 2017, ka vijuar i njëjti trend duke zgjedhur në tendera “procedura që rrezikojnë të mos garantojnë konkurrencën e hapur”. Ku përmendin këtu, negocimin e kontratave si llojin më të përhapur të procedurave të përdorura.

“Gjatë vitit 2017, vetëm rreth 25% e procedurave është realizuar me “Tender i hapur lokal”, ndërsa rreth 37% e është realizuar me “Kërkesë për propozim”, sqarojnë ekspertët e KLSH-së. Duke shtuar nga ana tjetër se procedura “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” përbën rreth 38% të tenderave dhe nuk vlerësohet aspak si transparente.

“Në fazën e përgatitjes së dokumenteve të tenderit janë konstatuar 415 shkelje, ose 75% të rasteve”, është një detaj tjetër që jepet prej KLSH-së. Për të vijuar me shifra të tjera, të tilla si 26 në mosplotësimin e kritereve të kualifikimit; 13 në skualifikimet e ofertuesve; 11 në hapjen e shqyrtimin e ofertave; 3 në ofertat anomalisht të ulëta; 12 në mosrespektimin e afateve kohore; deri edhe 69 shkelje ose 13% të rasteve në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve etj. “Janë konstatuar shkelje proceduriale në 672 procedura prokurimi, ose në 94% të procedurave të audituara, rezultat që tregon se fondet janë shpenzuar jo në përputhje të plotë me kërkesat ligjore”, cilësojnë gjithashtu ekspertët e KLSH-së.

Duke përfunduar me apelin se për tenderat nevojitet që entet publike të ofrojnë një shkallë të lartë transparence, përgjatë gjithë ciklit të prokurimit, me qëllim promovimin e trajtimit të paanshëm dhe të drejtë të operatorëve ekonomike.

 

“Janë konstatuar shkelje proceduriale në 672 procedura prokurimi, ose në 94% të procedurave të audituara, rezultat që tregon se fondet janë shpenzuar jo në përputhje të plotë me kërkesat ligjore”, cilësojnë ekspertët e KLSH-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: