Të jesh shqiptar, i fundit në BE për të marrë azil

Publicitet
Publicitet
Të jesh shqiptar, i fundit në BE për të marrë azil
Shqipëria renditet e fundit në listën e vendeve që Bashkimi Evropian ua ka plotësuar kërkesën qytetarëve të tyre për të përfituar azil

Të jesh shqiptar, duhet t’i kesh bërë mirë llogaritë para se të kërkosh azil në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo, pasi ky fakt të penalizon ndaj të gjitha vendeve të tjera.

Një fakt të tillë, që shumë qytetarë shqiptarë tashmë e kanë pësuar “në kurrizin” e tyre gjatë këtyre viteve, e tregojnë edhe shifrat më të fundit të publikuara nga institucionet evropiane rreth azilkërkimit.

Kështu, në më të rejat e ofruara prej Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat) figuron se shqiptarët janë të fundit në listën e përfituesve të azilit në vendet e Bashkimit Evropian. Duke u parakaluar madje edhe nga kosovarët, apo turqit.

Sipas Eurostat, gjatë vitit të kaluar, 2017, shqiptarëve u janë njohur vetëm 5% të totalit të kërkesave që ata i kanë paraqitur BE-së për të përfituar një azil. Total ky që siç mësohet, ka qenë në nivelin e mbi 22 mijë kërkesave.

Kjo në fakt është një shifër që i rendit shqiptarët ndër të parët, ende me interesin e tyre për të marrë mbrojtje ligjore nga vendet e BE-së. Njësoj si edhe qytetarët e atyre vendeve që vijnë nga lufta.

Por ama, kur vjen fjala për plotësimin e këtyre kërkesave, shqiptarët renditen në fundit. Dhe kjo, pasi prej kohësh, autoritetet shqiptare e kanë bërë të qartë se Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt origjine dhe si i tillë, qytetarët e saj nuk kanë shans për të përfituar një azil.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy nga të dhënat e Eurostat-it, është fakti se vetëm gjysma e aplikimeve në tërësi, të bëra për azil, nga qytetarët e mjaft vendeve të botës, kanë gjetur miratimin prej autoriteteve të BE-së, saktësisht, rreth 46% e tyre, kurse të tjerat janë mohuar.

 

5%

Ka qenë niveli i plotësimit të kërkesave për azil, ndaj qytetarëve shqiptarë prej vendeve të BE-së, më i ulëti ndaj të gjitha vendeve të tjera. Ndërsa lihen mënjanë për azil, shqiptarët vijojnë që të mbeten ndër përfituesit kryesorë të nënshtetësive në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave që Eurostat publikoi para pak kohësh, 48.400 shqiptarë kanë përfituar nënshtetësi në BE. Ku kontribuesit kryesorë që kanë dhënë nënshtetësi për shqiptarët janë gati tërësisht Italia (72.6%) dhe Greqia (23.8%)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: