Të huajt nuk investojnë më si dikur në Shqipëri, situata si ajo para 4-5 vitesh

Publicitet
Të huajt nuk investojnë më si dikur në Shqipëri, situata si ajo para 4-5 vitesh
Të huajt nuk po investojnë më si dikur në Shqipëri. Një dukuri kjo, e cila po konfirmohet nga të dhënat gjithmonë e në rënie të investimeve të tyre direkte në këtë vend. Të tilla janë edhe ato që ka referuar së fundmi Banka e Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se në fund të vitit të kaluar, ky tregues ka qenë i njëjtë me atë të 4-5 viteve më parë.

Nga ana tjetër, më i ulët se ai i një viti më parë. Duke faktuar në këtë mënyrë se investimet e huaja direkte po e humbasin fuqinë e dikurshme që kanë patur në ekonominë shqiptare.

Konkretisht, nëse u drejtohemi shifrave të BSH-së, rezulton se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 2017, IHD-të zunë një nivel prej 1.230 milionë eurosh. Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit pararendës, 2016, ato kanë qenë 1.334 të tilla. Ndërkohë, që në fund të vitit 2014, kujtojmë se investimet e huaja direkte

kanë qenë 1.230 milionë euro, një nivel ky i përafërt pikërisht me atë të fundvitit të kaluar, duke treguar në këtë mënyrë se pas disa vitesh rigjallërimi të tyre, ato sërish shkuan “në vendin e vet”.

Dukuri kjo që shpjegohet edhe me mbylljen e fazës së investimeve për disa projekte të rëndësishme në vendin tonë, të tilla si gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), apo hidrocentrali i Devollit.

Ndërkohë, që i njëjti krahasim vlen edhe po të llogarisim investimet e huaja direkte në tërësinë e këtyre dy viteve. Kështu, gjatë gjithë vitit të kaluar 2017, totali i IHD-ve ka qenë prej 5.087 milionë eurosh.

Kurse gjatë gjithë vitit 2016, investimet e huaja direkte arritën një total prej 5.406 milionë eurosh. Për të konfirmuar edhe njëherë trendin rënës të tyre, e duke treguar kështu se të huajt po hedhin më pak pará në formë investimi në vendin tonë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: