TË DY KRAHËT PO BIEN – OPINION NGA FRROK ÇUPI

TË DY KRAHËT PO BIEN – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kush do të ngrihet për qeverisjen e vendit? - kjo është pyetja. Pyet “populli”, pyesin pjesëtarët e onturazhit të krahëve..., ndoshta pyesin edhe diplomatët që duhet t’u dërgojnë ndonjë përgjigje, qeverive të tyre në perëndim.

Vetëm përgjigjja e verbër e politikanëve se, “nuk mund të ketë forcë të re”; vetëm kjo që është përgjigjja më idiote...!

Si Partia Socialiste që mban “gjithë pushtetet”, ashtu edhe Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (në opozitë), kanë “rënë përdhe”. Asnjëra prej tyre nuk shkon me këmbët e veta, deri në zgjedhjet e ardhshme...

Partia Socialiste mblodhi pardje Asamblenë e Përgjithshme dhe thuajse shpalli rënien e vet. Kryetari i Partisë shpalli dy armiqtë më të egër të qeverisë: Armiku i parë - opozita, sipas kryeministrit. Armiku i dytë – populli, që e ka perceptuar qeverinë si “arrogante”.

Një qeveri që konsideron “rrezik” jetik, dy elementët më të domosdoshëm për të jetuar, ndërkaq ka rënë. Asnjë qeveri në këtë shekull (madje në asnjë shekull tjetër), nuk mund të rrojë pa popull dhe pa opozitë... Qeveria, prej kohe, ka humbur besimin e votuesve të vet, ka asfiksuar ekonominë dhe disa nga liritë e domosdoshme, ka lënë të lirë krimin, ka hyrë në një korrupsion galopant, saqë edhe sikur të lërë diçka pa vjedhur, askush nuk beson se edhe atë nuk e ka vjedhur. Ka rrënuar edhe orientimin e kombit për nga aleatët e mëdhenj e të besueshëm...

Sikur nesër të shpallet një fushatë elektorale, qeveria nuk fiton më.

Sikur nesër të shpallen zgjedhjet, as opozita nuk fiton aq sa për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes. Nëse do të votohej kjo opozitë, atëherë pse të mos votohej vetë qeveria!? Aq sa është perceptuar qeveria si e korruptuar, e pamëshirshme ndaj njeriut, kultivuese dhe trafikuese e narkotikëve - aq është perceptuar opozita si e lidhur me qeverinë. Opozita, praktikisht, është ndihmësja më e afërt e qeverisë. Marrëveshja e fshehtë e lidhur në maj të vitit të kaluar mes PD-së dhe PS-së, vazhdon të ketë hijen e komplotit ndaj demokratëve - opozitarë me qeverinë. Partia Demokratike është tërësisht e përçarë, pa energji, pa ide, pa besim, pa fe. Dje, e dielë, PD-ja mbajti Kuvendin Kombëtar, me një temë që nuk i përket asgjëje nga interesat e zgjedhësve. Tema është: “Statuti dhe kryetari” Njësoj si PS-ja që e mblodhi Asamblenë ditën e shtunë, me shpresën se mund ta ndalë sado pak rënien, edhe PD-ja mbledh nesër “këshillin”..., me qëllim që të zgjasë edhe pak ditë...

Ndërsa LSI-ja në opozitë, ende konsiderohet si “pjesë në qeveri”.

Kanë rënë. Pyetja shtrohet: “Kush do të ngrihet?” - në vend të tyre dhe “çfarë pritet”.

I pari është rreziku, “askush tjetër në fushë!”

Nëse ndodh që deri në zgjedhje, askush nuk do të zërë vendin e konkurrentit për qeverisje, do të na ngjallet, për herë të parë, fantazma e “popullit jashtë politikës”. Rreziku që vjen nga “turmat e pakontrolluara” politikisht, do të sillte kaos. Kush do t’i mbante turmat, nëse “fantazma” shfaqet në ndonjë cep të situatës?... Opozita nuk ka pikë autoriteti, as ndonjë projekt të ndryshëm nga qeveria. Autoriteti i elitës intelektuale, ka rënë prej kohësh. Mediat janë kapur në “kopshtin” e qeverisë dhe të oligarkisë financiare. Pas kësaj, askush nuk beson se lajmi “i vërtetë” është më i rremë se e pavërteta. Kisha dhe xhamia nuk janë në traditën, as kapacitetin për të ndaluar trauma. Qysh ditën kur kombi pranoi përrallën se, “shqiptari është i pafé”, nuk mund të kërkohet gjë më... As të dërguarit e BE-së nuk besohen më këtu. Mbështetja që i dhanë nëpunësit e BE-së kriminalizimit, narkotizimit, qeverisjes së keqe, etj., kanë krijuar distancë të madhe me individin. Nuk mund të ketë më një “Vraniski”të dytë të krizës së 1997.

E dyta është sajesa “të gjithë bashkë”.

Nëse formula “të gjithë bashkë” në qeveri të të gjithëve, do të proklamohej para ditës së zgjedhjeve, atëherë as njëzet për qind e votuesve nuk do të shkonin në zgjedhje, dhe ky është dështim i demokracisë së votës. Instinkti i të dy krahëve për manipulimin e votës, do të krijonte “luftë” mes “aleatëve”në qeveri - dhe kjo do të shkatërronte formulën. Asnjëri nga krahët nuk mund të mos manipulojë... Sikur formula e “qeverisë së të gjithëve bashkë” do të zhvillohej pas zgjedhjeve, kjo do të ishte false. Eksperimenti i “bashkëqeverisjes” që doli nga marrëveshja e majit 2017, mes PS-së dhe PD-së, dështoi në mënyrë qesharake. Të dy partitë janë aq shumë të rrënuara, saqë dëmet e mëdha ndaj kombit, janë parë edhe një herë më parë.

E treta, a lind një “forcë e re”?

Po t’u tregosh këtyre ligjësinë e përgjithshme se, padyshim që forca e re lind, ose edhe është duke lindur, këta do të të pyesin: “Po hë, cila është?” Nëse do të kishim një demokraci partiake aq të mirë, saqë në një kohë krize të lindnin forca të reja në praninë e të vjetrave – atëherë, pse do të thoshim se “demokracia ka rënë”, siç po ndodh. PS-ja dhe PD-ja kanë bërë gjithçka kishin në dorë që, rreth tyre, “të digjej” toka dhe të mos lejohej “bari” i një force të re. Por kjo është e pamundur...

Ligjësitë e politikës perëndimore kanë krijuar modelin e “lindjes papritur”, të forcave që marrin në dorë fatet qeverisëse. Macron në Francë, ishte veç një bankier dhe pastaj një ministër, por u kthye në President të Republikës. Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara, pa parti, një individ i suksesshëm në fusha jo politike. As PS-ja dhe as PD-ja në vendin tonë, nuk e besuan se “Trump ka fituar”, edhe pasi kishte fituar. As Matteo Salvini nuk mund të perceptohej si lideri më fitues në Itali, gjatë kohës që një Matteo tjetër (Renzi), mbante në dorë qeverisje të keqe. Britanikët votuan kundër burokracisë së BE-së dhe dolën nga ky organizëm, duke përcaktuar një trend të ri perëndimor. Votuesit gjerman, për herë të parë, sollën në Bundestag, djathtistët ekstrem të Alternativës për Gjermaninë. Votuesit hungarezë, për herë të tretë, ia besojnë qeverisjen konservatorit Orban, i cili ka kundërshtuar politikat skllavëruese të BE-së mbi emigracionin masiv. Kombet e Vishegradit janë grupuar në solucionin konservator “kombe patriotike”, që kundërshtojnë sistemin e qeverive “korrekte” liberale...

Këtu fusha e konservatorizmit politik është “djegur” si bari, nga dy partitë e mëdha, që tani presin rënien. Këta kanë vetëkrijuar “garancitë” se, në vend të tyre nuk ka forca të tjera që po lindin. Gabimi është tragjik. Këta që deklarojnë se “vdesin” për kombin, nuk ia njohin kombit vlerën e të krijuarit të forcave të dobishme.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: