Takoi Enverin në Tiranë, kreu i shoqatës së miqësisë me Francën e quajti udhëheqës totalitar

Publicitet
Publicitet
Takoi Enverin në Tiranë, kreu i shoqatës së miqësisë me Francën e quajti udhëheqës totalitar
INTERVISTA/ Flet ish-Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Prof. Pol Miliez në vizitën e tij u prit edhe nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Si e hoqa nga botimi artikullin e tij kudër Enverit. Befasia nga deklarata e tij: Një herë tjetër do vini tek mendimi im i palëkundur

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Në Francë kanë ekzistuar dy shoqata të miqësisë me vendin tonë. Në prill 1972, filloi nisma për shoqatën e dytë, e cila synonte ta zhvillonte më tej raportin me Shqipërinë socialiste të asaj kohe. Madje, kryetari i saj, Pol Miliez, zhvilloi dhe një vizitë në Tiranë, ku u takua me Enver Hoxhën, lidhur me të cilin befasuese ishte cilësimi i tij në një shkrim të më pasmë në Francë, se ai ishte një “udhëheqës totalitar”. Detaje këto që jepen gjatë këtij rrëfimi të ri për “Albanian Free Press” e ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Francë, gjatë kohës së komunizmit, Hasan Luçi. Shoqëruar edhe me përpjekjen e tij, për ta hequr patjetër këtë shkrim nga botimi, pasi një gjë e tillë sipas tij, do të dëmtonte me siguri marrëdhëniet mes dy vendeve tona në atë periudhë, e mbi të gjitha punën që bënin shoqatat e miqësisë në atë kohë...

Z. Luçi, kur dhe si u krijua shoqata e dytë e miqësisë franko-shqiptare?

Në prill 1972 u mor nisma për ngritjen e saj nga veprimtarët e njohur, si filozofi marksist-leninist, Zhilber Myri dhe dr. Abraham Behari. Ditën e ceremonisë së saj ndodheshin prof. Moris Bomo, akademik; prof. Bernar Halpern, anëtar i Akademisë së Mjekësisë; prof. Pol Miliez; prof. Vilari i njohur i Sorbonës; shkrimtari Robert Eskarpit, prof. Vensan Montej; shumica e të cilëve patën ardhur në Shqipëri. Kryetar i saj u zgjodh prof. Pol Miliezi, një autoritet i madh i mjekësisë franceze dhe sekretar i përgjithshëm, Zhilber Myri. Kjo mbledhje pati sukses të plotë, qe organizuar mirë, me shtrirje të gjerë në shoqërinë franceze. Por përsëri disa shprehën dyshimin se mos pushtohej nga majtistët. Në fakt gjithçka tregonte se kjo ishte një punë shumë e mirë dhe serioze pluraliste, nga vetë përbërja e këshillit dhe kryesisë së saj. Sigurisht, në bazën e degëve të saj do të kishte dhe pati shumicën e majtë, e motivuar nga ideologjia marksiste-leniniste dhe për interesin e njohjes së Shqipërisë, e cila me politikën e miqësisë në botë, tërhiqte vëmendjen e tyre, të njerëzve të lidhur me lëvizjet për çlirim në shumë vende. Pati edhe studentë të katedrës shqipe në Gjuhët lindore të Parisit. Në këtë këshill bënin pjesë një numër profesorësh të universiteteve, akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë, publicistë, gazetarë etj. Më pas, u botua një deklaratë në të cilën mes të tjerave thuhej se shoqata ka për qëllim të vendosë në veprim të gjitha mjetet e nevojshme për të informuar publikun francez mbi Shqipërinë, territorin, të kaluarën, institucionet dhe të gjitha fushat e jetës së saj, të sotme.

Por edhe të favorizojë e të zbatojë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike e kulturore mes dy vendeve, si dhe të zhvillojë miqësinë e popujve të Francës e të Shqipërisë. Shoqata i vuri gjithashtu detyrë vetes të organizojë e bëjë veprimtari informative, shfaqje filmash si edhe udhëtime miqësie. “Shoqata bën thirrje gjithmonë me vullnet të lirë për të krijuar kontakte që të përfshijnë në këtë të gjitha opinionet filozofike e politike, të cilat i bashkon simpatia për një vend dhe popull trim, përvoja e të cilit është thellësisht origjinale”, citonte deklarata. Ajo u nënshkrua nga kryetar prof. Pol Miliez; sekretar i përgjithshëm Zhilber Myri; anëtarë të kryesisë: zonjat Fajen e Pino, z.Badu, profesorët Buron, Bernar, Berzhëron, Hudar, Zhale, Lamber, Mile, Montej, Portal, Rusel, Sador dhe Vilar.

 Cilët ishin disa personalitete të tjera të njohura të kësaj shoqate?

Këtu po përmend disa, një pjesë të të cilëve i njihja nga vitet 1961-1968 dhe të tjerët që i njoha në vitet 1972-1977. Nënkryetarë u zgjodhën prof. Iv Lakost e Suzanë Myri; anëtarë të këshillit prof. Asan, prof. Bomo dhe zonjusha Bomo, Ksavie dë Kurvil, prof. Rëne Dymo, Zhan Dytzer, R. Eskarpit, Klodi Fajen, Monikë dë Fontanes; profesorët K. Gyt, Hudar, Bernar, Lamber, Vensan Montej, Portal; miqtë Olivier Lando, Mishel Mete, zonjat Rozë-Mari Mulen, Marta Pino (gruaja e ish ambasadorit francez në Tiranë). Kurse anëtarë të kryesisë u zgjodhën Iv Lëturner, prof. Alen Dyselie, Odilë Daniel, Madëlenë Ostrin-Behar, Didie Galand, Mishelë Galand, zonja Ani Zhirar, Zherar Zhirar, Ana Azeria, Xhems Dyran, Zhan-Pier Lëkyr, Bernar Ransijak, Zhakëlinë Vesher, etj. Mbledhjen e qershorit e hapi prof. Vilari, i cili uroi për suksesin e kësaj nisme mes dy popujve tanë. Mbi nevojën e kësaj shoqate miqësie foli edhe shkrimtari Robert Eskarpit, i cili lavdëroi traditat e larta të popullit shqiptar, shembullin e madh që jepte Shqipëria në botë dhe mbi detyrën e madhe që kishin miqtë e saj për ta popullarizuar sa më mirë atë.

Po në Shqipëri, kush e dha lajmin për formimin e shoqatës së re?

Gazeta “Zëri i Popullit” e dha lajmin, më 1 korrik 1972, por çuditërisht nuk shënoi pjesëmarrjen e ambasadorit J. Malo dhe të diplomatëve të tjerë. Nuk e quajti as mbledhje themeluese të shoqatës. Në fakt, ambasada jonë punoi gjatë me miqtë e ndryshëm, derisa u arrit krijimi zyrtar i kësaj shoqate miqësie.  Kurse puna e parë që unë personalisht bëra pas krijimit të shoqatës, ishte përgatitja e delegacionit të saj që kërkoi të vizitonte Shqipërinë.

Cilët ishin anëtarët e këtij delegacioni dhe nga kush u prit?

Në gusht 1972 ftuam për vizitë në Shqipëri Zhilber Myrin, sekretarin e përgjithshëm; dr. Abraham Behar, anëtar i kryesisë dhe prof. Vensan Montej, historian; për bisedime më të gjera mbi veprimtarinë e shoqatës dhe ndihmesën që do t’i jepej asaj në fushën kulturore me literaturë shqiptare, etj.

Po prof. Pol Miliezi kur e vizitoi Shqipërinë?

Prof. Pol Miliezi, kryetari i shoqatës, me gruan u ftuan dhe e bënë vizitën në gusht-shtator 1972. Ai u prit nga kryeministri Mehmet Shehu, vetë Enver Hoxha, por edhe Hysni Kapo. Ky ishte udhëtimi i parë i tij dhe ai u kthye nga Tirana me përshtypje të mira dhe veproi si mik i nderuar. Me rastin e festave të ndryshme në vendin tonë ftoheshin delegacione të ndryshme nga shoqata, pastaj filluan grupet e studimit, vizitat e grupeve turistike të shoqatës etj.

Kë do veçosh nga këta intelektualë?

Flas me konsideratë për veprimtarinë e shquar të nismëtarit kryesor të shoqatës, Zhilber Myri. Që 20 vjeç ishte anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe partizan i Rezistencës Antifashiste. Ai qe një studiues i thellë dhe punonte shumë. Edhe gruaja e tij, Suzanë Myri ishte marksiste-leniniste. Ai botoi shumë artikuj për Shqipërinë në shtypin francez. Si edhe librin “Shqipëria, tokë e njeriut të ri”, i cili pati shumë sukses në kohën e vet, pasi ishte libri i parë nga ana e një komunisti të vjetër të botuar, pas çarjes në ish-kampin socialist dhe botuar nga botuesi më i njohur në Francë e në botë për botime të majta. Ky libër madje edhe u ribotua. Më 1 maj 1975, ai vdiq nga hemorragjia cerebrale dhe ne humbëm një shok e mik të ngushtë e të shquar të Shqipërisë.

Flitet shumë për prof. Pol Miliez. A mund të na sillni sadopak njohje për lexuesin për këtë mik të madh të Shqipërisë?

Kryetari i shoqatës, dr. Pol Miliezi ishte një profesor i klinikës mjekësore të fakultetit të mjekësisë së spitalit “Bruse”, e mirënjohur në Paris dhe në botë. Ai punonte si mjek i përgjithshëm i spitaleve. Ishte një autoritet shkencor dhe një personalitet i famshëm në Francë e jashtë vendit, në disa rajone të botës. Nuk kisha asnjë javë që mbërrita në Paris dhe kam shënuar në ditarin tim datën 17 janar 1972, kur u takova me prof. Pol Miliezin për çështjen e vizitës së Hysni Kapos, që kishte vajtur atje një javë para meje, më 11 janar. Që në  vajtjen e parë në Paris e njoha si mjek, ku çonim njerëzit tanë të udhëheqjes për vizitë, kështu që në shoqatë patëm takime më të shpeshta e u lidhëm me miqësi të mirë. Ai ishte tepër i thjeshtë, gjithnjë buzagaz dhe i vëmendshëm në bisedë, më dëgjonte pa m’i hequr sytë, pavarësisht nga mosha e re që kisha. Gjithashtu edhe zonja e tij, që na priste buzagaz në shtëpinë, ku vizitonte pasdite Miliezi. Ajo qe një sekretare e sigurt e tij. Ai ishte njeri shumë i hapur dhe i durueshëm për të mbajtur edhe ekuilibrin e rrymave të ndryshme nëpër degët e shoqatës në Francë. Ai më këshillonte se me cilët persona duhet të punoja realisht për çështjet e shtypit e të kulturës dhe njerëz jashtë saj të këtyre fushave. Për mua, kjo mënyrë sjellje nuk bëhej për të na gabuar në punën tonë, përkundrazi. Për të kuptuar më mirë se kush ishte prof. Miliezi mjafton përshkrimi shkurt i kësaj ngjarje: Pasi u kthye nga një vizitë në Tiranë, ku e priti Enver Hoxha për drekë, prof. Miliezi shkroi një artikull të shkurtër për revistën e shoqatës dhe ia dorëzoi kryeredaktorit Iv Lëturner, i cili më kërkoi takim urgjent. U takuam dhe më tregoi artikullin e tij dhe shtoi i alarmuar se ky artikull do të bënte bujë të madhe dhe do të shkaktonte probleme me shoqatën, sepse ai kritikonte direkt Enver Hoxhën si udhëheqës totalitar. Ai ma dha tekstin dhe e lexova. Lëturneri kishte plotësisht të drejtë dhe duhej vepruar shpejt dhe drejt për të mos prishur punët më keq. U ndava me të duke e qetësuar, pa i marrë kopje dhe i thashë se do t’i përgjigjesha shumë shpejt. Vura në dijeni menjëherë ambasadorin J. Malo dhe i propozova që të vija unë i pari tek prof. Miliezi dhe nëse mua nuk do të më ndizte për ta zbutur çështjen, atëherë ta takonte Javeri vetë me autoritetin e ambasadorit. I kërkova takim urgjent profesorit, por zonja Miliez më tha se ai ishte shumë i zënë me punë. Iu luta qoftë edhe dy minuta në këmbë patjetër. Pranoi dhe shkova, prita pak dhe sa mbaroi vizitën e fundit të mbrëmjes, ende pa e zhveshur bluzën e bardhë më tha: “Ç`ka bërë vaki, mon cher ami?”, - gjithnjë buzagaz dhe më zgjati dorën e ma shtrëngoi fort. “Ju faleminderit jashtëzakonisht për pritjen e shpejtë,  nuk desha t’ju shqetësoja, por duke kërkuar të falur për këtë veprim, miku ynë i përbashkët Lëturneri më tha për artikullin tuaj dhe ju lutem si mik i shtrenjtë i vendit tim dhe miqësisht nga vetja ime, që mundësisht ta zbutni pak artikullin për buletinin e shoqatës, pasi mendoj sinqerisht se nuk është në dobi të saj në këtë kohë”. Ai buzëqeshi, si zakonisht, duke picërruar sytë dhe duke më dhënë dorën më tha: “Ashtu qoftë, mon cher ami, bisedoj unë me z.Lëturner, duket se jeni të dy marksistë, por unë u kam miq ju shqiptarëve e palestinezëve Një herë tjetër do vini tek mendimi im i palëkundur, mesa pashë atje!”. “Më falni për ndërhyrjen, -shtova unë, - dhe ju falënderoj shumë nga zemra për zgjidhjen e urtë, me kënaqësi”. “Mirë, mirë, mon cher ami, pimë një uiski dhe ikim me vrap, se kemi prapë punë në këtë botën tonë!” U ndamë pasi e hodha shpejt e shpejt gotën, pa e shuar uiskin me akull, nën buzëqeshjen e veçantë dashamirëse të prof. Miliezit, se i qeshte gjithë koka dhe i shkëlqenin dhëmbët jashtëzakonisht të bardhë. Duke u kthyer në shtëpi më këmbë, fluturoja nga gëzimi dhe doja të mendoja ende duke ecur në ajrin e ftohtë të mbrëmjes pariziene, që prof. Miliezi s’e bëri fjalën dy dhe që shpëtuam nga një telash i madh, që nuk dihej se ku do na çonte për kapriçot e kohës. Javer Malos ia tregova rezultatin e takimit, por ai nuk më tha asgjë. Miku im Lëturneri nuk më tha se çfarë i kishte thënë prof. Miliezi për artikullin fhe ndërhyrjen time, por gjithsesi më tha se ai nuk e kishte besuar se do të ishte kaq e lehtë për zgjidhje kjo çështje. “Mesa duket na vlerëson të dyve, -ia prita unë, -prandaj duhet të jemi më të vëmendshëm në takimet me të, se ai ka logjikë të fortë e të arsyeshme me moshën që ka. Nuk ia përmenda atë që tha prof. Miliezi për ne të dy, doemos”. “I fortë je, që more guximin t’i thoje të kundërtën për këtë çështje”, shtoi Ivi. “Miqësia e rastësia janë motra dhe të forta me guximin, -i thashë, -pastaj proletarët s’kanë ç’të humbasin, veç prangave”. “Ti je komunist special mesa të njoh unë, -vërejti Lëturneri, - nuk je i ngurtë, as aq diplomat, mon cher kamaradë”.”Më i forti, je ti, mon cher Leturner, që more vendimin e drejtë për të rrezikuar apo jo që ma hape zemrën për atë artikull?” Qeshëm të dy dhe u ndamë, pasi e pimë nga një uiski pa akull, sade, për të fjetur të qetë.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

***

Nesër do të lexoni:

“Kur vdiq Enver Hoxha, prof. Miliezi dha një intervistë të shkurtër në TF 2 të Francës më 11 prill 1985:

- Enver Hoxha ishte sigurisht një njeri misterioz, por ishte jashtëzakonisht inteligjent, frankofon, e njihte mirë vendin tonë

- “Përveç Shqipërisë nuk ka vend tjetër komunist që t’i këtë mbetur besnik Stalinit”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: