STOPIM ANGAZHIMI PËR KORRUPSIONIN PARA NEGOCIATAVE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

STOPIM ANGAZHIMI PËR KORRUPSIONIN PARA NEGOCIATAVE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tashmë duhet të bindim vendet anëtare që i meritojmë negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me strukturat e BE-së, punët janë në rregull dhe madje vetë presidenti i BE-së në Tiranë u shpreh se keni bërë mjaftueshëm sa për të nisur negociatat. Por kaq nuk mjafton. Ndërkohë që prej vendeve të veçanta vijnë zëra të cilët theksojnë çështjen e korrupsionit dhe të krimit në nivel të lartë në Shqipëri. Zëra që sidoqoftë prishin punë për objektivin që kemi dhe që deri në qershor duhen treguar prova që ata të ndryshojnë mendje. Por pikërisht tani që duhet dëshmuar vendosmëria për reformat e që ato po implementohen, ritmi i tyre ka rënë. Në javët e para të këtij viti, pati një sërë çështjesh të nisura për korrupsion të zyrtarëve dhe kjo po jepte shpresën se gjërat po nisnin të lëvizin. Por ritmi ka rënë ndjeshëm dhe duket se ka një frikë për ta futur plugun më thellë. Ndonëse nuk mungojnë deklaratat për angazhimin e të gjitha strukturave në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, avancimi është stopuar. Nuk ka më asnjë rast tjetër relevant dhe medias i duhet të përtypë atë çka ka ndodhur muaj të shkuar.

Përkundrejt historive me peshq që do bien në rrjetë, pati disa arrestime të zyrtarëve, të cilët janë marrë me rrugën Tiranë-Elbasan për abuzime me fondet. Pas kundërpërgjigjeve nga opozita se hetimi i nisur ishte me ngarkesë politike, u mendua se pavarësisht zhurmës që bën si zakonisht politika kur akuzohen pjesë të saj, vetë hetimi dhe gjykimi do të dëshmojnë se drejtësia funksionon. Nëse janë fajtorë, të bëhet drejtësia dhe të marrin atë që meritojnë e deri këtu nuk ka asgjë të veçantë. Në fund të fundit, për këtë janë organet e hetimit dhe drejtësia këtë funksion ka. Por çka po ndodh për një hetim normal, është paksa shurdhuese kur dëgjon buritë se me këto hapa po goditet rëndë korrupsioni në Shqipëri. Ashtu siç ka dhe buri të tjera se ky hetim është i motivuar politikisht dhe bëhet vetëm për të goditur segmente të opozitës. Në këtë kakofoni dëgjohen vetëm akuza të ndërsjella politike dhe pak gjëra që kanë të bëjnë me çështjen konkrete.

Përveç kësaj çështje, hetimi për korrupsion në strukturat shtetërore u shtri së pari në Kavajë me abuzimet e tokave në Spille, ku përfshiheshin drejtues hipotekash dhe zyrtarë të pushtetit vendor. Më e thelluar në këtë drejtim u bë në Bashkinë e Lezhës, sërish për falsifikim, abuzim dhe tjetërsim të pronës, në zonën e Shëngjinit. Kësaj radhe, arrestimet ishin më të bujshme dhe u shndërruar në një spektakël, kur vendos masë arresti për një pjesë të rëndësishme të zinxhirit drejtues të Bashkisë Lezhë, duke filluar nga kryetari i saj. Por nga arresti, shumica e tyre pak më vonë dolën me masa më të lehta, ndërsa vijon procesi hetimor. Duke marrë shkak nga abuzimi me trojet në këto dy bashki, drejtues të mazhorancës u shprehën se do ta vijojnë kontrollin e hetimin gjatë gjithë bregdetit ku rezultojnë dhe abuzimet më të mëdha me pronat. Për këtë u premtua se do të ketë dhe një task-forcë, e cila do të ndjekë problematikat nga Velipoja në Durrës dhe nga Vlora në Sarandë. Në media qarkulluan informacione të rezervuara se fati i kryetarit të Bashkisë Lezhë do të ndiqte dhe kryetarë të tjerë të bashkive të qyteteve bregdetare. Por pas dy muajsh nga kjo iniciativë, asgjë nuk duket në horizont. Dhe as ka ndonjë sinjal se hetimi është marrë seriozisht.

Pavarësisht padive të hapura dhe dosjeve nën hetim, sistemi i drejtësisë është tepër i ndrojtur e i brishtë përballë fuqisë që ka grumbulluar rreth vetes klasa politike. E kjo ndodh me zyrtarë të nivelit lokal, pa shkuar te zyrtarët e rangjeve të larta. Si mund të mendohet se një ministër a funksionar tjetër i lartë të mund të gjykohet paanësisht e në mënyrë profesionale, kur sistemi është thuajse në kolaps për çështje më të thjeshta si për shembull ato të pronave e jo më për figura që do të kenë edhe mbështetje nga forcat politike përkatëse.

Sistemi i drejtësisë është ende i dobët dhe përballë kësaj klase të fuqishme politike, balanca është në disfavor të saj, ndërsa mund të ketë dilema se i vetëm mund të ndërmarrë një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative në shoqërinë shqiptare. E vetmja mënyrë që gjendja të duket se po merr rrugë mund të vijë po nga politika. Dhe kjo, në rastin konkret për të dhënë disa shembuj se ka angazhim për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa diskutohemi nëse jemi të bindshëm apo jo për të merituar hapjen e negociatave. Shpresohet se kështu të paktën dhe shoqëria do të pastrohet pak. Por sidoqoftë, kjo nuk shpreh ndonjë seriozitet maksimal. Aq më shumë kur asetet politike që do të lejohen për t’u goditur, do të jenë pas një përzgjedhjeje.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: