SKANDALI/ Zhduken 1 miliard dollarë nga arka e shtetit, KLSH denoncon vjedhjen e fondeve

Publicitet
Publicitet
SKANDALI/ Zhduken 1 miliard dollarë nga arka e shtetit, KLSH denoncon vjedhjen e fondeve
Në Shqipëri, shteti vazhdon që “të vjedhë” shtetin. Skema tashmë e njohur e vjedhjes së fondeve publike, denoncohet edhe në raportin e radhës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, dorëzuar në Kuvend. “Albanian Free Press” paraqet për lexuesin shkeljet konkrete të denoncuara prej tij. Por edhe shifrat alarmuese, që e shoqërojnë atë, siç është ajo e plot 1 miliard dollarëve që institucionet, qofshin ato qendrore apo vendore kanë shpërdoruar nga fondet publike...

Në Shqipëri, shteti vazhdon që “të vjedhë” shtetin.

Skema tashmë e njohur e vjedhjes së fondeve publike, denoncohet edhe në raportin e radhës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, dorëzuar në Kuvend.

Sipas raportit, nuk janë pak, plot 1 miliard dollarë që institucionet publike, qofshin këto qendrore apo vendore kanë shpërdoruar vitin e kaluar nga arka e përbashkët e buxhetit të shtetit.

“Në total, janë konstatuar shkelje në shumën e rreth 825.6 milionë eurove”, vlerësojnë ekspertët e KLSH-së. Një dëm ky që sipas tyre, është shkaktuar prej institucioneve së pari, nga parregullsitë dhe shkeljet e tyre financiare me shpenzimet e kryera gjatë vitit të kaluar.

“Vetëm ky dëm llogaritet në shumën totale prej 85.8 milionë eurosh”, vlerësojnë ata. Ose e thënë më thjesht, i bie që ai të jetë sa 1/10-ta e gjithë dëmit financiar shkaktuar buxhetit të përbashkët të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, një veprim që duket se e dëmton atë është edhe ai i shkeljes së disiplinës financiare.

“Ndikimi negativ që ajo ka shkaktuar ka qenë rreth 700 milionë euro në fushën e të ardhurave dhe rreth 50 milionë euro në fushën e shpenzimeve”.

Dhe si të mos mjaftonte ky rezultat negativ i konsiderueshëm i vitit të shkuar, për ekspertët e KLSH-së, çka paraqitet më shqetësues, është fakti se dukuria e shpërdorimit të fondeve publike, e konsoliduar sidomos në vitet e fundit, ka një prirje negative, e predispozuar të vazhdojë.

“Niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive apo me efekte negative në buxhetin e shtetit, vazhdon të mbetet i lartë”, theksojnë ata.

Duke lëshuar në këtë mënyrë alarmin për atë që i pret fondet publike edhe gjatë viteve në vijim, nga vetë institucionet, që ligji në fakt, i ngarkon me detyrimin për t’i vënë ato në përdorim.

Gjë që sipas tyre, e tregon edhe kurba në rritje nga viti në vit, e shpërdorimeve me fondet publike. Konkretisht, ajo tregon se niveli i tyre është dyfishuar me periudhën e dhjetë viteve më parë. Teksa ka arritur, nivelin e saj më të lartë, në vitin 2015, kur u denoncua edhe shifra më e lartë e tyre, deri në 125 miliardë lekë.

“KLSH nga auditimet e kryera në vitin 2017 ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të dobëta dhe inefiçencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke krijuar të gjitha mundësitë për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore”, është një tjetër kritikë e ashpër që lëshojnë ekspertët e KLSH-së në raportin e tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: