“SHUSHATJA” E PARISIT – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

“SHUSHATJA” E PARISIT – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

S’je as e para dhe as e fundit, jeton jashtë mi goce, mi goce, je me sharmë e me elegancë, trash buzët në ekran, je romantike si një rilindëse dhe flet, po po, ti zë e flet. Sepse ai, Parisi i ëndrrave dhe zhgjëndrrave, na paska “ligjëruar” as më shumë e as më pak, por një të tërin e të bërin, shokun tat,  kryeministër.

Parisi i madh, ai me dhjetëra raca, kombësi, rryma arti, na qenka magjepsur nga djaloshi rebel me fjalor të magjishëm.

Nuk e kam kurrë zakon të gajasem me budallallëkun, e as tani nuk po e bëj. Sepse kjo lëpirje pariziene mbi “shushatjen” e Parisit, është shumë më serioze se sa duket.

Kjo lëpirje që asgjë të lidhur me oksidentin nuk ka, ka shkaktuar drama në këtë vend, është një servilizëm i rëndomtë ballkanik, e ky vend që s’po bën rehat, e ka ngrënë vençe prej zvarritjesh si kjo, e prej saj, sot gjendet me një pozitë megalomane e despotike, pikërisht sepse ata pak njerëz me tru në kokë që shikonin delirin dhe kuptonin rrezikun e tij, heshtën ose u lëpinë, vetëm për të ardhur në karrige.

Prej këtij lloj servilizmi, sot jemi me një opozitë jo vetëm me firo në numër, por që nuk ka më palcë kurrizi, madje shkon e kërcen pogonishten me pozitën, thjesht sepse ajo që i intereson është vetëm një copë tortë servirur në tavolinë.

Duket absurditet, por servilizmi dhe lëpirja janë dukuritë që lanë këtë vend me një këmbë në tokë e një në humnerë.

Shumë shqiptarë, mi goce, mi goce, kanë jetuar në mes të Evropit për shumë vite, e nëse ka diçka që andej mëson mirë është se, njerëzit janë aq të thjeshtë, po aq sa madhështia dhe gjenialiteti i tyre.

Në qarqet intelektuale ku pretendohet se ke lulëzuar dhe e besoj, nuk habit më askush dhe asgjë. Në mesin e shumë “kokave” e “gjenive” të penës dhe tingullit, ka mijëra histori, mijëra “fjalorë spektakolarë”, e mos harro kurrë, ne jemi një vend i vogël e sado talente të kemi në mes tonë, nuk mundet kurrë të çudisim dynjanë.

Të kanë informuar gabim, nëse mendon se me “ledhatime” do jesh njëshi i këtij vendi e të “zbresësh” në Rinas gjenialitetin tënd. Ky vend me gërxhe e lumenj, ka treguar se ka zhveshur nga tangërlliku shumë njerëz që kanë ardhur, me shpatë në dorë, për të na “qytetëruar”.

Ne këndej nga katundi Tironë, nuk na magjeps më asgjë, as ti, thjesht trishtohemi se, përse edhe një mendje e ndritur paska ikur dëm.

Si ty, "chérie", ka pasur edhe të tjerë mendjendritur që kanë mbushur “hirësinë e tij” me lëvdata, nuk mbeti balerin e këngëtar, shkrimtar e piktor, pa kërcyer “ra Faja te fiku” në festat e “hirësisë”, na ftuan edhe ata të magjepsemi, por ku janë sot?

Sot ose janë çmagjepsur, ose, maksimumi, mbjellin pemë me shpresë se një tjetër “magjepsës” do të bëhet kryeministër me testament nga jashtë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: