SHQIPËRIA NË TRE MUAJ, MIDIS LUFTËS NDAJ KORRUPSIONIT DHE PROTESTAVE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

SHQIPËRIA NË TRE MUAJ, MIDIS LUFTËS NDAJ KORRUPSIONIT DHE PROTESTAVE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fillimi i vitit 2018, e gjen sërish më të forcuar shumicën e kryesuar nga Edi Rama. Dobësia e opozitës për të përçuar mesazhet në elektorat dhe mosbesueshmëria ndaj saj, bëjnë që ajo të jetë anemike dhe pa frymë iniciative. Betejat politike janë thjesht në Parlament me efekt propagandistik, por opozita nuk gjen forcë dhe mundësi ta shtyjë iniciativën e saj në shtresat qytetare. Kjo ndodh ndërsa dhe politikat ekonomike të Ramës, kanë nisur të fusin ujë dhe po rritet pakënaqësia e shtresave të ndryshme ndaj mënyrës së qeverisjes. Së pari, ekonomia mbetet thembra e Akilit e gjithë ngrehinës së ngritur. Pavarësisht premtimeve, rritja ekonomike nuk është domethënëse për të dëshmuar se reformat e ndërmarra kanë patur efekt. Sipas statistikave, ka rënë ndjeshëm konsumi i brendshëm i popullsisë, gjë që dëshmon se, ekonomia nuk ka vitalitet. Papunësia mbetet ende e lartë dhe ka një mungesë investimesh për ta zbutur, sidomos rënie të investimeve të huaja. Shqiptarët vijojnë të braktisin vendin për të kërkuar azil në Europë. Ndërkohë që, iniciativat e investimeve të qeverisë, po shkojnë drejt një grupi të caktuar kompanish që kanë lidhje me pushtetin.

Nga ana e qeverisë Rama, duket si një gjetje e çuar deri në ekstrem formula e Partneritetit Publik Privat, në çdo sektor të ekonomisë. Dhënia e sektorëve të caktuar, që nga shërbimet deri në vepra publike me koncesion për subjekte të caktuara private, është kritikuar gjerësisht si nga media dhe nga specialistë të pavarur. Kompanitë që përfitojnë nga skema e koncesioneve, janë pothuaj të njëjtat dhe që kanë marrë statusin e Investitorit Strategjik, duke u krijuar dhe lehtësira fiskale, ndërkohë që, politika e taksave për qytetarët e thjeshtë, ka gjetur një rritje të ndjeshme. Ndaj në media, por dhe nga opozita janë shtuar akuzat se, qeveria Rama po operon vetëm në favor të disa oligarkëve që ka krijuar dhe janë pranë saj, ndërsa peshën e taksave ia ka kaluar qytetarëve.

Situata duket se mund të sjellë përkeqësim të mëtejshëm në shifrat ekonomike, aq sa FMN-ja ka këshilluar qeverinë të heqë dorë nga skemat koncesionare, ku parashikohet shpërndarja e 1 miliard eurove për këto kompani. Po kështu, FMN-ja ka patur kritika dhe për taksa të veçanta, si ajo për rritjen e TVSH-së për biznesin e vogël, pasi kjo mund të pengojë frymëmarrjen e ekonomisë. Gjithashtu, FMN-ja shpjegon se, skema e koncesioneve do të rrisë më shumë borxhin e brendshëm (që qeveria nuk e llogarit si debit në statistikat e veta), çka ul mundësinë e marrjes së kredive, kur borxhi është në nivelin mbi 73% të PBB-së.

Protesta qytetare

Dy ngjarje u vunë në qendër të vëmendjes në fund të tremujorit. Së pari, reagimi i bizneseve të vogla, që janë të pakënaqura për rritjen e TVSH-së. Si nisëm e Shoqatës së Biznesit të Vogël, në disa qytete kryesore të vendit, si Tiranë, Fier, Korçë, tregtarët e vegjël mbyllën qepenat për një orë, në shenjë proteste.

Menjëherë pas kësaj në Kukës, bëhet një tjetër protestë e cila u përshkallëzua me dhunë dhe djegie të mjediseve të kompanisë koncesionare, që do të mbledhë taksën e autostradës. Kukësi mbetet një nga zonat më të varfra të vendit, ku papunësia është e lartë dhe ku ka një numër të madh të njerëzve që marrin asistencë sociale. Vendosja e taksës së autostradës që lidh vendin me Kosovën, i prek ata drejtpërdrejt, pasi nuk ka rrugë tjetër dytësore. Mungesa e transparencës se do të vendosej taksë dhe pagesa e lartë prej 5 eurosh, bëri që reagimi të ishte i ashpër. Policia ka ndërhyrë dhe ka bërë arrestime. Por situata nuk është qetësuar. Pavarësisht një tërheqje taktike të Ramës se, do të rishohë dhe do ulë taksën, banorët kërkojnë heqjen e saj.

Këtë kauzë e mori edhe opozita si të sajën, duke u shprehur se, qytetarët e paguajnë taksën e rrugës në çmimin e karburantit, që është 30 lekë më shtrenjtë për çdo litër, ndaj nuk ka pse të paguhet edhe tarifa për autostradën. Për këtë, opozita organizoi dhe bllokim të disa akseve të rrugëve në tre qytete të vendit.

Rendi dhe reforma në drejtësi

Ardhja e Fatmir Xhafaj si ministër i ri i Rendit, ka sjellë një shtim të vëmendjes dhe luftës së policisë ndaj krimit të organizuar. Ka një përpjekje më të efektshme. Sidoqoftë, trafiku i drogës vijon me shifra të mëdha. Nga Italia dhe Greqia raportohen çdo javë, kapje të sasive të mëdha të hashashit, transportuar nga trafikantët shqiptarë. Njëkohësisht, në portin e Durrësit u kap një sasi rekord heroine prej 640 kilogramësh, në një kontejner me banane, që vinte nga Kolumbia. Kjo dëshmon dhe lidhjen se, trafikantët shqiptarë po bëjnë dhe me tregje të tjera për lloje të ndryshme drogash dhe për ta përdorur Shqipërinë si bazë për ta shpërndarë në vende të tjera europiane.

Kapja e kësaj sasie u quajt sukses, por nuk u arritën të kapen kokat e trafikut, përveç shoferit dhe një punonjësi tjetër të firmës. Për këtë nuk munguan dhe akuza nga ana e opozitës se, një ngarkesë e tillë nuk mund të vinte pa një mbështetje politike dhe akuzuan segmente të politikës dhe policisë se janë të lidhur me trafikun e drogës. Shembujt e një viti më parë, kur drejtues të lartë policie komunikonin e ndihmonin trafikantët, ishin të freskëta dhe një pjesë e tyre u arratisën, përpara se të ndaloheshin nga policia.

Prokuroria ka një shtim të aktivitetit të saj, pas vendosjes si Kryeprokurore të përkohshme të Arta Marku. Pati lëvizje të drejtuesve të prokurorëve në rrethe, ndërkohë ka patur akuza ndaj rasteve të korrupsionit. Në dy raste kanë qenë për përvetësim të pronave në bregdet nga funksionarë lokalë në bashkëpunim, çka ka çuar në procedim penal një kryetar bashkie në Lezhë, së bashku me nënkryetarin e drejtorin e hipotekës, dhe po ashtu për drejtorin e hipotekës në Kavajë.

Një rast tjetër me abuzimin e fondeve për ndërtimin e rrugëve, ka çuar në pranga dy ish-drejtorë të përgjithshëm të rrugëve dhe zyrtarë te tjerë. Në procesin e këtij hetimi janë të përfshirë edhe ish-ministra, të cilët i përkasin LSI-së, që tashmë është në opozitë. Në të gjitha këto raste të kapjes së korrupsionit, është vërejtur se të akuzuarit i përkasin forcave opozitare, ndaj kjo ka çuar dhe në akuza se po bëhen hetime selektive, duke shmangur abuzimet e zyrtarëve të Partisë Socialiste. Gjithsesi, vala e hetimeve pritet të hapet më gjerë dhe të përfshijë raste të korrupsionit dhe abuzimit. Kësaj duket se nuk i ka shpëtuar dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, i cili përfundoi mandatin në dhjetor. Sipas dokumenteve që kanë dalë dhe në media, Llalla akuzohet se, në bashkëpunim me persona të dënuar ka kryer transaksione fiktive, që kanë rritur vlerën e pasurisë së tij.

Vetingu

Procesi i vetingut ka një vëmendje të shtuar në opinionin publik, pasi dhe perceptimi për korrupsionin në drejtësi është i lartë. Nga verifikimi i parë, gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Lulo, nuk e kaloi vetingun, pasi pasuria që ai kishte deklaruar, nuk e justifikonte sipas të ardhurave. Kjo bëri që, Gjykata Kushtetuese tashmë është jashtë funksionit, pasi nuk ka kuorumin e duhur që të mblidhet. Disa kohë më parë, u kishte mbaruar mandati dhe ishin dorëhequr dhe tre të tjerë, dhe këto vende nuk janë plotësuar nga Parlamenti. Sipas informacioneve, 17 gjyqtarë dhe prokurorë kanë hequr dorë nga karriera, duke dhënë dorëheqje,n duke i shpëtuar kështu vetingut të punës dhe të pasurisë mbi ta.

Gjithsesi, procesi sapo ka nisur dhe do kohën e vet të ballafaqimit me të gjitha rastet e gjyqtarëve e prokurorëve. Ajo çfarë duket se ka ngecur në reformën për drejtësi, është fakti se nuk po bëhet asnjë hap më tej nga politika dhe Parlamenti, për vendosjen e institucioneve të reja të drejtësisë, ashtu siç i parashikon ligji i ri. Ka një ngecje dhe të dyja ia kalojnë fajin njëra-tjetrës, për pengesat që dalin.

Procesi i integrimit

Shqipëria mbetet e angazhuar të hapë negociatat për anëtarësim me BE-në. Ky mbetet objektivi kryesor, shprehet kryeministri Rama. Edhe opozita, pavarësisht objeksioneve për mënyrën se si qeveris Rama, zyrtarisht është shprehur se e mbështet hapjen e negociatave. Gjithsesi, në realizimin e detyrave që i ka vënë BE-ja Shqipërisë, për të gjithë është e qartë se, kemi boshllëqe të mëdha. Vizitat e Kryeministrit Rama në Bruksel dhe e ministrit të Jashtëm, theksojnë kryesisht vendosmërinë e Shqipërisë për tu futur në BE dhe se vendi është një faktor stabiliteti në rajon. Shtyrja e negociatave, sipas kryeministrit, mund të sjellë veç pasoja jo të mira, aq më tepër në një rajon të rënduar ku përplasen dhe interesat e shteteve të tretë. Ky provokim i Ramës, duke sjellë në vëmendje hijen e Rusisë në Ballkan, më së tepërmi është një parabolë se, Europës i duhet një Shqipëri qoftë dhe me të metat e saj, pasi dhe vetë angazhimi kundër politikave ruse në Ballkan, ka qenë i dukshëm. Për këtë, Shqipëria dëboi dy diplomatë Rusë nga Tirana në mbështetje të çështjes Scripal.

Gjithashtu në Tiranë, kanë ardhur drejtues të lartë të BE-së, që nga Junker, Mogerini dhe Kukan, të cilët kanë shprehur optimizmin se, negociatat do të hapen, megjithëse keni shumë punë për të bërë. Data për hapjen e negociatave ka ndryshuar disa herë. Në prill, në qershor apo në shtator, nuk ka ende një datë fikse, por ndërkohë pritet të dalë progresraporti për Shqipërinë. Me gjithë optimizmin në deklarata, vështirë të dihet e qartë, nëse negociatat do të hapen apo jo, dhe kjo padyshim do të ndikojë edhe në politikën e brendshme.

Bisedimet me Greqinë

Çështja e demarkacionit të vijës detare dhe çështje të tjera që po diskutohen me palën greke, proces i nisur prej disa muajsh, ka patur ulje ngritje. Ardhja e ministrit të Jashtëm grek, Kotcias, në Korçë dhe takimi prej tri ditësh, mbeti sërish hermetik dhe pa përcjellë shumë informacion. Ajo çfarë u deklarua ishte se, në muajin prill në Tiranë ,do të vinte kryeministri Cipras dhe do të firmosej një marrëveshje e Partneritetit Strategjik. Por dhe kjo duket se është larg.

Ministri i Jashtëm Bushati, krijoi debat me presidentin Meta, pasi ky i fundit u ankua se, nuk kishte fare informacion për negociatat dhe njëkohësisht zyrtarët që përbëjnë delegacionin shqiptar, nuk kishin marrë mandatet e firmosura të përfaqësimin nga presidenti, ashtu siç e kërkon ligji. Debati në distancë zgjati disa javë dhe, më në fund, presidenti Meta firmosi, por duke bërë disa ndryshime të vogla në delegacion. Ndërkohë, negociatat duket se kanë një ngecje. Nuk janë dhënë arsyet, por Bushati u shpreh se, për të nuk ka ngutje. Vizita blic e ministrit grek në Tiranë për dy orë takimi, sërish mbeti pa detaje, por në media u theksua se, nuk do të kishte një vizitë të Cipras në Tiranë dhe nuk është dhënë një datë se kur mund të bëhet, por dhe cili do të jetë fati i mëtejshëm i negociatave të nisura.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: