Shkollat, cilët janë gjimnazet dhe 9-vjeçaret më të mira në Tiranë

Publicitet
Publicitet
Shkollat, cilët janë gjimnazet dhe 9-vjeçaret më të mira në Tiranë
Vlerësimi është realizuar mbi shtatë tregues, matja e të cilave është kryer në të njëjtën kohë si në shkollat e arsimit parauniversitar publik, ashtu edhe në ato private. Treguesit kanë të bëjnë me rezultatet e arritura në provimet e maturës shtetërore, provimet e lirimit, numrin e mungesave, largimin e nxënësve nga shkolla

Sonila Isaku

Pavarësisht se vitit shkollor i duhen edhe pak muaj për të përfunduar, shumë prej prindërve janë në dilemë se ku do ti regjistrojnë fëmijët e tyre sa i përket si shkollave 9 vjeçare apo gjimnazeve, qofshin këto publike apo private. Ndaj për të dytin vit radhazi, Drejtoria Arsimore e Tiranës ka bërë publike Kartën e Performancës e cila tregon se cilat janë shkollat më të mira në kryeqytet.  Ky vlerësim është bazuar mbi një sërë treguesish që kanë të bëjnë me rezultatet e arritura në provimet e maturës shtetërore, provimet e lirimit, numrin e mungesave, largimin e nxënësve nga shkolla, etj, Drejtoria Arsimore e Tiranës, ka detajuar edhe renditjen e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare që listohen si më të mirat, si dhe ato që kanë rezultatet më të ulëta të matura përgjatë vitit mësimor 2017. Vlerësimi është realizuar mbi shtatë tregues, matja e të cilave është kryer në të njëjtën kohë si në shkollat e arsimit parauniversitar publik, ashtu edhe në ato private. Në vijim të shkrimit do të plotë renditjen e shkollave sipas Kartës së Performancës, që ofron të dhëna për arritjet e çdo shkolle gjatë një viti mësimor, rezultatet e të cilës u shërbejnë prindërve, drejtuesve, mësuesve, nxënësve, mbi cilësinë e arsimit parauniversitar.

Gjimnazet

Referuar treguesve mbi arritjet e realizuara gjatë vitit të shkuar mësimor, listën si gjimnazi më i mirë në kryeqytet e kryeson Shkolla “Sami Frashëri”, e ndjekur më pas nga Shkolla “Qemal Stafa”. Ndërsa në vend të tretë dhe të katërt rezultojnë të jenë me pikë të barabarta Shkolla “Ismail Qemali”, si dhe Shkolla “Petro Nini Luarasi”. Ndër shkollat që kanë raportuar treguesit më të dobët janë Shkolla “ Kostandin Ksristoforidhi” që listohet e fundit, si dhe Shkolla “Sandër Prosi”, në të cilat nota mesatare e provimeve të maturës, numri i mungesave të nxënësve, si dhe largimet nga shkolla pa mbaruar viti mësimor rezultojnë të jenë më të lartat krahasuar me gjimnazet e tjera të vlerësuara.

Shkollat 9-vjeçare

Vlerësimi i shkollave 9-vjeçare është realizuar mbi bazën e treguesve të tillë, si: përqindja e nxënësve kalues në provimet e lirimit, nota mesatare e shkollës në provimet kombëtare të lirimit, pikët mesatare në testimin e realizuar për klasat e pesta, realizimin e objektivave të planit vjetor, përqindja e mungesave të bëra nga nxënësit, numri i nxënësve të larguar, si dhe treguesi mbi numrin e fituesve që secila shkollë ka realizuar në konkurrimin rajonal. Sa i takon realizimit të këtyre treguesve, në radhët e shkollave 9-vjeçare publike, lista kryesohet nga Shkolla “Emin Duraku”, e cila renditet në vend të parë sa i takon arritjeve të realizuara. Ndërsa pas saj vijnë Shkolla “Mihal Grameno”, si dhe Shkolla “Misto Mame”. Pikët më të ulëta sa i takon plotësimit të treguesve i kanë Shkolla “Ibrahim Brahja”, e cila është e fundit në listë, si dhe Shkolla “Kolë Jakova”.

Sa i takon numrit të mungesave rekord mbajnë nxënësit e Shkollës “Bajram Curri” me 12 për qind. Ndërsa sa i takon rezultateve të dala nga testimi i klasave të pesta, rezultatet më të dobëta i raportojnë nxënësit e Shkollës “Ibrahim Brahja.

Vlerësimi i shkollave private

I njëjti vlerësim nëpërmjet Kartës së Performacës është realizuar edhe në gjimnazet dhe shkollat 9 vjeçare private që ushtrojnë aktivitet në kryeqytet. Referuar këtyre institucioneve, listën e gjimnazeve më të mira e kryesojnë Shkolla “M. Akif”, si dhe Shkolla “Ernest Koliqi”. Me rezultatet më të dobëta prezantohet Shkolla “Guinness”. Ndërsa sa i takon rankimit të shkollave të arsimit të detyruar, lista kryesohet nga Shkolla “Rreze Drite”, ndërsa me rezultatet më të ulëta është “Qatar Collage”.

KARTA E PERFORMANCES GJIMNAZE PUBLIKE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES GJIMNAZE PRIVATE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES 9-VJECARE PUBLIKE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES 9-VJECARE PRIVATE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES GJIMNAZE PUBLIKE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES GJIMNAZE PRIVATE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES 9-VJECARE PUBLIKE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES 9-VJECARE PRIVATE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES SHKOLLAT CU PUBLIKE 2016-2017

KARTA E PERFORMANCES SHKOLLAT CL PUBLIKE 2016-2017

Shpërndajeni me miqtë tuaj: