Shëndeti oral, fëmijët me dhëmbë të prishur, shkak vështirësia ekonomike

Shëndeti oral, fëmijët me dhëmbë të prishur, shkak vështirësia ekonomike
Shqiptarët shpenzojnë vetëm 1.5 euro në muaj për dhëmbët dhe furça e dhëmbëve nuk ndërrohet mesatarisht 1 herë në 3 muaj

Sonila Isaku

Prindërit nuk tregojnë kujdesin e duhur për shëndetin oral të fëmijëve, çka ka bërë që pjesa më e madhe e tyre të kenë probleme me prishjen e dhëmbëve që në moshë të vogël.  Studimet mbi shtrirjen e prishjes së dhëmbëve në moshat 6 dhe 12 vjeç, tregojnë se kemi vetëm 24.2% individë që nuk kanë asnjë dhëmb qumështi të prishur në gojë dhe 80.2% që nuk kanë asnjë dhëmb të përhershëm të prekur. “Te fëmijët ka nivel të lartë kariesi dhe mungesë të higjienës, ka cipa në dhëmbë pllakëze dentare. Pasojat e higjienës së dobët orale te fëmijët, cipat e dhëmbëve dhe pllakëzat dentare shkaktojnë nivel të lartë kariesi. Prishja e hershme e dhëmbëve sjell mbushje më të hershme, rënie më të hershme. Fëmijët nuk kanë shumë kujdes për gojën dhe për dhëmbët kryesisht. Ushqimet që konsumojnë janë të papërshtatshme. Ata hanë shpesh karamele, çokollata, lëpirëse” tregon Olsa Dervishi, mjeke stomatologe.

Shpenzimet

Për ekspertët e fushës, pamundësia ekonomike dhe mungesa e ndërgjegjësimit, janë dy nga faktorët që i detyrojnë pacientët të kërkojnë heqjen e dhëmbëve të sëmurë në vend të implantimit të tyre. " Rritja e prevalencës së ekstraksioneve të dhëmbëve, nuk ka ndodhur vetëm tek ne. Ne kemi bërë një studim me disa kolegë britanikë në 18 vende të Evropës Lindore, shtresa e mesme dhe shtresa e lartë vazhdon të ketë të njëjtën tendencë kujdesi, parandalimi. Shtresa e ulët, ka problemin e financimit për trajtimin e këtyre patologjive dhe si pasojë detyrohen t'i heqin dhëmbët duke mos e përballuar dot trajtimin e këtyre patologjive"  tregojnë drejtues të shoqatës së Stomatologëve. Edhe përsa i takon shpenzimeve për kujdesin e shëndetit oral, të dhënat tregojnë se shqiptarët shpenzojnë vetëm 1.5 euro në muaj, ndërsa shqiptarët e Kosovës 1.9 euro dhe furça e dhëmbëve nuk ndërrohet mesatarisht 1 herë në 3 muaj.

Pamundësia ekonomike

Pamundësia ekonomike shtuar edhe koston e lartë të shërbimeve dentare ka bërë që shpesh shqiptarët të neglizhojnë për shëndetin e gojës, madje që në moshat fëmijërore. Sipas Shoqatës së Stomatologëve, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë. Të dhënat epidemiologjike për grupmoshën parashkollore dhe shkollore nxjerrin që sëmundshmëria është e lartë. Dominon prishja dhe mostrajtimi i dhëmbëve. Ndaj të gjendur përballë këtyre situatave ekspertët theksojnë se nevojiten fushata sensibilizuese përgjatë gjithë vitit, për të informuar qytetarët se parandalimi është i rëndësishëm dhe ka një kosto disa herë më të ulët se trajtimi. “Është më mirë që të shpenzojmë pak më tepër në parandalim dhe në perspektivë afatgjatë do të kemi një dendicion më të shëndetshëm dhe do të kursejmë më tepër për trajtim. Në qoftë se shpenzon një për trajtim, mund të jetë mbi 3-4 herë më pak shpenzimi për parandalim” thekson mjekja Dervishi.

 

Stomatologët thonë se në popullatë mungon edhe informacioni për shëndetin oral, ndërkohë që shumica e sëmundjeve të gojës ndajnë faktorë të përbashkët rreziku me sëmundje të tjera. Sipas stomatologëve, disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumi i duhanit dhe i ëmbëlsirave si dhe kequshqyerja.

 

Këshilla për një shëndet oral sa më të mirë

-Lani dy herë në ditë dhëmbët me pastë me përmbajtje fluori.

-Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 3 muaj.

-Përdorni fije dentare për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve.

-Përdorni ujë pas ushqimit.

-Reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave) gjatë ditës.

-Bëni kontrolle periodike te dentisti.

-Mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer.

-Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore si drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djath, kos.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: