SEKRETI BOSH I SHTETIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

SEKRETI BOSH I SHTETIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ndoshta duket si pjesë e konspiracionit shtetëror, kjo që po them!? Apo duket sikur “sekreti” nuk ka punë me ne; ndoshta i takon teorive të Karl Popper-it. Jo, as njëra, as tjetra. Shteti, sidomos shtetet e dobët që shantazhojnë lirinë, bazohen fort mbi “sekretin bosh” .

Ja pse e kemi afër dhe kemi punë me të…

Kush do të mund ta kontrollonte “sekretin” mbi arrestimin e Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm? Zëra nga BE-ja që monitoron politikën këtu, kanë thënë se, “pa arrestimin e ministrit të kapur në krime, nuk ka procedura proeuropianiste” - të Shqipërisë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donal Lu, ka deklaruar se, tashmë “ka prova” për arrestimin e Tahirit. Prokuroria, një herë, ka kërkuar në Kuvend “arrestimin” dhe tashmë nuk ka asnjë fjalë. Shumica parlamentare e ka “state of mind” mos arrestimin. Vetë i akuzuari për krime, Tahiri, kërkoi sot fjalën në Kuvendin e Shqipërisë, duke provokuar “sekretin e madh” . Të gjithë hapin sytë, se çfarë ka këtu…

Gjithë kutia e “sekretit” është bosh; ndryshe nuk do të mund të rezistonte. Nëse sekreti nuk do të ishte “bosh” , atëherë pushteti nuk do të kishte pikën e interesit për ta mbajtur. Duke qenë sekreti bosh përbrenda, pushtetet arrijnë që ta përdorin.

Pse mbahet sekret arrestimi i Tahirit?

Shumëkush mendon se është e thjeshtë: “Kryeministri do të shpëtojë veten” , ish-ministri i ka fakte në duar – thonë - dhe ky e mbron fort… A keni kuptuar, pse kryeministri nuk i është përgjigjur kurrë kësaj akuze? Sepse vetë akuza i shërben për të krijuar një tjetër “sekret bosh”…

Qëllimi i mbajtjes “sekret”, është aleanca me dy, dhjetë apo njëmijë kriminelë të tjerë, d.m.th., me kompaninë e kriminelëve. Të gjithë këta që kanë lidhje të padyshimta me ish-ministrin, një nga një- quhen “individë” . Po ndodh fenomeni rrezikues i përjetshëm që, “individi bëhet më i fuqishëm se shteti” . Gjithë bota moderne është vigjilente që, shteti të jetë më i fuqishëm se individi; përndryshe do të vinte katastrofa. Qytetarët, qysh me lindjen e shtetit, e kanë frikën në palcë se mos një ditë “individi del mbi shtetin”. Atëherë as rrënojat e të drejtave, nuk do të dukeshin më… Prandaj, qytetarët u binden qeverive që të paguajnë taksa, të privohen nga disa liri, të dalin në votime, të duartrokasin manifestimet e republikës, etj., etj. Në rastin tonë ka ndodhur më e keqja: Pushteti u ka vënë në dorë kriminelëve (“individë”), asetet që populli ka krijuar për të përballuar kriminelët. U ka vënë në dorë financat, armët, ligjet, autoritetin… Ky është sekreti i vërtetë dhe dëmi i madh i ministrit të Brendshëm, Tahiri, të ngatërruar në krim, sepse ka shërbyer si ndërlidhës mes aseteve të shtetit dhe kriminelëve!... Pjesa tjetër e sekretit, është bosh.

Komploti që fshihet në sekretin bosh

Ka mijëra zëra se, opozita bashkëpunon me qeverinë. Unë nuk e kam besuar kurrë këtë, kështu siç thuhet - si një konspiracion. Por që në mijëra raste, pakica dhe shumica komplotojnë së bashku kundër viktimave të tyre që marrin emrin e përbashkët “popull”, ky është realitet. Rasti më i fundit: Opinioni i Këshillit të Europës për çeljen e negociatave për statusin e Shqipërisë në BE. Qeveria tha se, kjo është “fitore”. Edhe opozita tha të njëjtën fjalë, “fitore” . Por fitorja u mbajt sekret, asnjë individ në Shqipëri nuk di cilat do të jenë përfitimet nga “opinioni pozitiv” i KE. Nëse dikush ose shumëkush do t’i afrohej kutisë së sekretit bosh, atëherë kjo do të rrezikonte të zbulohej “magjia e pushtetit” dhe as opozita as qeveria nuk do ta lejonte. Për ta ruajtur boshllëkun e sekretit, politika (në të dy krahët), vuri në përdorim sindromën e komplotit: Të dyja bënë deklarata pa aktualitet, se “Shqiptarët historikisht” kanë aspiruar për në Europë. Po kush e vuri në dyshim këtë?... Apo deklarata për “orientimin historik” u shërben për të trembur njerëzit, që të mos i afrohen “komplotit”?! Shumica dhe pakica, së bashku, qëllimisht ngatërruan dy nocione: “BE” dhe “Europë”. Cili nga ky planet nuk ka dëshirë të jetë “europian” ? Edhe anëtarët e qytetërimeve më armike të qytetërimit europian, po tentojnë të hyjnë në shtetet e këtij kontinenti. Po atëherë, pse vallë u dashkan provokuar “shqiptarët historikisht europian”? Apo për të krijuar sindromë?… Ndërsa BE-ja, është tjetër gjë. Kush vallë po vrapon për të hyrë në BE?... Askush. Edhe ata që ndodhen brenda “flluskës”, po tentojnë të dalin… anglezë, gjermanë, dauchmen, çekë, hungarezë, rumunë, sllovakë, etj. Kutinë plot probleme ekzistenciale të BE-së, po e mbështjellin me një sekret që nuk e tregojnë se cila është diferenca mes “BE” dhe “Europë” .

Nuk ka më sekrete, përveç sekretit bosh

Pse njerëzit në vendin tonë, përgjithësisht, kohët e fundit nuk besojnë as te qeveria, as te opozita?!... Nëse në psikozën e pushtetit, kjo ka hyrë si simbol i forcës së vet, që siç publiku “nuk do me ia dijtë” , as “unë nuk dua me ia dijtë” për publikun, atëherë kjo është tërësisht e gabuar. Njerëzit janë kthyer në indiferentë ndaj politikës, sepse kanë zbuluar gjithë sekretin. Njerëzit e dinë sa shumë ka përfituar pushteti mbi të drejtën e individit, ka zbuluar sekretin që qeveria “nuk do me ia dijtë” për popullin e vet; ka zbuluar se lidhjet me nëpunësit e BE-së i mban për të ruajtur jetën e gjatë në privilegje; ka parë pse ambasadorët i lëpihen qeverisë dhe nuk “duan me ia dijtë” për interesat e individit; kanë kuptuar se lobingjet në Perëndim i paguajnë për pushtet personal, jo për “lumturinë e popullit”… Njerëzit nuk besojnë, sepse i kanë zbuluar sekretet. Nuk ka asnjë njeri në botë që beson se, sekretet ruhen më..., ndoshta vetëm masonët më fanatikë, e besojnë këtë…

Por sekreti bosh është si flluska, prandaj e duan pushtetasit!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: