SA PRANË KONFLIKTIT NË MESDHE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

SA PRANË KONFLIKTIT NË MESDHE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Orë të ethshme shumë pranë Shqipërisë! Orë që janë mbushur me lëvizje kryqëzorësh e aeroplanmbajtësesh, me kërcënime raketash e bombardimesh dhe termi konflikt, mund të shkojë më tej, sesa cepi lindor i Mesdheut. Në Shqipëri, e kemi mbushur ditën me lajme të konfliktit të përhershëm e grindavec të palëve politike dhe informacionet nga bota e rajoni vijnë të pakta, e treten shumë shpejt në zhurmnajën tonë. Por ka gjëra më të rëndësishme që ndodhin ndërkohë. Lëvizja e trupave amerikane, franceze dhe britanike drejt brigjeve të Sirisë dhe deklarata se, së shpejti do të ketë sulme si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike, ka vënë gjithçka në alert. Kundërpërgjigje nga Rusia dhe Irani për të mbrojtur Asadin dhe temperatura që tashmë është në pikën e vlimit, po shpërthen. Vetë agjencia Ajrore e Fluturimeve ka ulur ndjeshëm udhëtimet e linjave drejt Mesdheut Lindor, pasi duket se në orët e ardhshme, në qiell mund të shihen raketa me destinacion objektet ushtarake në Siri. Ndërsa u mendua se, takimi Putin, Erdogan dhe Rouhani në Stamboll, mund të ishte një pikënisje për gjetjen e paqes në Siri, ngjarjet kanë precipituar ndryshe dhe në skenë kanë dalë aktorët e tjerë të mëdhenj të Perëndimit.

Si të mos mjaftojë kjo, përplasjet midis Turqisë dhe Greqisë po shkojnë shumë më tej, sesa tensioni i zakonshëm i këtyre vendeve. Në media dalin edhe skenarë ushtarakë, gjë e cila do bëjë që rajoni s’do të jetë më njësoj. Dhe gjithçka ndodh kaq pranë nesh. E sigurisht që, do të na prekë në të dyja rastet.

Jemi mjaft pranë zonave të nxehta, por ende nuk kemi një qëndrim zyrtar mbi këto çështje nga ministria jonë e Jashtme. Në rastin e angazhimit të forcave të SHBA-së, Britanisë e Francës në Siri, qëndrimi ynë mund të nënkuptohet, pasi si anëtarë të NATO-s, është e ditur se kë anë mbajmë. Por kur bëhet fjalë për tensionet Turqi-Greqi, të dyja anëtarë të NATO-s, të dyja të përcaktuara nga qeveria jonë si Partnerë Strategjikë, të dyja fqinjë pranë nesh, cili është qëndrimi i Shqipërisë në këtë rast? Mbështetim Erdoganin apo Greqinë dhe BE-në? Pasi aty ku fillojnë kufijtë e Greqisë me ishujt e saj, fillon dhe kufiri i Europës. Për të gjitha këto ka vetëm një heshtje nga institucionet tona. Natyrisht që, ndiqen me vëmendje, porse nuk mund të rrimë gjatë pa mbajtur një krah të caktuar. Atëherë, me kë dhe si do rreshtohemi?

Të gjitha çfarë po ndodhin, do të influencojnë edhe në rajonin tonë. Duke qenë kaq pranë zonës së nxehtë, vetë Ballkani nuk do shumë të “nxehet” nga flakët përtej. Aq më tepër që, aktorë të ndryshëm do të tentojnë të shfrytëzojnë këtë konfliktualitet etnik në rajon. Këtë e paralajmëroi para disa kohësh, The Economist. Duke e trajtuar si të mirëqenë një pakt midis Vuçiç, Ramës dhe Thaçit, për mundësinë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, revista angleze në analizën e saj, shprehet se, kjo do të sillte një efekt domino në gjithë Ballkanin, ku çështja e kufijve është një lëmsh i vërtetë. Më saktë sipas gazetës, kjo do të hapte "portat e ferrit". Në fakt, situata midis vendeve të rajonit është gjithmonë e brishtë dhe kjo sidomos me shtetet e reja pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në secilin shtet ka enklava të etnive të tjera dhe kjo situatë prej 100 vitesh, shërben si oksigjen i pasuruar për çdo mendje të nxehtë nacionaliste apo për liderë që shfrytëzojnë ndjesitë etnike për të marrë sa më tepër pushtet apo për të mbajtur statusquonë e lidershipit.

Deri më tani, Ballkani, përveç retorikës së zjarrtë dhe gjendjes në kufi të konfliktualitetit, nuk ka patur ndryshim të kufijve. Problem mbeten minoritetet brenda tyre. Të gjitha shtetet, të vjetra dhe të reja në Ballkan, kanë minoritete të çdo lloji dhe në këtë mozaik ngulimesh e etnish, mund të ngrihen, sa hap e mbyll sytë, vatra konfliktesh që mund të helmojnë marrëdhëniet midis shteteve dhe ekuilibrin e gjithë rajonit. Ndaj dhe BE-ja dhe perëndimorët, kanë qenë gjithmonë të vëmendshëm dhe me pompë zjarrfikësi në dorë, për çdo deklaratë apo qëndrim që mund të rrezikojë përflakjen e Ballkanit. Madje ndër kushtet që u vendosen vendeve ballkanike për rrugën e integrimit në Europë, kanë qenë konsekuente detyrimet për uljen e toneve nacionaliste dhe faktorizimin e këtyre vendeve për ruajtjen e stabilitetit të rajonit. Për më tepër, në kushtet kur vetë shtetet ballkanike janë deficitarë në shtetbërje dhe funksionim demokratik të institucioneve të tyre, një mënyrë e BE-së për të zbutur tensionet si nga brenda vendeve, ashtu dhe në marrëdhëniet midis njëri-tjetrit, ka qenë detyrimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.

Parë në këtë kuadër, me këtë larmi etnish që bubulojnë brenda territoreve të secilit shtet, vendet e Ballkanit, pavarësisht nëse shkojnë mirë apo keq midis tyre, janë si ata vëllezërit siamezë, ku çdo infeksion i kalon edhe tjetrit. Çdo marrëveshje midis dy vendeve, rezonon së paku edhe te një i tretë. Prova për këtë ishte jo më larg sesa deklarata e kryeministrit Rama për një president të përbashkët Shqipëri–Kosovë që, edhe siç pritej, u përcoll me tërsëllimë dhe inat në Beograd. E njëjta gjë ndodhi edhe kur ish-Kryeministri Berisha, deklaronte në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë se, ishte i gatshëm të pajiste me pasaportë çdo shqiptar në rajon.

Pavarësisht nga arsyet pse bëhen këto deklarata, për entuziazëm, për hir të politikës së brendshme e për ca vota në prag fushatash elektorale, apo dhe për protagonizëm individual, ndonëse për gjithkënd është e kuptueshme se, këto mbeten thjesht fjalë, nëse nuk kanë një mbështetje të qartë të të mëdhenjve të botës, gjithsesi ato e lëkundin terrenin gjithnjë sizmik të Ballkanit. Dhe ngritja e temperaturës në rajon nuk i shërben askujt. Por kjo nuk do të thotë të jesh i pavëmendshëm ndaj zhvillimeve që duket se po precipitojnë me shpejtësi. Në rast se një konflikt shpërthen pranë nesh, asgjë nuk do të jetë si më parë në rajon. Nga çdo troshitje, do të duhet kohë të precipitojë qetësia. Të paktën, t’i ruhemi papërgjegjshmërisë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: