Rriten sërish kreditë e këqija, bankat në vështirësi

Publicitet
Publicitet
Rriten sërish kreditë e këqija, bankat në vështirësi
Pjesa e parë e këtij viti ka shënuar rritjen e re të tyre, kundrejt fundvitit 2017 kur ishin vetëm 13%

Bankat private të nivelit të dytë, duket se po përballen sërish me vështirësi në mbledhjen e kredive të këqija.

Këtë e tregon rritja e re e nivelit të tyre, në këtë fillim viti.

Konkretisht, sipas të dhënave që ofron Banka e Shqipërisë, rezulton se ato sivjet kanë arritur në 14% të totalit, kundrejt nivelit prej 13% që ishin në fundvitin e kaluar. Dhe duke folur kështu, për një shtim të tyre, edhe pse në fakt, Banka e Shqipërisë prej kohësh ka vënë në zbatim një paketë masash për pakësimin e tyre.

Gjithsesi, me gjithë rritjen e fundit, duhet thënë se ky plan ka shënuar rezultatet e veta konkrete gjatë viteve të fundit për uljen e kredive të këqija, teksa vetëm pak vite më parë ato kanë qenë në nivelin deri 20%, ose rreth çereku i totalit të tyre.

Por heqja nga bilanci i bankave të atyre që nuk ktheheshin më, duket se kanë ndikuar në uljen e vazhdueshme të këtij treguesi, duke bërë që tani ato të jenë vetëm në nivelin prej 14%.

Gjithsesi, ekspertët e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se ky nuk është një nivel që duhet injoruar, pasi ai përkthehet sipas tyre në rreth 16% të gjithë kapitalit aksioner të bankave, gjë që mund ta vërë seriozisht në rrezik atë, nëse njeh rritje të mëtejshme.

E thënë ndryshe, nëse klientët e bankave nuk do t’i kthejnë kreditë që kanë marrë pranë tyre, ato do të jenë të detyruara që të parashikojnë më shumë provigjone në lidhje me to.

Nga ana tjetër, alarmin për rritjen e kredive të këqija në Shqipëri e kanë dhënë edhe vetë ekspertët e Komisionit Evropian në raportin e tyre të fundit për progresin e Shqipërisë.

Duke vlerësuar gjithsesi, nivelin e tyre aktual prej vetëm 14%, ata kanë apeluar për kujdesin që duhet të ushtrojnë bankat vendase për mbledhjen e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për ta nxitur më tej kreditimin si i tillë.

 

14%

Është shënuar niveli i kredive të këqija gjatë pjesës së parë të këtij viti, duke shënuar rritje në krahasim me fundvitin e kaluar, kur ai ishte prej 13%

 

Kreditë e këqija janë ulur në mënyrë të vazhdueshme pas fshirjeve të tyre nga bilancet e bankave dhe ristrukturimit. Fshirja, u takon atyre që kanë më shumë se 3 vite që nuk kthehen. Kurse ristrukturimi ka të bëjë me një marrëveshje dypalëshe mes bankës dhe debitorit, për të paguar një pjesë të borxhit dhe vijimin me këste

Shpërndajeni me miqtë tuaj: