Rrëfimi: Si u dënua grupi i sabotatorëve të naftës në Patos dhe u sollën intelektualë për riedukim

Publicitet
Publicitet
Rrëfimi: Si u dënua grupi i sabotatorëve të naftës në Patos dhe u sollën intelektualë për riedukim
INTERVISTA/ Flet piktori, Qemal Agaj:Zhani Cikon e sollën për t’u edukuar në gjirin e “klasës” punëtore në Patos, si mësues muzike në shkollën 8-vjeçare. Po ashtu, dhe Leka Bungon, aktor dhe regjisor i suksesshëm, e çuan punëtor në uzinën mekanike”

Ai kishte thurur ëndrra për t’u bërë artist, por për shkak të biografisë, gjithçka mbeti vetëm e tillë. Me një baba të arratisur jashtë vendit, kur ai ishte vetëm një vjeç, kjo nuk mund të pretendohej në Shqipërinë e para viteve ’90. Por gjithsesi, piktori Qemal Agaj përfitoi nga i ashtuquajturi “liberalizëm”, duke u caktuar të punojë në Pallatin e Kulturës në Patos. Aty ku pa me sytë e tij nga afër edhe tmerret e diktaturës, siç ishte edhe dënimi ndaj të ashtuquajturit “grup sabotator i naftës”. Emocione këto që i tregon në një rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press”. Shoqëruar edhe me mjaft të dhëna interesante mbi jetën dhe krijimtarinë e fotografit të madh me origjinë shqiptare, Gjon Mili Njëra prej të cilave është pikërisht lidhja e pandarë e tij me Pikason, artistit të cilit i janë bërë më shumë fotografi....

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Fadil Shehu

Nëse do të doja të dija diçka për vitet tuaja si piktor i Pallatit të Kulturës në qytetin e Patosit. Si do t’i kujtonit ato në këto momente?

Pas mbarimit të gjimnazit, kur të gjithë shokët e mi shkuan në universitet, mbeta fillikat i vetëm. U gëzova kur më thirrën ushtar. Por edhe ushtria mbaroi. Në Vlorë, sërish një njeri i trishtuar, pa punë, pa një të ardhme. Një i njohuri im më sugjeroi të shkoja në Patos. Me një vërtetim sikur kisha punuar elektricist në ushtri, gjeta punë në Ndërmarrjen e Ndërtimi-Montimit, ku njëkohësisht bëja dhe punën e dizenjatorit në raste festash dhe përvjetorë, me parulla nëpër kantiere. Emërimi im si piktor i Pallatit të Kulturës erdhi fare papritur. Në atë kohë nisi të ndërtohej Muzeumi i Industrisë së Naftës në Patos. Për pasurimin e dekorit brenda dhe jashtë tij, u thirrën për të punuar dizenjatorë nga ndërmarrje të ndryshme të sistemit të naftës, midis tyre dhe unë. Ndërkohë për disa punime që u mirëpritën, karikaturisti i njohur Enriko Veizi, më zgjodhi si bashkëpunëtor për pasqyrimin e grafikëve të zhvillimit të industrisë së naftës. Pata fatin që punova me një nga njerëzit më brilantë që kam njohur. Në të njëjtën kohë në Patos, u ndërtua Pallati i Kulturës, i cili pasi u plotësua me administratën e nevojshme, drejtor Qazim Lilo, shef muzike kompozitorin Dhimitër Çuri, fizarmoniçistin dhe kitaristin Gaqo Tërpini, donte dhe një piktor. Për opinionin e mirë që krijova në dekorimin e muzeumit, autoritetet e qytetit më zgjodhën mua. Ishte shumë për një djalë të ri, me biografi të keqe dhe pa arsimin e duhur.

Si do e kujtonit bashkëpunimin me kolegët tuaj dhe artistët, në këtë folezë arti?

Padyshim ishte një ndjenjë e veçantë, edhe për faktin që unë isha pjesë e aktiviteteve kulturore-artistike që zhvilloheshin. Njohja nga afër me Enriko Veizin dhe punimet që përfunduam së bashku në muzeun e naftës kanë mbetur të freskëta në kujtesën time. Unë askushi, ndihesha i respektuar nga më i respektuari, për vlerat e tij si qytetar, inxhinier në naftë  dhe artist i njohur. Në atë periudhë, Enriko ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të qytetit të Fierit. Të punoje dhe shoqëroheshe me kitaristin Gaqo Tërpini, i cili njihej për vlerat e tij, ishte gjithashtu kënaqësi. Njihej nga korifej të letërsisë dhe artit në Shqipëri, ku do të veçoja takimin me Ismail dhe Elena Kadare. Pasi luajti në kitarë për një kohë të gjatë, i impresionuar, Ismaili i kushtoi një poezi me titull: “Kitaristit Gaqo Tërpini”, që fillon me vargun: “Koka e madhe si shpellë/ mbështetur mbi kitarë...”. Kurrsesi nuk do harroj as drejtorin e këtij institucioni, Qazim Lilo, i cili shpesh më thërriste,“Shekspiri i Qazos”. Dukej Qazua e dinte Shekspirin si piktor. Kurse të uleshe në tavolinë me humoristin Luftar Paja ishte çlodhëse.

Si ndiheshit përballë artistëve, të cilët Partia i solli për t’u “edukuar” në gjirin e klasës punëtore, në qytetin e Patosit?

Ishte një periudhë pas të ashtuquajturit liberalizëm’’, nga e cila përfitova emërimin tim si piktor, që ngjarjet filluan të zhvilloheshin në drejtim të kundërt. U shpall lufta kundër liberalizmit dhe shfaqjeve të huaja në art dhe kulturë. Kjo fushatë përfshiu Zhani Cikon, i cili nga Drejtues Artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit dhe shpesh, udhëheqës artistik i festivaleve në radio-televizion, e sollën për t’u edukuar në gjirin e “klasës” punëtore në Patos, si mësues muzike në shkollën 8-vjeçare. Ishte mrekulli, ndërsa unë punoja në studion time dhe në dhomën ngjitur të dëgjoje në violinë ekzekutimet virtuoze të Zhanit, i cili pasditeve praktikohej me orë të tëra. Po ashtu, Leka Bungo, aktor dhe regjisor i suksesshëm, e çuan punëtor në uzinën mekanike. Të punoje për skenat e dramave që Leka vinte me trupën e teatrit të Patosit, ishte një privilegj.

Pas 10 vjetësh, pa pritur ju komunikohet urdhri nga ana e drejtuesve të partisë dhe pushtetit, për t’u larguar nga qyteti i Patosit. E prisnit këtë ndarje?

Ishin vitet 1976-1977, ku pas valës së arrestimeve dhe burgosjeve, në industrinë e naftës, nisi spastrimi nga “armiqtë” dhesabotatorët”. Ishte koha kur partia “fabrikonte grupe armiqësore”. Mua, si me biografi të keqe, më njoftuan se duhej të largohesha nga Patosi. Pa dyshim nuk e prita mirë; ku të shkoja, pa punë, pa shtëpi, ndërkohë kisha familje dhe djalin tre vjeç, pa harruar këtu  mbiemrin tim, që në Vlorë tingëllonte si kambanë alarmi. Por kur mendoja  se mjaft drejtues dhe inxhinierë të njohur, si Lipe Nashi, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Niko Koçobashi, Petraq Xhaçka dhe njeriu që aq shumë admiroja, Enriko Veizi, u arrestuan dhe u burgosën, ishte e turpshme të ligështohesha. Nuk mund të harroj çastin, kur për të diskretituar këta “sabotatorë”, i sollën me pranga në sallën kryesore të këtij pallati me më se 600 vende. Njoftimi ishte bërë disa ditë më parë. Një hije mortore kishte rënë mbi qytet. Te dera  kryesore, midis shpatullave  te njerëzve, vura re në podium të arrestuarit, të shpërfytyruar, me pranga në duar. Kur përfaqësuesi i (ç)drejtësisë filloi të shqiptonte emrat, britma e një të porosituri trushplarë, “në litar’’, u shoqërua nga dhjetëra të tjera. Nuk dëgjohej gjë tjetër veç një turmë që thërriste: “Në litar, në litar...”. M’u duk sikur do të shpërthente salla. Rrëqethëse... U largova nga Patosi me një përzierje kujtimesh të bukura dhe dhimbje, me respekt për shoqërinë që krijova dhe njerëzit e thjeshtë të atij qyteti.

Në vitet ‘90-të, si në të gjitha vendet e Lindjes, edhe në Shqipëri shpërthyen lëvizjet demokratike. Si i pritët këto?

Ngjarjet në atë kohë, rodhën vrullshëm. Lajmi i djeshëm  kontradiktohej nga ai i sotmi dhe i sotmi zhvlerësohej nga i nesërmi. Ngjarjet në Poloni, muri i  Berlinit, Çaushesku që ekzekutohet në Rumani, busti i Enver Hoxhës që e heqin zvarrë në rrugët e Tiranës, hapja e ambasadave, Porti i Durrësit... Dukej, që po të perifrazoj piktorin tonë të shquar, Ibrahim Kodra: “Kishte ardhur koha për pastrimin e stallave, që kishin mbushur për 50 vjet hapësirën shqiptare, me kundërmimin e tyre të padurueshëm”, (Kodra, një univers - A.Tafa,1992) Në këtë katrahurë ngjarjesh, vëmendja ishte si të largoheshe nga Shqipëria. Ndërkohë, babai na porositi: Mos merrni arratinë. Kini durim. Ju do të vini këtu”. Kur u hap Ambasada Amerikane në Tiranë, në 1994-tën, unë dhe vëllai erdhëm me gjithë familjet.

 Dy fëmijët tuaj, djali Indridi studioi në universitetin e njohur U.F. në Geinsvill, ndërsa vajza Ina, në atë kohë 11-vjeçe, në shkollë. A jeni të kënaqur prej tyre?

Unë dhe bashkëshortja ime Flora, gjithë vëmendjen e përqendruam në edukimin e tyre. Në Shqipëri, djali mbaroi shkollën e mesme artistike për pikturë. Këtu vazhdoi për inxhinieri ndërtimi. Edhe vajza, Ina, në Shqipëri ishte nxënëse po në shkollën artistike për violinë. Këtu Inës i vazhduam kurse private, çka bëri të ishte violiniste në orkestrën simfonike të universitetit, po në Geinsvill. Por edhe ajo si djali, zgjodhi rrugë tjetër, mbaroi studimet për juridik. Dëshironim të kalonim pasionet tona për artin  tek fëmijët. Dikur Flora, ka qenë violiniste në orkestrën simfonike të qytetit të Korçës. Dua të veçoj një ngjarje mbresëlënëse, atë të vitit 2000, kur zhvillohej ceremonia e ndarjes së diplomave. Në prani të mëse 200 pjesëmarrësve, nuk harroj momentin, kur të gjithë në heshtje, me emocion, prisnin se kush do të cilësohej studenti më mirë i kursit për atë vit. Kur folësi shqiptoi emrin e djalit tonë, mes emocioneve të papërshkruara,u mblodhëm rreth tij, cili ta përqafonte i pari, babai, unë, Flora. Sipas traditës së shkollës, tashmë emri i tij është gdhendur në sallën e pritjes së bashku, me emrat e studentëve më të mirë në vite, duke mbetur si kujtim i bukur për brezat që vinë. Tani Indridi është“Senior Vice President” i një kompanie të madhe ndërtimi apartamentesh. Kohët e fundit sapo inauguroi një investim të tij personal. Një godinë me tridhjetë apartamente në qytetin Largo.

Ç’do të thotë për ty të ndodhesh midis pikturave të krijuesve shqiptarë, në këtë mjedis arti në shtëpinë tuaj?

Pikturat që shihni në mure, i solla kur erdhëm në Amerikë. Kryesisht janë krijime të piktorëve vlonjatë, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi dhe të djalit, Indridit. Janë kujtimi më i bukur që kam nga Shqipëria.

Si erdhi tek ju jeta dhe vepra e fotografit të shquar shqiptar me famë botërore, Gjon Mili?

Viti 2000 ishte me bollëk botimesh për shekullin që po linim pas. Në atë kohë bleva albumin “The Photo Book”, një album ky me 500 fotografi të zgjedhura nga shekulli i kaluar. Këtu gjeta një foto të fotografit tonë Kel Marubi me titull: “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”, realizuar në vitin 1922. Duke shfletuar,një emër më tërhoqi vëmendjen, Gjon Mili, me fotografinë me titull, “Pikaso,1949”. Pikaso duke vizatuar me dritë në errësirë. Poshtë si prezantim: “Gjon Mili-Korçë, Albania 1904-1984”. U befasova. U ndjeva krenar. Në një album dinjitoz, përfaqësoheshin dy shqiptarë. Kjo u bë shkak të interesohesha dhe të blija librat e tij, “Photographs & Recollections”, “Picasso’s Third Dimension” dhe më vonë të tjera libra dhe revista ku përmendej Mili. Këto libra ia dërgova dhe shokut tim në Shqipëri, studiuesit të fotografisë, Qerim Vrioni. Këto materiale dhe të tjera herë pas here, u bënë shkak për diskutime. Kështu midis meje dhe Qerimit, u fut në mes Gjon Mili.

Cili ishte motivi,që ju bëri, të përktheni dhe shkruani për Milin, madje të botoni në harkun e dy viteve, në çdo numër të gazetës shqiptare “Dielli”, këtu në Amerikë?

Erdhi krejt rastësisht. Dy vjet më parë, në një vizitë te kushërira ime, e cila bashkë me të shoqin, Teki Gjonzeneli, kishte ardhur për të kaluar dimrin në Florida, në tavolinë më tërhoqi vëmendjen gazeta Dielli”.Në faqe të parë njoftohej se shoqëria“Vatra”e shpallte vitin 2016, viti i Faik Konicës. I them Tekiut: Unë di një bashkëpunim midis Konicës dhe fotografit të madh me origjinë shqiptare Gjon Mili”. Në çast, pa më pyetur, Tekiu merr në telefon në Nju Jork, drejtuesin e gazetës “Dielli” dhe duke më zgjatur telefonin më thotë:Fol me Dalipin”. Pas prezantimit, e pyes botuesin nëse dëshironte t’i nisja një shkrim për lidhjen Konica-Mili. Përgjigja e tij mjaftë miqësore më dha kurajo. Fillova të përktheja dhe shkruaja për jetën dhe veprën e Gjon Milit.

 

EMOCIONI

Takimi me babanë, pas 50 vitesh në SHBA

“Tre burra shtrënguar rreth njëri-tjetrit. Nuk mbaj mend sa zgjati..., por zgjati ai moment i përqafimit të parë. Kur u arratis babai, unë isha 1 vjeç, ndërsa vëllai pa lindur ende. Tani para tij, dy burra 49 dhe 50-vjeçar. Nëna kishte ndërruar jetë gjashtë vjet më parë. Vitet e fundit të jetës, babai filloi të  bëhej  nostalgjik. Kishte qejf kur i recitoja vargje nga  rilindasit tanë. Një herë, i recitova vargje nga poeti arbëresh, Zef Serembe: “Arbëri që prapa detit na kujton/ se ne të huaj jemi tek ky dhe/ sa vjet u bënë dhe zëmra s’e harron/ se për turkun qëndruam pa mëmëdhe”.Babai uli filxhanin e  kafesë, më vështroi dhe tha: “Nuk e ka thënë mirë ai poeti yt. Duhej të thoshte, se për komunizmin, qëndruam pa mëmëdhe”. Babai ndërroi jetë në vitin 2012, në moshën 90-vjeçare. Gjithsesi, pata fatin të takoj xhaxhanë tonë të madh, Ago Agaj, autor i dy librave,“Lufta e Vlorës”dhe “Mulloshi, Heroi i Kosovës”.

 

PROFILI

Arti i Pikasos zë një vend të veçantë në fotot e Gjon Milit

Arti i Pikasos, zë një vend të veçantë, në fotot e Milit. Në vizitën e tij të parë, në vitin 1949, ishte Mili në kërkim të pasurimit të artit të tij nga artisti më i shquar i kohës, Pablo Pikaso. Dhe nuk doli i zhgënjyer. Në 30 sekonda, Pikaso i dha Milit, foton “Pikaso duke vizatuar me dritë në errësirë”, e cila është vlerësuar si “ikonë” në krijimtarinë e tij dhe që ka mbetur më e vlerësuara dhe e komentuara, foto që i është bërë Pikasos nga ndonjë fotograf. Ju kujtoj se Pikaso është artisti më i fotografuar i ta gjithë kohëve. Vetëm fotografi irlandez, Eduard Kuin, ka realizuar rreth dhjetë mijë foto të Pikasos. Po ashtu, Mili i shtoi artit të Pikasos një gjini të re, vizatimet me dritëMe këtë cikël fotografish dhe të tjera, në vitin 1950, Mili, së bashku me fotografin e shquar Robert Kapa, hapën ekspozitën, On Picasso” në Muzeumin e artit modern në Nju Jork. I dërguar nga LIFE”, Mili e vizitoi përsëri Pikason në një sesion strikt pune, në vitin 1967. Në këtë vizitë, Mili u përqendrua në skulpturat e Pikasos. Me fotot  nga ky sesion, ai botoi në 1970 librin,Dimensioni i Tretë i Pikasos”. Në këtë vizitë, Mili nuk provoi të fotografonte Pikason duke vizatuar me dritë. Me intuitën e artistit, e kuptoi se s’mund të bënte gjë më të bukur dhe si thotë vetë:Unë e kisha bërë njëherë dhe nuk doja të përsërisja veten’’.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: