REFORMAT QË KËRKON BE-JA NUK I DUHEN ASAJ, POR VENDIT DHE SHOQËRISË - NGA PLATOR NESTURI

REFORMAT QË KËRKON BE-JA NUK I DUHEN ASAJ, POR VENDIT DHE SHOQËRISË - NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk do të përbëjë ndonjë surprizë vendimi që do të merret sot nga Komisioni i BE-së. Shqipëria, së bashku me Maqedoninë do të rekomandohen për të nisur çeljen e negociatave për anëtarësim në bashkësinë e vendeve evropiane. Menjëherë pas kësaj, Komisionerja e Jashtme, Mogherini, do të bëjë një tur në Ballkanin jugperëndimor, ku do ta shpallë këtë vendim edhe në Tiranë. Padyshim, ky është një lajm i mirë për Shqipërinë eë shqiptarët që janë orientuar prej mëse 27 vjetësh për të qenë pjesë e Unionit, për të mos qenë një pjesë boshllëku dhe e shkëputur nga harta evropiane, e për të qenë qytetarë të saj me të drejta të plota.

Gjithsesi, udhëtimi vazhdon. Madje edhe po ta marrim të mirëqenë se gjykimit të Komisionit do t’i bashkangjiten në qershor edhe vendet e tjera të BE-së, nga faza e çeljes së negociatave deri në arritjen e anëtarësimit të vendit në BE, do të duhen edhe shumë vite të tjerë. Sidoqoftë, nëse e quajmë sukses vendimin e Komisionit, le të jemi më të kthjellët e me këmbë në tokë. Çka do të përcjellë sot Komisioni do të jetë thjesht dhe ende një rekomandim për vendet e BE, e do të jenë këto të fundit që do të vendosin nëse do të kalojmë në fazën tjetër apo jo. Ndaj kemi kohë të gëzojmë, kur pranimi të bëhet i vërtetë. Ajo çfarë ndodh në BE dhe në marrëdhëniet me të, të vendeve të veçanta anëtare të saj, nuk janë si dikur. Ka një krizë besimi te shumë vende anëtare tek burokracia e Brukselit, gjë që ka ndikuar dhe zgjedhjet elektorale në shumë shtete, si dhe në konfiguracionet e reja politike që janë krijuar. Të gjitha këto influencojnë në qëndrime, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në unison dhe paralel me ato të shprehura nga lidershipi i BE. Në gjithë këto vite, drejtuesit më të lartë të tij kanë qenë të fokusuar drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kanë ushtruar trysninë e tyre të vijimit të zgjerimit të Unionit, përkundrejt qëndrimeve negativiste të vendeve të caktuara. Po kështu, intensiteti i lartë i vizitave të tyre në Tiranë, Shkup, Beograd, Prishtinë dhe Podgoricë, duke dhënë mbështetje për reformat, si edhe për uljen e tensioneve në rajon, ka bërë që shpesh të mbyllen sytë e të anashkalohen shumë probleme që ndodhin në shoqëritë e këtyre vendeve. Nuk kanë folur me këtë gjuhë ama shtete të veçanta, të cilat nuk ngurruar të shprehen me ashpërsi për nivelin e lartë të korrupsionit në to, për krimin e drogën, për ligjet e reformat që mbeten në letër e nuk implementohen, për nivelin e demokracisë që mbeten ende hibride e që janë ende larg standardit të vendeve evropiane. Të gjitha këto ndryshime në qëndrime të zyrtarëve të BE dhe të shteteve të veçanta janë të ditura, ndaj na mbetet të presim nëse edhe rekomandimi i Komisionit për hapjen e negociatave do të pranohet, apo do të ngrejnë sërish krye akuzat, se në Shqipëri e Maqedoni ka ende shumë për të përmirësuar, që të kalohet në këtë nivel. Në fund të fundit, këto shtete do të vendosin. Komisioni jep vetëm rekomandim pozitiv.

Për çdo shqiptar, një vendim pro hapjes së negociatave do të ishte një lajm i mirë. Qoftë edhe si vendim i mbështetur mbi baza politike, për t’i dhënë një shtysë demokratizimit të rajonit dhe përafrimit me standardet evropiane. Pasi kështu do të rritej trysnia e BE-së ndaj klasës politike për të qenë konkrete dhe jo hileqare në reformat që ndërmerr dhe atje ku frika nga abuzivizmi rritet, krijohen mundësi më të mira për demokratizimin e vendit e krijimin e institucioneve të pavarura. Çdo deklaratë për një vendim pozitiv se kjo është arritje e sukseseve tona, qoftë shtetërore apo si shoqëri, do të ishte e pavërtetë dhe mburravece. Ashtu siç do të ishte po aq e pavërtetë, se për një vendim jopozitiv nga samiti i vendeve të BE, fajin për këtë do ta ketë ksenofobia e vendeve të veçanta që nuk pranojnë zgjerim të tij. Fajin në çdo rast do ta kishim po ne, me reformat gjysmake dhe kur rekomandimet janë bërë prej kohësh, që me luftën ndaj krimit e trafikut, reformën ende të papërfunduar në drejtësi, çështjen e pronave gjithnjë tumor për ekonominë, administratën profesionale e kështu me radhë, kanë ngelur në vend numëro.

Përtej kësaj, ecuria jonë si shtet nuk bëhet thjesht për sytë e ndërkombëtarëve dhe për të marrë një status. Së pari, ecuria është një produkt që duhet ta ndiejnë vetë shqiptarët. Ndaj suksesi i një vendimi për çeljen e negociatave nuk besoj se është një pjatë që u vendoset shqiptarëve në tryezë e me të cilën do ngopen. Suksesi është i matshëm fillimisht tek ekonomia e vendit, treguesit pozitive të saj me uljen e papunësisë dhe rritjen e nivelit të jetesës, me institucionet që u vihen në shërbim dhe që hap perspektiva zhvillimi, me drejtësi që funksionon dhe bashkëpjesëmarrëse në vjedhje. Në fund të fundit, vetë reformat që kërkon BE të kryhen në vend, jo se i duhen asaj, por i duhen vendit e shoqërisë për të afruar standardet me Evropën.

17 prilli vjen me një lajm të mirë për vendimin pozitiv të Komisionit. Gjithsesi, urojmë që të mos jetë një gëzim i prerë në mes prej vendimit të Samitit të vendeve të BE në qershor. Do të ishte lajm më i keq sesa një rrugë që nuk i pritet shiriti i inagurimit të fillimit të punimeve. Por në të gjitha rastet, duhet të shërbejë edhe si një reflektim. Një reflektim, sesa mundësi kemi shpërdoruar deri më tani dhe sesa pak kemi bërë që vendi të jetë pranë standardeve evropiane.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: