RAKETAT VËNË NË PROVË EUROPËN – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

RAKETAT VËNË NË PROVË EUROPËN – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Raketat me precizion të lartë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët  hodhën në Siri, vunë në  provë edhe kontinentin Europian. Më e pakta që mund të konsiderohet ndërhyrja e  sotme,  mund të emërtohet si “sulm me raketa”; më së shumti, mund të konsiderohet si “përpjekje dhe arritje diplomatike”. Zgjidhjet diplomatike në të tre kontinentet që u prekën nga “raketat”, janë lënda e ndryshimeve të mëdha që priten t’i ndodhë Perëndimit, duke u nisur nga organizmat e BE-së. Vjen edhe një herë në skenë paradigma e lëshuar nga gjenerali i Prusisë, Carl von Clausewitz, në vitet 1830 se: “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

Pas sulmeve me raketa mbi armët e shkatërrimit në masë të një diktatori të egër si Assad, goditja mbi Sirinë mbetet si “kutia e eshkës me gurë stralli”, për rajonin dhe botën.

Nuk ka asnjë të dhënë deri tani, se sa do të vazhdojë goditja mbi Sirinë - me orë apo me ditë; as nëse do të kthehen përsëri sulmet. Situata - siç thuhet në OKB - mund të kthehet në “Luftë të Ftohtë”. Mund të kthehet edhe në një shpagim të egër... Por ajo që është shumë e rëndësishme, lufta në Siri, po provon aleatët e Perëndimit mes njëri-tjetrit; kjo do të provojë edhe se sa i thellë është hendeku ndarës që kanë krijuar politikat dhe financimet e multimiliarderit majtist, George Soros, me botën tjetër konservatore, d.m.th., me botën me atdhe, me kufij, me traditë e me familje...

Shenjat e diferencave u konstatuan së pari, në vendin tonë - Shqipëri; edhe pse shenja aq të zbehta sa ç’është i zbehtë roli global i politikës invalide të Shqipërisë. Qysh në momentin (ora tre e mëngjesit), kur mbi Damask u lëshuan raketat e para amerikane, në Tiranë u konstatuan ndarjet:  Presidenti i Republikës nxitoi të  reagojë i pari, duke e radhitur Republikën në anë të aleatëve; madje duke përmendur edhe “presidentin Trump” si faktor të madh. U deshën orë të tëra, që opozita “konservatore” e lidhur me George Soros, të shkruante dy fjalë... Pastaj u deshën orë që ministria e Jashtme të lëshonte një deklaratë thuajse naive, duke thënë se “lavdërojmë Amerikën që veproi në kohën e duhur” - njësoj si “korrje-shirjet” në sistemin komunist. Qeveria - edhe pse po mbyllet dita e bombardimeve - nuk ka reaguar akoma. Qeveria e Shqipërisë ka mbajtur anën kundër Amerikës në votimin themelor të 21 dhjetorit 2017 në OKB, duke u renditur me Turqinë dhe Rusinë...

... Kjo është thuajse miniatura e goditjes botërore, nga bombardimet në Siri. Të gjithë në Europë, janë vënë në provë.

Prova e parë para “armiqve” miq.

Shtetet Europiane, por sidomos BE - një organizëm tashmë i sëmurë, vihet para dilemave ekzistencialiste pas sulmeve amerikane, britanike e franceze mbi Sirinë. Tani, burokratët përballen me “çorbën” që gatuan si “liberalë” dhe “politikanë korrekt”, ndaj faktorëve në Lindje. Në skenën e Sirisë - përballë Perëndimit - ndodhen Irani, Izraeli, Turqia, Arabia Saudite dhe forca e “padukshme”, xhihadistë e hazbullah dhe militantë të ISIS. Cila do të jetë sjellja që do t’i imponohet Europës, sidomos Bashkimit Europian? BE-ja, deri tani, ka bërë lojëra me Turqinë (herë e pranojmë në BE herë jo), me Iranin (për ta përkëdhelur përballë Trump në favor të Obamës), me IS dhe hazbullahët. “Pranvera Arabe” e Obamës tani duket  më e dyshimtë, para vendosmërisë precize të Trump. Faktorët  MeadleEasted, tani kërkojnë rol të ri. Kompleksi i BE-së mbi krizën e Sirisë që nuk u zgjidh kurrë, mbetet një “kuti me eshkë”.

Prova e dytë

A do të mbahet, për një kohë të gjatë pas bombardimeve, statusi i ndalimit ndërkombëtarisht  të prodhimit dhe përdorimit të armëve kimike? Kjo do të vërë në provë fuqitë perëndimore ndaj Rusisë dhe strategjisë së saj të helmimeve; do të provojë edhe qëndrimin ndaj vendeve që prodhojnë “helmin e bardhë”, narkotikët, në gjithë botën...

Prova e tretë

Çfarë do të ndodhë me sfidën ndaj Rusisë, Turqisë dhe Iranit që, “de facto” kanë mbajtur rolin e “të zotit të shtëpisë” në Siri? Nëse BE-ja dhe institucionet do të krijojnë shizma me Shtëpinë e Bardhë dhe me Britaninë, (për shkak të Rusisë ose Iranit), atëherë sulmi me raketa do të shkojë dëm. Ndërsa për Macronin e Francës, kjo ishte një ngjarje e rëndësishme dhe në favor të tij për të konsoliduar rolin në vend dhe në skenën ndërkombëtare. Ai qe i pari mes perëndimorëve që mbështeti presidentin Trump për sulmet.

Prova e katërt

Fuqitë perëndimore, sidomos pas bombardimeve mbi Siri, mbeten të angazhuara në zgjidhjen e krizave humanitare botërore dhe rajonale. Në qendër të sulmeve mbi Siri, është qëllimi dhe strategjia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përballë dhunës së një “monstre”. Gurë themeli i sotëm mbi zgjidhjen   e krizave humane,  e vë në provë Perëndimin, sidomos Bashkimin Euopian. BE-ja, prej kohësh, është distancuar nga politikat për mbrojtjen e të drejtave politike dhe natyrore të individit; BE-ja është anuar fort në drejtim të “kufijve të hapur”,  të krijimit të kaosit humanitar dhe sulmit kundër vlerave konservatore të kombeve... Me sulmin mbi Siri tronditet nga themelet politika liberale majtiste dhe sistemi libertarian - qoftë edhe në embrion.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: