PUSHTETI NUK MERRET ME SKENARË NË PARLAMENT, POR ME PËRBALLJE

PUSHTETI NUK MERRET ME SKENARË NË PARLAMENT, POR ME PËRBALLJE
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Parlamenti u zbardhua me miell, gjatë seancës së djeshme, por të zezat mbetën sidoqoftë brenda sallës. Sërish, irracionalitet dhe situatë kaotike, siç është vetë politika shqiptare ku, prej vitesh, palët si çiliminjtë e të njëjtit grup kopshti, gjuajnë me llastiqe njëri-tjetrin. Seanca e djeshme vjen pasi opozita bojkotoi javën e shkuar punimet në sallë dhe organizoi protesta në disa rrugë të vendit, për heqjen e taksës në autostradën e Kombit. Pavarësisht organizimit, arsyeve dhe qasjes së vërtetë të opozitës ndaj problemit Kukësi, ishte një lëvizje që, natyrisht, dëshmon respekt për të qenë në krah të qytetarëve. Një lëvizje të cilën nuk kishte ditur apo nuk iu ishte afruar dot për probleme të tjera, që nga naftëtarët e deri tek ata që protestonin për ngritjen e landfilëve. Për seancën e fundit, opozita kishte vendosur të shkonte në sallën e Kuvendit, por ndërsa u mendua se do të kishim një përballje të ashpër argumentesh dhe debatesh politike, mbi çfarë po ndodh sot në vend e për çfarë shqetësohen, që nga kuksianët e deri tek biznesi i vogël, situata rrodhi krejt ndryshe.

Është përhapur si shumë kjo ideja se do përgatitet skenar. Që një ditë më parë në media, kishin hedhur merak se cili do të jetë skenari i PD-së për nesër. Thua se opozitarizmi bëhet me skenarë dhe jo me strategji. Thua se kanë vlerë ndryshimi disa gjetje mizaskenash dhe jo konsekuenca e qëndrimeve dhe përballja me problemet. Aq më tepër që, të gjitha gjetjet e momentit të të gjitha opozitave në gjithë këto vite, kanë qenë skenarë të dështuar, që kanë krijuar thjesht rrëmujë, por që nuk mbahen mend për gjatë. Dje në Parlament u hodh miell, vezë dhe ujë. Asortimente byreku, si për të mbllaçitur pas ditës së lodhshme. Por nuk pati debat.

Synimi sipas opozitës ishte që të pengohej Rama e të dilte nga salla e Kuvendit, me arsyetimin se kishte fyer shqiptarët me fjalorin e tij dy javë më parë. Dhe ky veprim, sipas të djathtëve, është një përshkallëzim i protestës. Pak e vështirë për t’u përtypur kjo. Pasi edhe nëse Rama do të dilte nga salla e Kuvendit, pse do ishte zbardhuar me miell, ai sërish do të mbetej kryeministër i shqiptarëve. Edhe i atyre shqiptarëve për të cilët opozita thotë se është solidarizuar në protestë me ta. I po atyre shqiptarëve që paguajnë taksa, që kanë pakënaqësi dhe halle, që herë tulaten dhe herë shpërthejnë. Por kur shpërthejnë, nuk luajnë topa bore me miell, dhe as u duhen në krah disa politikanë si grindavecë, që nuk dinë të përballen me debate dhe argumente, në favor të interesave të shoqërisë.

Duket sikur ka dy axhenda të ndryshme protestash, nga njëra anë e qytetarëve që kërkojnë në mënyrë direkte një të drejtë të tyre dhe, nga ana tjetër, një opozitë që do të bjerë në sy nëpërmjet skenarëve e gjetjeve politike. Duken shumë larg kështu dhe me sa shihet, mosbesimi që rrezaton opozita, do të vijojë gjatë. Pasi nuk arrin të merret me thelbin e problemit dhe as të përballet me çështjet,  përveç anës deklarative.

Pakënaqësia  e shtresave të ndryshme në aspektin ekonomik, ka kohë që ndihet, por opozita ose nuk ka ditur ta shohë, ose nuk ka ditur ta evidentojë, si pjesë të opozitarizmit të saj. Ndërsa jemi te çështja e taksave, prej muajsh, gjen gjithmonë e më shumë vend mediatik pakënaqësia e qytetarëve, bizneseve të vogla, e fermerëve apo e të vetëpunësuarve se, shtimi i taksave ka sjellë një gjendje më të rënduar dhe se gjithçka po bëhet gjithmonë më e vështirë për tu përballuar. Është e vërtetë që shteti mbahet nga taksat, por kur ato janë irracionale dhe mbysin aktivitetin, shndërrohen në bllokim të iniciativës dhe të zhvillimit ekonomik. Ca më tepër kur taksat tona janë të kombinuara me një nivel të lartë gjobash, situata e biznesit bëhet më mbytëse. Vetë FMN-ja dhe së fundmi Banka Botërore arritën të shprehin se, qeveria duhet të ketë kujdes me çështjen e taksave dhe sidomos për TVSH-në e biznesit të vogël, pasi krijon probleme në rritjen ekonomike dhe sociale.

Pra, është e qartë se diçka nuk shkon, dhe që duhet të ishte ndryshe. Pak rëndësi ka retorika se do të bëjmë shtet, se pa taksa nuk ka të tillë, dhe se nëse po vuajmë nga kjo shtrëngesë, është për të mirën tonë. Të gjithë e duam shtetin e rregullin, kërkojmë të zhvillohemi e të ndihemi europianë, porse kur hesapi nuk del dhe kur në llogari futet dhe buka e fëmijëve, atëherë nuk ka fré shtetëror që ta përmbajë një shpërthim. Vetë rasti i Kukësit, ishte shembulli më i qartë. Pse pikërisht aty isteh ndjerë më thellë varfëria, mungesa e investimit dhe shtimit të papunësisë dhe të azilantëve jashtë. Ndaj një taksë për rrugën që i penalizon në mënyrë më direkte se të tjerët, do të sillte një reagim shpërthyes.

Deri këtu jemi të qartë se, me këtë situatë gjendja nuk është aspak në rregull dhe se pushteti duhet të lirojë ca yzengjinë, ndryshe do të rrezikojë që kali vetë ta rrëzojë. Por ndërsa pas gjithë kësaj që ndodhi, dëgjojmë opozitën të nxitojë drejt formulës së mosbindjes civile, dhe hapat e mëtejshëm janë disa skena me miell në Parlament, duket se diçka ende nuk shkon. Është e vërtetë që ky reagim qytetar drejtohet së pari ndaj taksës dhe vështirësive të momentit, por dhe drejtimit joeficent të gjithë klasës politike ndër vite. Ndaj një opozitë që deri tani ka dëshmuar se i mungon besueshmëria në popull, së pari duhet të kuptojë dhe të tresë mesazhin që përcillet nga kjo pakënaqësi. I duhet të bëjë mea culpan, për gjithë dështimet e saj, si në vitet e pushtetit, ashtu edhe të opozitës, duke pranuar pjesën e fajit për gjendjen e prapambetur, dështimet e institucioneve dhe demokracinë e hibridizuar. Dhe së dyti, i duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me të gjithë të shpërdoruarit e të prekurit nga shtrëngesat e taksave apo e vendimeve në dëm të qytetarëve. Nëse objektivi është thjesht që Rama të largohet se dua unë të jem aty, as që ka vlerë asgjë. Pasi pushteti nuk merret me skenarë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: