PSE NA TREMBI ME LUFTËN, JUNKER? – KOMENT NGA PLATOR NESTURI

PSE NA TREMBI ME LUFTËN, JUNKER? – KOMENT NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqipëria dhe Maqedonia arritën të marrin rekomandim pozitiv nga Komisioni i BE-së, për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Një lajm pozitiv ky, për gjithë rajonin, kur Serbia dhe Mali i Zi ndiheshin më të avantazhuara. Ajo çfarë dukej si surprizë, ishte fakti që, ndryshe nga parashikimet e mjegullta të shtyrjes së afateve, Shqipëria arriti jo vetëm të marrë rekomandimin, por dhe të mos ketë kushtëzim në hapjen e negociatave. Ndoshta vetë BE-ja, e ka të qartë se nuk do të arrijmë të përmbushim në kohë asnjë kërkesë, ndaj më mirë një vullnet politik të qartë, që mbase, në këtë mënyrë, shtyhemi më tej në reformat e ndërmarra.

Ajo çfarë tërhoqi vëmendjen, disa orë para se të paraqitej zyrtarisht raport progresi për Ballkanin Jugperëndimor, ishte përplasja e ideve të ndryshme midis presidentit të BE-së, Junker dhe presidentit francez, Makron. Në fakt, është përplasja e dy ideve që polemizojnë më njëra-tjetrën, brenda vetë BE-së: Ajo për zgjerimin kundrejt  shtyrjes së këtij procesi, për t’u marrë së pari me vetë reformimin e BE-së. Macron ishte i qartë në atë çfarë shprehu. Ballkani duhet të presë, megjithëse e pranon se ai mund të bjerë nën trysninë e interesave ruse dhe turke. Por argumenti i Junker, ishte befasues. Ballkani si rajon delikat, mund të ketë rrezik të konflikteve të brendshme, ndaj progresi në anëtarësimin e këtyre vendeve drejt BE-së, është mënyra e vetme për të shmangur luftën që mund të ngjasë.

Është hera e parë që bëhet një deklaratë kaq apolitike nga një zyrtar i lartë, aq më tepër nga kreu i BE-së. Deri më tani, ky rrezik ka ngritur krye vetëm në ndonjë cep gazete dhe aspak në nivel zyrtar. Ajo çfarë mbetet të shihet është, nëse vërtet ka një rrezik që mund të bëhet evident më pas, nëse nuk integrohemi në BE, apo kjo prognozë bëhet për të nxitur vendet anëtare të BE-së që të pranojnë zgjerimin e Unionit dhe në hapësirën ballkanike. Atëherë, ku konsiston kjo frikë? Deri më tani, në çdo raport, një pjesë të rëndësishme ka luajtur dhe politika e jashtme që ka ndjekur secili nga vendet e rajonit. Dhe vëmendja nuk ka qenë se çfarë qëndrimi mbajnë ndaj BE-së dhe proceseve demokratizuese, por çfarë qëndrimi kanë së pari ndaj fqinjëve dhe sa i kontribuojnë paqes.

Tensionet e herëpashershme në Ballkan, janë gati normalitet. Lufta nënkupton diçka më shumë dhe ka pasoja që Ballkani i ka parë me shumicë gjatë shekullit të kaluar. Deri më tani, Ballkani, përveç retorikës së zjarrtë dhe gjendjes në kufi të konfliktualitetit, nuk ka patur ndryshim të kufijve. I vetmi rast është shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me konfliktin luftarak që e shoqëroi. Por dhe në këtë rast, kufijtë e shteteve të rinj u caktuan në bazë të kufijve të republikave federale që e përbënin atë. Pra, gjithsesi kufijtë administrativë u shndërruan në kufij shtetërorë, por me faturën që pjesë të caktuara të etnive të shteteve të rinj, mbetën nën juridiksionin e shteteve kufitare

Gjithsesi, të gjitha shtetet, të vjetra dhe të reja në Ballkan, kanë minoritete të çdo lloji dhe në këtë mozaik ngulimesh e etnish, mund të ngrihen sa hap e mbyll sytë vatra konfliktesh, që mund të helmojnë marrëdhëniet midis shteteve dhe ekuilibrin e gjithë rajonit. Ndaj BE-ja dhe perëndimorët, kanë qenë gjithmonë të vëmendshëm dhe me pompë zjarrfikësi në dorë, për çdo deklaratë apo qëndrim që mund të rrezikojë përflakjen e Ballkanit. Madje, ndër kushtet që u vendosen vendeve ballkanike për rrugën e integrimit në Europë, kanë qenë konsekuente detyrimet për uljen e toneve nacionaliste dhe faktorizimin e këtyre vendeve për ruajtjen e stabilitetit të rajonit. Për më tepër, në kushtet kur vetë shtetet ballkanike janë deficitarë në shtet bërje dhe funksionim demokratik të institucioneve të tyre, një mënyrë e BE-së për të zbutur tensionet, si nga brenda vendeve, ashtu dhe në marrëdhëniet midis njëri-tjetrit, ka qenë detyrimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.

Parë në këtë kuadër, me këtë larmi etnish që bubulojnë brenda territoreve të secilit shtet, vendet e Ballkanit, pavarësisht nëse shkojnë mirë apo keq midis tyre, janë si ata vëllezërit siamezë, ku çdo infeksion i kalon edhe tjetrit. Fakti që BE-ja na sheh si jetë e tërë, pavarësisht se grindemi me njëri-tjetrin, dëshmon se dhe fatin e kemi të përbashkët, pavarësisht tensioneve që krijohen. Junker i ra çangës së alarmit se, rreziku në Ballkan ende është i pranishëm. Për të shpëtuar nga kjo, nuk mjafton që të futemi në BE, por së pari duhet të krijojmë shtete funksionale dhe demokratike, të jemi më të hapur e të pranojmë diversitetin, pasi qendra e botës nuk është te shkopi ku kemi lidhur gomarin!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: