Pse duhet t’i vaksinoni fëmijët, ja sëmundjet që parandalohen

Publicitet
Publicitet
Pse duhet t’i vaksinoni fëmijët, ja sëmundjet që parandalohen
Shumë adoleshentë dhe individë të rritur, të cilët mund të preken nga sëmundje të ndryshme, nuk janë të vetëdijshëm për ato që kërcënojnë shëndetin e tyre, si dhe vaksinat e nevojshme për të siguruar mbrojtje të vazhdueshme

Sonila Isaku

Java Europiane e Vaksinimit ofron një mundësi që, në vende të ndryshme, në prill të çdo viti, të promovohet rëndësia dhe përfitimet që, Shëndeti Publik ka nga vaksinat. Qysh në fillimet e saj në vitin 2005, Java Europiane e Vaksinimit ka arritur të bëhet një ngjarje e rëndësishme me shtrirje të gjerë në rajon, duke përfshirë qindra nisma të cilat rrisin ndërgjegjësimin mbi këtë çështje. Zbatimi i gjerë i programeve të vaksinimit, gjatë 30 viteve të fundit, ka çuar në një rënie drastike të sëmundshërisë dhe vdekshmërisë, të shkaktuara nga sëmundjet që parandalohen nga vaksinat. Java Europiane e Vaksinimit përcjell mesazhin kryesor që, vaksinimi i çdo fëmije është i rëndësishëm për të parandaluar sëmundjet dhe për të mbrojtur jetën.

Shqipëria

Vendi ynë vazhdon të gëzojë mbulim të lartë me vaksina për periudhën e fëmijërisë, dhe po përparon drejt synimeve të Planit të Veprimit Europian mbi Vaksinimin, duke synuar eliminimin e fruthit dhe rubeolës. Megjithatë, mbeten ende individë të pa vaksinuar, të cilët shërbejnë si burim infeksioni dhe shkaktues të sëmundjeve apo vdekjeve të cilat mund të parandalohen nëpërmjet vaksinimit. Mjaft adoleshentë dhe individë të rritur, që kanë rrezik të sëmuren, nuk janë të vetëdijshëm për ato që kërcënojnë shëndetin e tyre, si dhe vaksinat e nevojshme për të siguruar mbrojtje të vazhdueshme.

Sëmundjet që luftohen me vaksinë

Kjo fushatë thekson rëndësinë e vaksinimit dhe promovimit të saj, gjatë gjithë fazave të jetës së individit, si një mënyrë e sigurt për të parandaluar sëmundjet e transmetueshme. Janë një sërë sëmundjesh, të cilat luftohen nëpërmjet vaksinimit. Kështu, në vendin tonë, parandalohen 10 sëmundje vdekjeprurëse me anë të vaksinimit, konkretisht:

Difteria

Shenjat: Kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe gëlltitje, mavijosje e lëkurës, rrjedhje gjaku nga hundët, temperaturë, të dridhura;

Komplikacionet: Dëmtim të zemrës dhe veshkave, paralizë e përkohshme, vdekje;

Tetanozi

Shenjat: Tkurrje dhe ngrirje të muskujve, shtrëngim të nofullës dhe mosgëlltitje;

Komplikacionet: Bllokim i rrugëve të frymëmarrjes, arrest respirator dhe kardiak, pneumoni, dëmtime të trurit, vdekje.

Kolla e mirë

Shenjat: Kollë e zgjatur me zhurmë që shkakton të vjella, vështirësi në frymëmarrje, pirjeje dhe ngrënieje, humbje të ndërgjegjes.

Komplikacionet: Pneumoni, dëmtime të trurit, mpirje të frymëmarrjes.

Fruthi

Shenjat: Temperaturë e lartë, kollë, njolla të kuqe në lëkurë, skuqje të syve, njolla të bardha në gojë, dhimbje fyti.

Komplikacionet: Pneumoni, infeksion i trurit, vdekje.

Poliomeliti

Shenjat: Temperaturë, dhimbje koke, lodhje, të vjella, dhimbje fyti.

Komplikacionet: Paralizë e pakthyeshme, vdekje.

Infeksionet nga Haemophilus, influenca e tipit B

Shenjat: Temperaturë, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje dhe gëlltitje, rrjedhje pështyme, fishkëllima.

Komplikacionet: Pneumoni, infeksion i cipave të trurit, shurdhim, artrit septik, infeksion i lëkurës në fytyrë, kokë ose qafë, bllokim i frymëmarrjes, vdekje.

Hepatiti B

Shenjat: Të përziera, të vjella, diarre, zverdhje të lëkurës dhe syve, temperaturë subfebrile.

Komplikacionet: Infeksione kronike të mëlçisë, kancer i mëlçisë, vdekje.

Infeksionet nga Pneumokoku

Shenjat: Temperaturë, dhimbje dhe rrjedhje të veshit, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje fyti.

Komplikacionet: Infeksion i cipave të trurit, pneumoni, sepisis dhe vdekje.

Rubeola

Shenjat: Temperaturë, dhimbje koke, rrjedhje të hundëve, njolla në lëkurë, skuqje të syve, enjte të gjëndrave në qafë.

Komplikacionet: Te gratë shtatzëna aborte, vdekje të neonatit, lindje të parakohshme, lindje të fëmijëve me probleme në zemër, të verbër dhe të shurdhët.

Shytat

Shenjat: Temperaturë, dhimbje të kokës dhe muskujve, lodhje, humbje oreksi, ënjtje të gjëndrave të pështymës apo gushës.

Komplikacionet: Infeksion i trurit dhe cipave të tij, shurdhim, infeksion i testikujve apo ovareve.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: