Provimi i shtetit për bluzat e bardha, afatet dhe kushtet që duhen plotësuar

Publicitet
Provimi i shtetit për bluzat e bardha, afatet dhe kushtet që duhen plotësuar
Ministria e Arsimit publikon datat e provimit për të gjithë arsimtarët, duke nisur nga arsimi fillor, deri te profilet e ndryshme shkencore dhe shoqërore

Sonila Isaku

Duke filluar nga data 7 deri në 23 maj, të gjithë profesionistët në mjekësi do të kalojnë në provim shteti. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka përcaktuar datat e testimit dhe kriteret që duhet të plotësojnë mjekët, farmacistët, laborantët, imazheristët, stomatologët, mamia dhe fizioterapistët.

“Provimet e shtetit për profesionin e rregulluar të mjekësisë sezoni i parë, do të zhvillohen pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, në periudhën 07-23 maj. Programet e Provimit të Shtetit dhe fondi i pyetjeve sipas profileve përkatëse, është në dispozicion të kandidatëve në faqen zyrtare të QSHA-së, në adresën www.qsha.gov.al rubrika Provimet e Shtetit. Kandidatët për provimin e shtetit të paraqiten në godinën e QSHA-së në datën e caktuar, 30 minuta para zhvillimit të provimit. Kandidatët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe një fotokopje të saj, mandatin e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA-së, faturë e cila ndodhet te faqja zyrtare e QSHA-së, si dhe fotokopjen e diplomës master”, - thuhet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati/ja duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton ndryshimin e mbiemrit.

Para provimit, profesionistëve të mjekësisë u ndalohet marrja me vete ose përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit, pasi vlerësohet si kriter s’kualifikimi. Gjithashtu, ndalohet duhani dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit. Provimi i shtetit cilësohet i kryer me sukses, nëse një mësues është vlerësuar së paku, me notën 5 (50 pikë nga 100 që ka testi). Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit, jo më shumë se pesë herë. Kur provimi është kryer me sukses, nuk lejohet të përsëritet.

Mbetësit dhe kandidatët e para 2011-ës

Por çfarë duhet të kenë parasysh, ata kandidatë që, në sezonin e parë, nuk janë shpallur fitues.

“Kandidatët të cilët janë quajtur mbetës në sezonet e provimit të shtetit, do të regjistrohen për të dhënë sërish këto provime. Kandidatët të cilët janë diplomuar pas datës 12 janar 2011 dhe pas diplomimit, kanë punuar në një institucion publik/privat, do të pranohen në provimin e shtetit vetëm nëse kanë të dokumentuar një vit (12 muaj) punë, në librezën e punës.

Pyetjet

Pyetjet do të bazohen të programet orientuese që ka publikuar QSHA-ja, për çdo lëndë. Asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë programit, duke qenë se të gjitha janë me alternativa dhe nuk ka vend për interpretim. Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Vetëm një nga alternativat është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar.

“Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat, ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat, pastaj ta konfirmojë atë. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve, e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara, si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara. Kur koha e provimit përfundon automatikisht, printohet një dokument vërtetimi me foto, shoqëruar me informacionin e sipërpërmendur”, ­ thuhet në udhëzuesin për zhvillimin e provimeve të shtetit.

 http://akp.gov.al/dpsh/materiale/njoftime/Kalendari%20i%20datave%20t%C3%AB%20mjek%C3%ABsis%C3%AB%20sezoni%20XIV%20Maj%202018.pdf

Shpërndajeni me miqtë tuaj: