PRANVERA S’ERDHI VETËM DHE 10 DILEMAT POLITIKE TË KËSAJ STINE - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PRANVERA S’ERDHI VETËM DHE 10 DILEMAT POLITIKE TË KËSAJ STINE - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Kjo pranverë është stina që, për politikën shqiptare, rrallë herë ka sjellë së bashku një sërë problemesh, por edhe dilema. Ka sjellë protesta, por nuk ka sjellë pritshmëri. Ka sjellë reagim ndaj dukurive negative në shtet, por nuk ka sjellë masivizim të këtij reagimi. Ka sjellë lëvizje brenda Partisë Demokratike, por nuk ka sjellë frymëzim të opozitës. Dhe të gjithë, edhe pse themi njëzëri se, kjo pranvere nuk erdhi vetëm. Ajo erdhi dhe është futur në stinë, edhe me të paktën 10 dilema që, në fund të kësaj stine, do sqarojnë shumë në politikën tonë. Janë dilema që nisin me pritjen e gjatë për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, vijojnë me protestën e opozitës dhe organizimin e PD-së, deri te zbatimi dhe aplikimi i reformës në drejtësi.

DILEMA 1

Kjo pranverë do konfirmojë ose jo, nëse BE-ja do të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Është një lajm që pritet të na gëzojë të gjithëve, por njëkohësisht një kambanë alarmi për ta monituar qeverinë e Edi Ramës në çdo drejtim dhe shumë më mirë se deri tani. Hapja e negociatave do të ishte një siguresë për çdo zhvillim politik në Shqipëri, ndryshe raportet që vendi ynë është i lidhur me krimin e organizuar, do të jenë shumë herë më dekurajuese.

DILEMA2

Kjo pranverë do të vërtetojë dhe konfirmojë, nëse protesta e Kalimashit nga një grup kuksianësh, do të shndërrohet në uragan protestash anembanë vendit, siç premton opozita apo do shuhet si flakë në ujë. Është një vijë ndarëse aq e hollë, që i ndan fjalët dhe veprat, saqë të dyja mund të ndodhin. Dita e parë e mosbindjes civile tregoi se, opozita ka nisur diçka, por jo gjithçka. “Marrja e pushimeve” për shkak të festave, i ndodh vetëm kësaj opozite dhe si të tillë ka shumë nga ata që nuk i besojnë atyre që thonë.

DILEMA 3

Kjo pranverë do të vërtetojë ose jo, nëse situata që precipitoi në Kalimash, është kthyer apo jo në krizë politike në Shqipëri. Kur pamë reagimin e atyre rreth 200 kuksianëve, çdokush mendoi se Shqipëria po hynte në një krizë politike, por tani që kanë kaluar 10 ditë, duket sikur gjithçka është zbehur. Prandaj, muajt e pranverës do të vërtetojnë plotësisht, nëse ajo protestë ishte shpërthim i një krize politike si rezultat i taksave, por edhe varfërisë apo do të shuhet bashkë me shuarjen e flakëve që dogjën trarët e pagesave në rrugën e Kombit.

DILEMA 4

Kjo pranverë do të vërtetojnë, nëse strukturat e Partisë Demokratike vërtetë do shkunden dhe rigjenerohen për të vërtetuar se, përgjumja që e gjeti nga protesta në Kalimash, ishte e çastit. Kjo pranverë do të vërtetojë ose jo, nëse strukturat janë zgjuar nga gjumi i dimrit dhe PD-ja të mos krijojë imazhin se, zyrat e saj për një pjesë janë stacione azilantësh të njerëzve që janë pa punë. Ishte domethënëse ajo që tha Berisha, që Kalimashi e shkundi PD-në. Muajt e kësaj stine do vërtetojnë nëse, kjo shkundje ka patur efekt apo jo.

DILEMA 5

Kjo pranverë do konfirmojë ose jo, nëse LSI-ja do organizohet apo jo në një formë të re dhe efikase në opozitë. Nuk mjafton vetëm furtunat e ngritura nga kryetarja Monika Kryemadhi dhe deputetet gra që ajo përkrah, madje nuk mjaftojnë as thirrjet për të penguar Ramën të hyjë në zyrë. Pas afro 1 vit nga ndryshimet në kupolën e saj drejtuese, ka kohë që LSI-së i mungon Ilir Meta. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se, Monika është një furtunë sa herë nis një aksion politik, por mund të themi se, nëse Meta do ishte në krye të kësaj force, doemos që LSI-ja do ishte një uragan, fuqia e të cilit nuk do matej me belbëzimet e Klajdës dhe Kejdit, që kur flasin nuk mbahen mend se çfarë thonë, por me peshën reale të profesor Edmond Panaritit dhe me Edmond Haxhinaston, Nora Malajn, Nasip Naçon, Sokol Dervishit, Ylli Manjanit e shumë të tjerëve.

DILEMA 6

Kjo paraverë do vërtetojë, nëse Ilir Meta do vijojë mandatin e plotë si president i 10-të republikës, apo do ta ndërpresë atë. Rikthimi i tij në krye të LSI, për shumë militantë, është bërë i domosdoshëm. Natyrisht është një dilemë e madhe dhe një vendim që ndodhet vetëm në mendjen e Metës, por kjo pranverë pritet të ketë zgjidhjen finale, nëse ai do të vazhdojë konsumimin e mandatit ose do ta ndërpresë atë. Dhe, nëse kjo ndodh, ribashkimi i atyre që janë larguar apo lënë në harresë, do ishte një fitore e madhe për këtë forcë politike.

DILEMA 7

Kjo pranverë do të vërtetojë ose jo, nëse kjo shumicë vuan ose jo nga sindroma e mandatit të dytë. Pas 1 viti të mandatit të dytë, mund të bëhet bilanci i parë i kësaj shumice. Rrjedhimisht, është rasti të konfirmohet ose jo, nëse Partia Socialiste është nën efektin e sindromës së mandatit të dytë apo do konfirmojë atë që tha Rama, kur e mori këtë mandat, se do punojmë në mandatin e dytë për të marrë mandatin e tretë.

DILEMA 8

Kjo pranverë do konfirmojë ose jo, nëse kjo qeveri do sjellë investitorë të rëndësishëm të mëdhenj strategjikë. Përfundimi i projektit dhe largimi i TAP-it, por ikja edhe e shumë operatorëve të tjerë në ekonomi, po lënë një boshllëk kaq të madh në ekonomi, që do ta nxjerrë zbuluar atë. Më shumë se një herë, kryeministri Edi Rama premtoi se, në pranverë shqiptarët do mësojnë emrin e një investitori të madh. Në fund të stinës, do konfirmohet nëse ai do jetë dhe cili do jetë. Ose në rastin më të keq, që nuk do kemi fare.

DILEMA 9

Kjo pranverë do konfirmojë ose jo, nëse diplomatët e rinj të huaj që shërbejnë në Shqipëri e që do të zëvendësojnë ata që u mbaron mandati, do të vijojnë me të njëjtën linjë bashkëpunimi me qeverinë apo do jenë oponentë të saj. Jo vetëm opozita, por edhe një pjesë e gazetarëve, kanë hedhur shigjeta për disa ambasadorë që, sipas tyre, nuk e kanë kritikuar qeverinë, sidomos në denoncimin e rasteve që, sipas tyre, zyrtarë të lartë deri te kryeministri, janë të lidhur me kanabizimin e vendit.

DILEMA 10

Kjo pranverë do konfirmojë ose jo, nëse do vihen përpara drejtësisë peshqit e mëdhenj. Janari i dimrit iku, e bashkë me të edhe shumë premtime të tjera. Por stina e pranverës do të konfirmojë nëse, kjo drejtësi vërtetë e ka seriozisht apo është një gjë në letër dhe peshq të mëdhenj nuk mund të quhen kurrë, as kryetarë bashkish të vogla, as zyrtarë mesatarë të PD-së e as kundërshtarët e LSI-së. Peshq të mëdhenj quhen ata të kalibrit ministra të shumicës së PS-së, që goditen për të quajtur vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin. Ndryshe, kjo reformë nuk vlen.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: