PORTRET/ 35 pranverat në karrierën e Kastriot Tushës

PORTRET/ 35 pranverat në karrierën e Kastriot Tushës
Nga Juela Meçani

Tenori i mirënjohur, “Mjeshtër i Madh” Kastriot Tusha pak ditë më parë, festoi dy gëzime në një ditë, ai festoi 55 vjetorin e lindjes që përkuan edhe me 35 vjetorin e nisjes së karrierës së tij. E ashtu siç di të bëjë një artist, artisti i mirënjohur, festoi duke kënduar në koncertin “Nostalgji”, rrethuar nga shumë miq e kolegë, bashkëpunëtorë e të afërm. Sepse e tillë ka qenë karriera e Kastriot Tushës, që lindi si tenor e më pas ndriçoi edhe në muzikën qytetare, balada e serenata.

Pikënisja

Lindur në Elbasan por me origjinë nga Kruja, aktivitetin e tij e ka filluar që me festivalet e pionierëve në shkollë, më pas konkurron për kanto dhe ndjek shkollën e mesme për kanto në Elbasan. Pas mbarimit të shkollës së mesme artistike, erdhi edhe periudha e studimeve të larta, në Akademinë e Arteve, në degën e kantos në Tiranë. Edhe në aktivitetet e Akademisë së Arteve ka pasur një angazhim të gjerë. Pas vitit 1963 ishte hera e parë që riktheheshin në skenë vepra të repertorit që ishin asokohe të ndaluara dhe  ka qenë diploma e parë ku u vu në skenë akti i tretë i operës “Madame Butterfly” sepse dhe vetë brumi i atij viti ishte shumë i plotë, me zëra shumë të mirë bariton dhe tenor. Ishte një risi ku salla e Akademisë së Arteve u mbush plot e në mes tyre kishte dhe shumë personalitete. Interesant është fakti se profesor Gaqo Çako e ka interpretuar këtë pjesë në premierën e vitit 1963. Pra pas vitit 1963, vetëm në vitin 1988 u rikthye kjo premierë se siç dihet u deshën shumë vite që këto vepra të mëdha të lejoheshin të viheshin përsëri në skenë.

Puna në teatër

Pas mbarimit të shkollës së lartë, emërohet solist në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe për 10 vite interpretoi si solist në role të rëndësishme si Arlekini tek opera “Pagliacci”, Nadiri tek opera “Peshkatarët e Perlave”, Alfredo tek “Traviata”, Almavivën tek opera “Berberi i Seviljes”, Dodën tek opera “Mrika”, Nikollën tek opera “Dasma Arbëreshe” e shumë premiera të tjera.

Kaloi më pas një periudhë tranzicioni kur premierat u rralluan deri në njëherë në vit, më pas periudha e vështirë e vitit 1997. Në ato kohë të vështira, ishte ngritur një grup artistik me artistë të RTSH-së si Shpëtim Saraçi, Edison Miso, Mira Konçi dhe Kastriot Tusha bëri pjesë në këtë grup, me të cilin udhëtoi dhe interpretoi në koncerte në të gjithë diasporën. Një periudhë që i ndihmoi ekonomikisht këta artistë që të rezistonin por edhe në këtë rast, artistët performonin muzikë të mirëfilltë, të muzikës së lehtë, popullore qytetare por edhe klasike. “Ne nuk mund të dilnim jashtë profesionalizmit tonë dhe në ato koncerte performonim një program shumë qytetar dhe me nivel. Në ato vite kishte shumë nostalgji nga diaspora dhe ne u pritëm mjaft ngrohtë nga bashkatdhetarët tanë nëpër Evropë.”-shprehet mbi ato vite Katriot Tusha.

Rrugëtimi si pedagog

Pas kësaj periudhe me koncerte jashtë Shqipërisë, Kastriot Tusha rikthehet në atdhe dhe nis punën si pedagog i jashtëm i kantos në Akademinë e Arteve dhe deri më sot ai vazhdon të japë kontributin si Asistent/Profesor dhe drejton Departamentin e Kantos me një staf pedagogjik shumë profesionist nga të cilët të gjithë studentët kanë çfarë të fitojnë. “Katedra e kantos ka bërë dhe bën një punë të shkëlqyer për mbështetjen e talenteve, si një trashëgim i pedagogëve tanë të shquar nga ai brez i artë që vinte nga një shkollim shumë i mirë nga shkollat ruse e më pas italiane. Një katedër shumë profesionale që ka nxjerrë talente që sot na nderojnë në botë si Inva Mula, Josif Gjipali, Adrian Xhema, Ermonela Jaho, Hektor leka, Saimir Pirgu, Gëzim Mushketa pra emra që ja kanë ngritur lart prestigjin Shqipërisë.

Nuk dua të nënvleftësoj punën që unë e quaj heroike, të artistëve të cilët vazhdojnë të punojnë në Shqipëri, në këtë tranzicion pa fund, me këto kushte të vështira. Ndiej respekt për Suzana Frashërin, Shqipe Zanin, Marjana Lekën, Agim Duron, Burhan Spahiun, Manjola Nallbanin, Nereida Ficon etj.”

Pasioni jashtë këngës

“Unë kam merak shumë peshkimin, e kam pasion të madh. Jam me fat se kam edhe disa miq që kanë disa motobarka e dal me ta për peshk. I kam të gjitha mjetet e peshkimit dhe shpesh dal për peshkim. Kjo nuk është risi për artistët shqiptar se shumë artistë e kanë pasion, aty gjejnë prehjen dhe qetësinë shpirtërore. Jam vetëm unë, deti dhe peshku. Mendon se peshkun e ke afër bregut dhe je në një lojë se kush është mashtruesi më i madh, ti që je lart apo peshku.”-tregon artisti.

Familja

Anila, bashkëshortja e tenorit të madh, ka mbaruar studimet për koreografi, por tashmë merret me një organizatë joqeveritare. Djali i tij e ka bërë gjysh në qershorin e shkuar ndërkohë çifti Tusha kanë edhe një vajzë që po mbaron studimet për informatikë dhe për të cilën tenori i mirënjohur shpreh një dobësi të madhe.

“Të më thërrasin “gjysh” më pëlqen shumë, është dekoratë e Zotit!”

Kujdesi për veten

“Mendoj që për profesionin që kemi duhet të jemi të kujdesshëm. Jam merakli për garderobën, nuk jam pas veshjeve të firmës por siç thotë një miku im, jam tradicionalo-klasik. Se unë edhe në shtëpi  kështu jam, dukem modern por jam shumë tradicional. Kujdesem shumë për ushqimin, pazarin e bëj vetë. Përpiqem të bëj kujdes në ushqim dhe stërvitem në shtëpi gjysmë ore çdo ditë.

Miqtë

Cilido nga ne ka nevojë për një mbështetje dhe këtë edhe artisti i madh, Kastriot Tusha nuk e harron kurrë. Ai përmend familjen e tij që e ka mbështetur shumë, “Artistin e popullit” Gaqo Cako, i cili i ka dhënë drejtimin e jetës, profesor Ibrahim Madhin, prof.dok Isak Shehun dhe Suzana Frashrin. Këta kanë qenë mbështetësit dhe miqtë e tij më të mirë në jetë, të cilët vetë artisti i veçon me shumë respekt. “Ne në jetë duhet të jemi mirënjohës, gjithmonë. Këtë eksperiencë jete mundohem tua transmetoj edhe studentëve të mi, duhet të jemi mirënjohës për udhërrëfyesit tanë.”

Shqetësimi...

Ne kemi në Shqipëri jo shumë artistë që ta mbushin skenën, që kanë një publik qëndrestar, me një menaxhim të mirë të fondeve mund të organizohen vente që të jenë me fitim edhe për artistin edhe për institucionet. Kjo gjë më ka munduar gjithmonë. Edhe ato fonde që ti merr, çfarë të bësh më parë kur 6 milion kushton Salla e Pallatit të Koncerteve, po fonia, po ndriçimi etj etj.

Shumë artistë që këndojnë nëpër botë, pranojnë të këndojnë në Shqipëri me shumë kënaqësi e me çdo lloj çmimi. Por pavarësisht kësaj a nuk mund të bëhët një politikë promovuese e këtyre eventeve edhe jashtë kufijve? Unë mendoj se kjo e nderon kulturën shqiptare. Ne vërtetë kemi vullnet të mirë për të bërë vepra prestigjioze por nuk mund të bëjmë edhe menaxherin, edhe ndriçuesin, edhe rrobaqepësin, edhe këpucarin. Ne jemi artistë dhe duhet të mendojmë vetëm për artin tonë.

Ne rrimë tek balada, tek serenata, tek romanca. A mos vallë duhet patjetër në këtë vend të rrish tek tallavaja që të punosh? Janë bërë aktivitete me korrin “Lira” me serenatën korçare, me muzikën e Shqipërisë së Mesme me titujt origjinalë të Isuf Myzyrit, me këngëtarin Shkëlqen Jetishi. Dasma shqiptare është shumë e bukur dhe është kënduar në shekuj në të, por jo me muzikë ordinere. Pra artistët e mirëfilltë punojnë e luftojnë ta ruajnë muzikën por kanë nevojë për mbështetje. Këtë përballje kulturash e kemi çdo ditë por me dhimbje dhe me kosto.

Artisti, një hero

“Ka pasur plot raste që kemi hyrë në sallë dhe as këmbët nuk na mbanin nga stresi apo shqetësimi se a funksiononin gjërat apo jo, sepse para shfaqjes ishim marrë me foninë, me sallën, me mediat, me veshjet, me punëtorin e skenës etj etj. Kjo është shumë e rëndë për një artist. Ndaj shpesh them që artisti shqiptar është hero. Duhet dashamirësi dhe menaxhim, asgjë më shumë.”

Pengu

Ne jemi dëshmitarë që nuk po kalojmë periudha të mira, herë me mbështetje e herë jo, herë të paguar e herë jo. Artisti nuk mund të bëjë dot çdo lloj pune, vërtetë që ne mund të këndojmë edhe muzikë që nuk ka lidhje më pasionin apo përgatitjen tonë dhe kjo nga nevojat ekonomike sepse do të mbajmë familjet, por shumë nga ne zgjedhin të mos e bëjnë dhe kanë kosto për këtë gjë. Është shumë e vështirë të ruash staturën, figurën dhe profesionalizmin tënd kur nuk ke një mbështetje. Sot fatkeqësisht është prishur muza, janë futur rryma që unë i shoh të përkohshme dhe mendoj se në atë periudhë muzika ishte shumë më e pastër.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: