PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”: Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit?

Publicitet
Publicitet
PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”: Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit?
INTERVISTA/ Nisma e re e shpallur prej opozitës së bashkuar për mosbindje civile, ka krijuar tashmë një debat publik. Flasin sot rreth saj deputeti socialist Vullnet Sinaj, sekretarja e PD-së për Shoqërinë Civile, Nevila Xhindi; si edhe intelektualët prof.dr. Ago Nezha dhe prof. Lush Susaj. Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit kjo nismë? Dhe pse shërbeu si shkëndijë e kësaj nisme protesta e “Rrugës së Kombit”...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Vazhdon debati publik mbi mosbindjen civile si e tillë, konfirmuar kjo me anë të një vendimi unanim të opozitës së bashkuar. E zgjedhur kjo prej saj, pikërisht si një formë

proteste kundër qeverisë, pas asaj të zhvilluar së fundmi për Rrugën e Kombit. Konkretisht, krerët e saj, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë pohuar se mosbindja civile, sipas tyre është zgjidhja e vetme, pasi nuk shohin alternativë tjetër në rrugë institucionale. Por si e shohin një nismë të tillë, përfaqësues të kaheve të ndryshme politike? Po shtresa e intelektualëve dhe e shoqërisë civile në vend?A është ajo e nevojshme, tashmë kur presim hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian? Ku e ka bazën mosbindja civile si e tillë dhe a është ajo në interes të popullit? Dhe pse shërbeu si shkëndijë e kësaj nisme, pikërisht protesta e Rrugës së Kombit?

 

NEVILA XHINDI, Sekretare e PD-së për Shoqërinë Civile:

Qeveria këputi perin e hollë dhe më të dobëtin

“Pse shërbeu si shkëndijë e kësaj nisme Protesta e “Rrugës së Kombit” dhe si ishte e formatuar kjo protestë? Peri këputet aty ku është më i hollë, thotë populli dhe jo rrallë, ndjeshmëria për të reaguar rritet edhe nga një ngacmim krejt i vogël ( ne fakt, historia e konfirmon). Populli ka “sahatin” e vet, por në rastin e Kukësit, vërtet qeveria këputi perin e hollë dhe më të dobëtin. Papërgjegjshmëria arriti kulmin deri në krim ndaj asaj zone veçanërisht, por ama edhe ndaj krejt shqiptarëve. Ishte fyerje kombëtare, ndaj simbolikës kombëtare që mbart ajo rrugë, e vuri Kukësin dhe Kosovën mes dy doganave dhe kësaj i shtohej “futja e dorës ne xhepin e gabuar”. Unë jam pro protestave dhe kauzave të drejta qytetare, të cilave në një moment të caktuar të zhvillimit u duhet edhe elementi politik, mbështetja politike dhe argumentet politikë, ndryshe kauza nuk ecën përpara drejt vendimmarrjes politike. Ndaj mbështetjen e Partisë Demokratike e quaj të drejtë dhe të shëndetshme”.

 

VULLNET SINAJ, Deputet i PS:

Opozita të mendojë për interesa kombëtare, jo për ato vetjake

 “Nga sa unë jam informuar prej njerëzve të afërm të mi në Kukës, del se çdo gjë fillimisht ka qenë një protestë normale, por dikush nga protestuesit ka provokuar policinë dhe ka nxitur dhunën. Do t’i jepja të gjitha të drejtat për kërkesat që kanë banorët e Kukësit dhe mendoj se qeveria duhet ta zgjidhë këtë problem, për vlerën e taksës. Por kurrë nuk do të pranoja mosbindjen qytetare, dhunën e ushtruar nga protestuesit ndaj pasurisë së shtetit dhe policisë. Për më tepër, nuk do të pranoj kurrsesi që opozita të përfitojë nga rasti dhe të shfrytëzojë situatën për interesa politike, duke mos menduar aspak për interesa kombëtare në këtë moment, kur presim fillimin e negociatave për të hyrë në Europë. Për mendimin tim, këtu pleksen dy probleme. Njëri është problemi i taksës së qarkullimit, që është problem i banorëve të Kukësit dhe e zonave përreth. Problemi i dytë është nxitja e dhunës nga opozita, sepse do t’i shpëtojë vetingut dhe kërkon me çdo kushte të destabilizojë situatën, por ka ikur koha e marrjes së pushtetit me dhunë”.

 

AGO NEZHA:  

Skenari që ka përgatitur opozita, një skenar ogurzi”

“Skenari që ka përgatitur opozita, është një skenar ogurzi.

Organizimi i opozitës për të rrëzuar qeverinë duke marrë shkas nga revolta e Kukësit për tarifat e “Rrugës së Kombit”, është një skenar i mirëmenduar, duke ndërsyer çiftin Basha-Kryemadhi dhe korin e tyre. Ky qëndrim, duke e etiketuar me sloganin “mosbindja civile” është një gjetje që i shërben strategjisë së opozitës për të krijuar anarshi dhe destabilizim, për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t’i mbyllur rrugën hapjes së negociatave me BE. Opozita është e dëshpëruar që ka humbur pushtetin dhe s'ka durim që të presë katër vjet sipas rregullave të demokracisë, për të ardhur në pushtet me votën e popullit. Ata inkurajojnë dhe mbrojnë banditët, shkatërruesit dhe dëmtuesit e pronës publike, duke u bërë palë me ta, për të destabilizuar vendin. Populli duhet të hapë sytë dhe mos gënjehet nga demagogët dhe shërbëtorët opozitarë, që kërkojnë ta fundosin Shqipërinë për karriget e tyre të pista. Qytetarët shqiptarë duhet të ruajnë kujtesën dhe vetëdijen personale e të kujtojnë të kaluarën e opozitës se po të zbatohet skenari i tyre, mjerë vendin çfarë e pret”.

 

LUSH SUSAJ: Mosbindja civile, ka ardhur për shumë arsye

“Mosbindja civile, ka ardhur për shumë arsye. Së pari, mendoj se është zgjedhur rruga e gabuar për arrestimet me faktin se në vend që të bëhej një analizë e mençur e shkaqeve e shkaktarëve të situatës, duket se është kaluar në etiketime, fajësime dhe demagogji fyese e irrituese. Në vend që të analizohej paaftësia dhe veprimtaria dezinformuese e ministrave dhe administratës, u kalua në një sjellje dhunuese dhe fyese për ata që reaguan, që folën e që kundërshtojnë prej vitesh abuzivizmin ekonomik ndaj tyre. Krahinat e Kukësit dhe më gjerë, nuk janë të varfra dhe nuk po shpopullohen e degradojnë për shkaqe natyrore, por për shkaqe politike që lidhen me mungesën e dëgjesës dhe të përfaqësimit, me korrupsionin dhe krimin në rritje e që ka gllabëruar punësimin, investimet, projektet zhvillimore dhe burimet natyrore. Politika dhe administrata e shtetit tonë, përpara se të ndërmarrin veprime të nxituara mbi bizneset, elitat dhe protestuesit e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë, duhet të analizojë e të nxjerrë përgjegjësin në lidhje me grykësinë, shurdhërinë, dezinformimin dhe verbërinë e institucioneve dhe të zyrtarëve abuzues e mediokër. Gjatë këtyre 28 viteve, sidomos nga viti 2009 e deri më sot, popullsia e Kukësit dhe e gjithë Shqipërisë, pavarësisht nga pasuritë natyrore dhe nga demagogjia për reforma dhe rritje ekonomike, duket se është bërë gjithnjë e më i varfër, më e pasigurtë, më e stresuar, më mosbesuese dhe më i revoltuar ndaj politikës dhe administratës militanteske dhe të korruptuar”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: