Përballje në "Albanian Free Press"/ Çfarë ndryshon në Shqipëri me çeljen e negociatave?

Publicitet
Publicitet
Përballje në "Albanian Free Press"/ Çfarë ndryshon në Shqipëri me çeljen e negociatave?
FORUM/ Pas rekomandimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, flasin deputetët Petrit Vasili, Flamur Noka, Andrea Marto. Çfarë ndryshon tashmë në Shqipëri me çeljen e negociatave? Kur mendojnë ata se do jemi realisht pjesë e BE-së, në cilin vit?

Komisioni Evropian i rekomandoi dje Shqipërisë hapjen e negociatave për anëtarësim. Një akt ky që u përshëndet edhe nga krerët më të lartë të politikës së vendit. Nga ana e tij, Presidenti Ilir Meta e vlerësoi si një akt inkurajues, kurse kryeministri Edi Rama, e cilësoi të djeshmen si një ditë të madhe për Shqipërinë. Por si e komentojnë një vendim të tillë që mbërriti nga Brukseli zyrtar, deputetë të kaheve të ndryshme të politikës në Shqipëri? Flasin posaçërisht rreth kësaj çështjeje për “Albanian Free Press”, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili; ai i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe i Partisë Socialiste, Andrea Marto...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

PETRIT VASILI, Deputet i LSI:

Hyrja në BE? Do të jetë një kohë e gjatë

“Në fakt, rekomandimi i dhënë dje nga Vlahutin është një hap i mirë për Shqipërinë, është një hap që duhet përshëndetur. Por duhet të dimë se ne rekomandimin e kemi marrë që në vitin 2016. Por dje, ne morëm rekomandimin, ndërsa do të presim hapjen e negociatave që i përket muajit qershor. Pra, dje nuk filluan procedurat për hapjen e negociatave, por u dha rekomandimi pozitiv për hapjen e tyre, i cili sidoqoftë është hap pozitiv. Pra, tashmë është një çështje tjetër që duhet të presim: A do ta aprovojë Këshilli i Ministrave të Europës në qershor këtë rekomandim për çeljen e negociatave? Kjo është më me rëndësi. Ne edhe herën e parë në vitin 2016 e morëm rekomandimin, por na ndaloi Këshilli i Ministrave të Europës. Ky është problemi. E thënë më thjesht, neve dje na hapën një dritë jeshile me rekomandimin pozitiv, por varet se a do ta aprovojë Këshilli Ministrave të Europës këtë rekomandim për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.  Pra, në qershor të këtij viti, Këshilli Ministrave të BE-së, apo nëpunësit e BE-së do të vendosin nëse do t’i hapin apo jo negociatat në bazë të këtij rekomandimi që përcolli dje Vlahutin. Ndoshta do fryjë erë e mirë. Edhe në 2016-tën,  Hahn në rekomandim na e dha dritën jeshile, por Këshilli i Ministrave të BE-së e rrëzoi kërkesën për arsyet që ata parashtruan. Nëse ata e pranojnë kërkesën, atëherë fillon një proces i ri, që është hapja e negociatave. Pastaj fillon faza e dytë që janë rreth 24 kapituj, të cilët duhet të përmbushen me ligje, që është një proces i gjatë. Për futjen me të drejta të plota në BE, rruga është shumë e gjatë. Ka shumë standarde. Ka shtete të tjerë më të mëdhenj të zhvilluara,  të cilët kanë 10 vjet që i kanë hapur negociatat dhe nuk janë bërë pjesë e BE-së.  Unë gëzoj që të përparojmë në këtë drejtim, pasi varet e ardhmja e fëmijëve tanë. Por koha do të jetë shumë e gjatë. Vetëm një kapitull, që administrata të funksionojë shkëlqyeshëm, duhet të zgjatë rreth një vit e gjysmë. Pra, sa vite do na duhen?  Duhet të përmbushen disa standarde. Ka vende shumë më të përparuara se ne që kanë vite që punojnë për ato standarde dhe nuk i kanë arritur, flas për vende me zhvillim ekonomik, me kapital të madh njerëzor, me tradita në drejtimin e shtetit, tradita të mëdha kulturore. Për mua, koha do jetë e gjatë. Një gjë them, kur mbushëm pyetësorin për liberalizmin e vizave, na u deshën vite të tëra punë që na rraskapitën. Thjesht, ka shumë kërkesa dhe burokraci”.

ANDREA MARTO Deputet i PS:

Shqipëria në BE në vitin 2025, një parashikim i realizueshëm

“Me çeljen e negociatave, ndryshimi është se bëhet hapi më i madh për hyrjen në familjen e madhe evropiane. Por kjo s’do të thotë se jemi pjesë e BE-së. Pas këtij momenti, Europa do të vazhdojë të investigojë, monitorojë  sesi do jetë serioziteti në vijimin e reformave në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe kundër drogës. Sipas parashikimeve, thuhet se me zbatimin e reformave, ne do të mund të jemi pjesë e BE-së, në vitin 2025. Duhet të themi se është një sfidë e vështirë, por jo e parealizueshme. Hapja e negociatave tregon qartë se qeveria “Rama” ka bërë progres në luftën ndaj korrupsionit, reformën në drejtësi, luftën ndaj trafikut të drogës. Vetëm ajo mund të jetë e aftë të përcjellë reformat e duhura në Shqipëri, që ne të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane”.

FLAMUR NOKA Deputet i PD:

Tani do rritet presioni i BE-së për të kapur “peshqit e mëdhenj”

“Partia Demokratike ka qenë përkrahëse dhe ka lobuar për dhënien e rekomandimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Por çelja e këtyre negociatave nuk është fitore e madhe, pasi del përpara një punë shumë, shumë e madhe. Kjo, pasi BE-ja kërkon standarde të tilla që i kanë vendet më të zhvilluara europiane. Rekomandimi i dhënë dje do të thotë për Shqipërinë se tashmë në të ardhmen nga BE-ja do të rritet monitorimi për Shqipërinë, për punën e qeverisë, për luftën ndaj korrupsionit, reformës në drejtësi, luftës ndaj krimit të organizuar, luftën ndaj trafikut të drogës, arrestimin e “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit. Nëse deri dje kishte tolerime, nëse çelen negociatat, monitorimi i strukturave të specializuara të BE do të jetë në maksimum. Besoj se pas këtij hapi, do rritet trysnia dhe presioni i BE-së, që të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”, që flet mazhoranca të vihen para drejtësisë të qeveritarëve të lidhur me krimin. BE pas këtij momenti do të rrisë në maksimum monitorimin  në drejtësi që drejtësia të mos kapet nga shteti dhe të zbatojë urdhrat e Ramës. Vetëm kur të zbatohen të gjitha këto reforma, të gjitha këto procese të domosdoshme dhe të arrijmë standardet e vendeve të tjera evropiane, vetëm atëherë mund të jemi pjesë e BE-së me të drejta të plota. Pra, nuk kemi një vit të saktë për hyrjen në BE, pasi detyrat janë të shumta dhe zbatimi kërkon përgjegjshmëri. Thjesht është rrugë shumë e gjatë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: