PD-JA E SË NESËRMES – OPINION NGA ROLAND QAFOKU

PD-JA E SË NESËRMES – OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike e ditës së shtunë, tregoi shumë për të ardhmen e kësaj partie. Formalisht, ndryshimet statusore janë dhe mbeten të rëndësishme, ashtu si edhe debatet e zhvilluara aty. Po aq të rëndësishme pritet të jenë vendimet në Kuvendin Kombëtar që do të mbahet të premten e 20 prillit. Megjithatë, shumatorja e të gjitha diskutimeve, debateve, analizave, parashikimeve, përmblidhen në një pyetje të madhe dhe disa pyetje derivate të saj: Si do jetë Partia Demokratike e të nesërmes? Çfarë roli pritet të ketë ajo? Sa rezultativ do jetë lidershipi i saj në aksionet politike? Dhe më e rëndësishmja, a ka gjasa që ky lidership dhe kreu i saj, Lulzim Basha, të sjellë këtë forcë politike në pushtet? Në strukturat drejtuese të PD-së, sot nuk të jep kush përgjigje përfundimtare të këtyre pyetjeve. Ose në rastin më të mirë, përgjigjet janë pa dhënë shumë argumente bindës. Por janë disa përcaktime të forta të demokratëve më me peshë, që ia vlen t’i marrësh, jo vetëm në konsideratë, por njëkohësisht shërbejnë si pikënisje e çdo analize që ndodh në PD.

E para është e Besnik Mustafaj, i cili, vetëm disa muaj më parë, deklaroi:

“Zgjedhjet e ardhshme vendore janë përballja e tretë e kreut të PD-së. Ato janë edhe përcaktuese për të ardhmen politike të kryedemokratit. Një tjetër humbje në zgjedhje, do të ishte “vdekja e tij përfundimtare politike”. Përballja e tretë e Bashës në zgjedhje, qofshin ato parlamentare apo vendore, nga koha kur është vendosur në krye të PD-së, do të ishte “vdekja e tij përfundimtare politike”.

E dyta është e ish-kryetarit dhe lideri historik i kësaj partie, Sali Berisha, i cili deklaroi pak ditë më parë:

“Vetëm dy ditë mbrapa gjuhës që përdori kryeministri Rama, ndodhi që të merrte përgjigjen më të merituar. Ndodhi gjithashtu, të themi të vërtetën, edhe një shkundje e fuqishme për strukturat e opozitës, të cilat nuk mund të qëndronin siç kanë qëndruar, por duhet të merrnin vendimet më të rëndësishme në interesin më jetik të këtij kombit. Protesta e Kukësit nuk kishte asnjë prapavijë të PD-së, por opozitës i mbetet që ta transkriptojë atë”.

Nisur nga këto, por edhe nga ato që u diskutuan në mbledhjen e kryesisë, duket se Partia Demokratike është përballë një beteje politike, nga të rëndësishmet në historinë e saj. Fati i aksionit politik të nisur me emërtimin “mosbindje civile”, por edhe rezultati i zgjedhjeve lokale, do të përcaktojë qartë të ardhmen politike, jo vetëm të lidershipit të kësaj partie, por edhe të kryetarit të saj, Lulzim Basha. Madje edhe të vetë Partisë Demokratike. Nga njëra anë, kemi një deklaratë të kryeministrit dhe kreut të PS-së, Edi Rama, në fillim të mandatit të dytë i cili shprehu qartë dhe hapur synimin e shumicës:

“Ne do punojmë në mandatin e dytë, që të fitojmë mandatin e tretë”.

Dhe, nga ana tjetër, kemi deklarimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që tha se do të përdorte të gjitha manualet e mosbindjes civile, që nënkuptonte deri mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale, një togfjalësh që Berisha e artikuloi edhe më qartë në emisionin “Debati në Channel One” të 2 prillit.

Pra, klasa politike shqiptare është ndarë në dy kampe: I majti që synon të marrë mandatin e tretë dhe i djathti që të kthehet në pushtet, pas 8 viteve në opozitë dhe këtë kërkon ta arrijë me çdo kusht, madje edhe nëpërmjet aksionit “mosbindje civile”.

Duket sikur janë larg zgjedhjet parlamentare, por po të kemi parasysh se zgjedhjet lokale janë testi ose më saktë një provë e përgjithshme e zgjedhjeve parlamentare, ato marrin një rëndësi të veçantë. Në rast suksesi, Partia Demokratike do përcaktojë edhe konfirmojë liderin e saj, rrjedhimisht dhe lidershipin. Por era duket se nuk fryn në favor të PD-së. Jo vetëm sondazhet, por edhe fryma në këtë parti, nuk është shumë entuziaste. Ndërkohë, zërat kritikë tashmë janë në armiqësi të hapur politike dhe të plotë me kreun Lulzim Basha. Dhe, sipas Berishës, Bashës i duhet t’i bashkojë të gjithë. Por, a mund t’i bashkojë Basha të gjithë dhe si do ta arrijë këtë? A mund ta bëjë më pjesë të strukturave të PD-së, Astrit Patozin, Jozefina Topallin, Arben Imamin e të tjerë? Të paktën, deri tani, nuk duket dhe nuk ka asnjë gjasë. Ndoshta ai ka një mundësi, mundësinë që ta reformojë dhe të bëjë partinë e të gjithëve, që po e quajmë Partia Demokratike e të nesërmes, që natyrisht do të varet nga rezultati i zgjedhjeve lokale. Dhe që ta arrijë këtë, duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e funksionimit! Le të presim!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: