Pafajësi të plotë për Skënderbeun, Takaj: Nuk shkojmë si të penduar në Cas

Pafajësi të plotë për Skënderbeun, Takaj: Nuk shkojmë si të penduar në Cas
Presidenti i Skënderbeut pas fitores së fundit 3-2 ndaj Kamzës dhe titullit kampion thuajse të hipotekuar, flet mbi vendimin e fundit të Gjykatës së Arbitrazhit sportiv, CAS, që i riktheu titullin kampion dy viteve më parë dhe për hetimet e kërcënimet e Uefa-s, që kërkon ta dënojë për 10 vjet të tjera, mbi pjesëmarrjen në Europë.

Rikthimi i titullit në CAS

Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne sepse titullin e kishim fituar në fushë, dhe ai trofe ishte i yni. Ishte një detyrë e klubit ta ritkthente atë titull për të gjithë lojtarët që kanë derdhur djersë në fushë për ta fituar. Një ogur i mirë, pasi Cas kështu funksionon, shpresojmë shumë në heqien e dënimit, pasi nuk është e drejtë që UEFA të bëjë shembull Skënderbeun duke e dënuar me 10 vite pa patur fakte."

Dënimi i kaluar për një vit

“Skënderbeu tashmë është një klub që luan në nivele të larta. Kampionati shqiptar nuk është objektivi ynë i vetëm pasi duam të bëjmë mirë dhe të shkojmë sa më larg në kompeticionet europiane. Kalimi i 4 tureve është një tregues i qartë i rritjes së nivelit të skuadrës sonë. Nëse do të mbetemi jashtë Europe do të jetë shumë e vështirë për të menaxhuar klubin, si në aspektin ekonomik ashtu edhe për të mbajtur futbollistët aktualë, pasi lojtarët e Skënderbeut duan të luajnë në Europë dhe të dhurojnë paraqitje sa më të mira aty, në mënyrë që të evidentohen edhe nga klube të rëndësishme europiane.”

Motivimi i skuadrës në këto momente

“Pjesa e motivimit është pak e vështirë pasi të gjitha mediat janë të fokusuara tashmë te Skënderbeu dhe kjo gjë nuk u bën mirë lojtarëve. Megjithatë ata janë profesionistë dhe mundohen të japin më të mirën e tyre, gjithsesi ne do të vazhdojmë këtë proces për të fituar pafajësinë dhe do ta çojmë apelin deri në gjykatën federale zvicerane nëse do të jetë e nevojshme.”

Dënimi i Skënderbeut me 10 vite

“Nëse do të ishte rasti i një klubi të madh, UEFA as që do të merrej fare me dyshime të tilla që vinë vetëm si pasojë e disa telefonatash dhe pa patur fakte. Por meqë ne jemi një klub i vogël, kërkojnë të bëjnë dikë kurban dhe në këtë rast kanë gjetur Skënderbeun për të dënuar. UEFA ka 15 vite që monitoron sistemin BFDS dhe kërkon të dënojë dikë meqë në këto 15 vite nuk ka dënuar asnjë klub, lidhur me këtë sistem që monitoron lëvizjen e koefiçentëve.”

Në pritje të CAS

“Në fakt ne për momentin e kemi apeluar vendimin në Uefa dhe presim përgjigjen e apelit të UEFA-s, për ta çuar çështjen në KAS, më pas KAS do ta na përcaktojë një datë për përgjigjen. Unë jam i sigurt te pafajësia e Skënderbeut dhe besoj që do ta fitojmë çështjen. Nuk pretendojmë ulje të dënimit pasi qoftë edhe 1 vit jashtë Europe është shumë, duam falje nga Cas.”

Pjesëmarrja këtë vit në Europë

Avokatët tanë na kanë siguruar që do marrim pjesë në këtë sezon në Champions League, sepse edhe koha nuk është e mjaftueshme që KAS të japë një vendim deri në paraeliminatoret e Champions. Ne kemi marrë pjesë në kompeticionet europiane pikërisht në grupet e Europa League kur po dyshoheshim mbi këtë çështje dhe nëse marrim pjesë sërish nuk prishim integritetin e garës. Mendoj që vendimi i KAS do të vijë midis tetorit dhe nëntorit të këtij viti.”

Nëse dënimi nuk hiqet nga CAS

“Pavarësisht gjithçkaje ne do të vazhdojmë të investojmë te Skënderbeu, projekti vazhdon pasi jemi një klub model.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: