OPOZITA KA TË SIGURT VETËM KRYETARIN, FITOREN ENDE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

OPOZITA KA TË SIGURT VETËM KRYETARIN, FITOREN ENDE – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një teatër kukullash në oborrin e PD-së. Një teatër ku vetë personazhet kërkojnë të mbetet i njëjti regjisor kryetar, ndonëse shfaqja nuk patur aspak sukses. Ndërkohë që, skenari është shkruar tjetërkund e nga tjetërkush. Gjithsesi, drama që po luhet së fundmi në PD, nuk është për duartrokitje. Madje as për të qeshur nuk të bën, qoftë edhe me vulgaritetin. Kjo dhe për shkak të aktorëve të dobët që mbushën skenën në PD, në media dhe gjithkund.

E troshitur nga humbjet e njëpasnjëshme, ndërsa pritej që opozita të merrte në analizë shkaqet e këtij rezultati në dishezë të plotë, debati i vetëm ishte për një statut, i cili vetëm sa ka larguar shumicën e kritikëve; ndonëse deklarohet bashkim, thjesht betonizon pozitat e kryetarit, që nuk është i detyruar për dorëheqje edhe pas humbjes së radhës. Ndërkohë që, të gjithë i mbanin sytë e veshët nga kërcitja e derës së Sali Berishës.

Në fakt, pas gjithë kësaj katrahure, është pak e nevojshme dhe aspak e rëndësishme, të bëhet një analizë për shkakun e humbjes dhe dështimeve në aksionet politike. Me idetë e cekëta që u prodhuan në kuvend, si dhe helmin e zbrazur nga të gjitha palët për njeri-tjetrin, të gjitha bashkë, ishin argumentet më të qarta të kësaj bjerrjeje që pësoi PD-ja. Negativiteti, helmi dhe pakënaqësitë, ishin akumuluar aq dukshëm, saqë plaga rrodhi qelb në rastin më të parë.

Opozita, gjithsesi, është element i rëndësishëm i shtetit. Ca më tepër PD-ja, si parti historike që simbolizon fitoren e pluralizmit në Shqipëri. Ndaj, mosfunksionimi i saj është shqetësues, e ca më tepër deformimet në strukturë, çka ndikojnë dhe në deformimet e mëtejshme të vetë demokracisë në vend. Por debatet brenda saj, ishin një diletantizëm amatoresk e jo të një partie që ka 27 vjet që ka drejtuar vendin e që ka dhënë tonin dhe në opozitë. E në këtë mënyrë, vështirë të mendohet se do të ketë peshë dhe në opozitarizmin e tanishëm ndaj supermacisë aktuale të Ramës.

Vendimi i dikurshëm i Bashës, për të mos dhënë dorëheqje nga kreu i PD-së pas humbjes së thellë, por duke kaluar në një proces të panatyrshëm ngrirjeje, deri në zgjedhjet e reja brenda partisë, kanë ende rëndesë për çka ndodh në PD. Pasi, ndryshe dhe nga sa ishte deklaruar, munguan dhe debatet e analizat e brendshme për paraqitjen e dobët si në zgjedhje, në pasivitetin e një pjese të grupit parlamentar dhe mosprodhimit të ideve si opozitë. Në fjalën e djeshme, Basha u shpreh se ia njihte të metat vetes, por vetëm kaq ishte e pamjaftueshme për të kërkuar një ribashkim të PD-së. Kundërshtarët thjesht e panë kuvendin nga televizori, dhe fishkëllimat që iu rezervuan Selamit gjatë kritikave të tij, thjesht përforcuan idenë se, nëse duhet të vinin në Kuvend, do të duhej të shkonin thjesht për të duartrokitur, jo për arsye tjetër.

Gjithsesi, edhe kundërshtarët e Bashës, duket se i janë futur një lëvizjeje për diskutim akademik për çka ndodh në PD, dhe jo lëvizje politike.  Në vend të kësaj, në deklaratat e në daljet televizive, kundërshtarët e shumtë u morën me moral, me moralin e humbjes e të mungesës së dorëheqjes, me denoncim të prishjes së rregullave të zgjedhjeve, me listën famëkeqe që u bë në 12 të natës, me përgjegjësitë e kryetarit e me anashkalimin e forumeve. Të gjitha këto ishin në rregull, përveç diçkaje. Nuk arritën të bënin asnjë lëvizje politike kundër Bashës. Asnjë. Denoncimi apo morali i të drejtës, janë veç argumente që veshin lëvizjen politike me kostumin e besueshmërisë. Por kur vetë lëvizja konkrete mungon, të gjitha këto argumente do rrinë të varura në kremastar, në atelienë e kujtimeve biografike.

Gara tashmë duket e mbyllur dhe nuk mbetet tjetër, veç të urojmë Bashën për vijimin e rrugës. Të paktën këtu e ka siguruar fitoren, në këtë vit të mbrapshtë për PD-në. Gjithsesi, as ai vetë nuk e priste që, kundërshtarët e tij të ishin kaq të dobët. Thjesht bënë ca zhurmë, por vetëm kaq. Dikur ai fitoi ndërsa ishte në ngrirje, tashmë kundërshtarët duken të avulluar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: